• Sunday, 11 January 2026

Andonovski në konferencën ministrore në Estoni: Digjitalizimi nuk është zgjidhje – ajo definon shoqërinë e re të drejtë dhe të barabartë

Andonovski në konferencën ministrore në Estoni: Digjitalizimi nuk është zgjidhje – ajo definon shoqërinë e re të drejtë dhe të barabartë

Shkup, 29 maj 2025 (MIA) - Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sot mori pjesë në panelin ministror "Shaping Prosperity - Political Leadership and Strategic Choices for Digitar Economic Groëth" i cili mbahet në kuadër të konferencës për e - qeverisje në Talin, Estoni. 

Në fjalimin e tij, Andonovski theksoi se transformimi digjital është një parakusht thelbësor për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të sigurt dhe moderne, njofton Ministria për Transformim digjital.

"Digjitalizimi nuk është një modernizim teknik zgjedhor. Ai është themeli për rritje ekonomike dhe mbrojtje të të drejtave të çdo qytetari - nga një nënë në Shkup që nuk ka nevojë të presë në radhë për të marrë certifikatën e lindjes, deri te një sipërmarrës në Kavadar që merr licencën për veprimtari energjetike pa paguar ryshfet", theksoi ministri. 

Ai nënvizoi se Maqedonia do t'i realizojë prioritetet kyçe. 

"Ridizenjimi i portalit kombëtar për e-shërbime me mbi 250 shërbime onlajn në dispozicion për të gjithë qytetarët; Plani për një qendër të dhënash primare dhe konsolidim hibrid të burimeve TI për një menaxhim më të sigurt dhe efikas; Ligj i ri për siguri kibernetike dhe strategji kombëtare për siguri kibernetike të harmonizuar me direktivën evropiane NIS2; katër ligje për digjitalizim në kuadër të Agjendës së reformave – Partneritet me sektorin privat për të krijuar një ekosistem digjital gjithëpërfshirës dhe të sigurt", tha Andonovski.

Ministri theksoi se udhëheqja politike është thelbësore për të shndërruar potencialin digjital në rritje dhe prosperitet të vërtetë. 

Konferenca për E-qeverisje 2025, e cila po mbahet më 28 dhe 29 maj në Talin, është një nga tubimet kryesore botërore për transformimin digjital. Këtë vit, konferenca mblodhi mbi 600 liderë të zhvillimit digjital, politikbërës dhe donatorë nga më shumë se 80 vende. E organizuar nga Akademia për E-qeverisje (eGA), në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Estonisë dhe ESTDEV, konferenca shërben si platformë për shkëmbim përvojash dhe praktikash të mira në fushën e qeverisjes digjitale. 

Ministri Andonovski, paralajmëroi mbajtjen e Samitit digjital në Maqedoninë e Veriut në tetor të vitit 2025. Samiti do të organizohet nga Ministria për Transformim Digjital me mbështetje nga organizata partnere dhe kompani të përgjegjshme shoqërisht. Ky Samit digjital do të jetë një hap i rëndësishëm në zhvillimin e transformimit digjital në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon, me theks në vendosjen e standardeve të reja dhe nxitjen e inovacionit, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Transformim Digjital. qa/

Foto: Ministria për Transformim Digjital