• Friday, 11 April 2025
English
  • English
  • Shqip
  • Македонски

BDI: A është “marrëveshja e re shoqërore” antipod i Marrëveshjes së Ohrit dhe fillimi i riformatimit të modelit kushtetues të shtetit

BDI: A është “marrëveshja e re shoqërore” antipod i Marrëveshjes së Ohrit dhe fillimi i riformatimit të modelit kushtetues të shtetit

Shkup, 4 prill 2025

Si është e mundur që një takim liderësh për të ashtuquajturën “marrëveshje të re shoqërore” të mbahet mes partisë së parë dhe asaj të tretë në zgjedhje?

A është përkatësia etnike kriteri për të marrë pjesë në këto negociata, në vend të legjitimitetit demokratik?

A do të thotë kjo se po vendoset një praktikë e re e modelimit njëetnik të shtetit, ku shqiptarët dhe komunitetet e tjera reduktohen në spektatorë?

A është “marrëveshja e re shoqërore” një vazhdimësi e koalicionit të oligarkisë Mickoski–Zaev?

A përfaqëson kjo iniciativë fillimin e një riformatimi post-Ohër të modelit kushtetues të Maqedonisë së Veriut?

Pse në këtë takim nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues i populliz shqiptar – as nga pozita, as nga opozita – nëse vërtet po diskutohet për të ardhmen e rendit shtetëror?

A është ky një përpjekje për të ndërtuar një hierarki të re politike mbi bazë etnike, ku shqiptarët përjashtohen nga proceset thelbësore të vendimmarrjes?

A është në këtë kuadër duke u diskutuar edhe mbrojtja e ndërsjellë nga përgjegjësia politike dhe ligjore – një lloj pakti joformal për mosndëshkim – për tragjedinë në Koçan, përballë tragjedisë së spitalit modular në Tetovë? 

Dhe në fund – a janë konsultuar fare partitë shqiptare të përzgjedhura nga Kryeministri për këtë takim? 

A kanë dhënë pëlqimin e tyre apo janë anashkaluar tërësisht? 

A mund të dëgjojmë të paktën një qëndrim të qartë prej tyre për këtë qasje njëetnike ndaj së ardhmes së shtetit? 

A janë të informuara që pala maqedonase e Qeverisë tashmë ka rënë dakord për formimin e grupeve të punës me opozitën maqedonase për të ndërtuar këtë “marrëveshje të re”? 

Apo roli i tyre është reduktuar në spektatorë të heshtur që vështrojnë nga korridoret, ndërsa në emër të tyre shkruhet një realitet i ri politik në të cilin as ata, as votuesit e tyre, nuk pyeten për asgjë?

Bashkimi Demokratik për Integrim

_____________________________________________________________________________________ 

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

Foto: Arkivi i MIA-s