• Wednesday, 13 November 2024

Aleanca për Shqiptarët: Pushteti tenton të partizojë Këshillin për media përmes kuadrove partiake

Aleanca për Shqiptarët: Pushteti tenton të partizojë Këshillin për media përmes kuadrove partiake

Shkup, 12 nëntor 2024

Pas tentativës për të kapur Këshillin e Prokurorve, tani partitë e koalicionit VLEN, në bashkëveprim me VMRO-në duan ta kapin Keshillin e Agjencisë për Veprimtari Audio dhe Audiovizuele, me dy kandidate kryekëput partiake të paraqitura në konkurs që tanimë kanë kaluar komisionin amë dhe tentojnë t'i votojnë edhe në seancë plenare.

Në kundërshtim me Ligjin dhe kushtet e konkursit, komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emrimeve kaloi listën ku bëjnë pjesë edhe dy kandidatet, Afrona Vërzivolli dhe Nafie Selmani. E para është kandidate e grupit të Arben Taravarit, e nominuar më herët për Kryerevizore e fondeve IPA, anëtare partiake dhe bashkëshorte e kryetarit të degës së grupit të Taravarit në Likovë, Adrian Demiri. Edhe në postin për kryerevizor ku u refuzua për shkak të mospërmbushjes së kushteve, Vërzivolli u propozua në Qeveri si kuadër partiak.

Kandidarja tjetër, Nafie Selmani, ka qenë kandidate e Alternativës për kryetare e Qytetit të Shkupit, kandidate për këshilltare komunale në Çair si dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, kandidate e kësaj partie në listën për deputetë.

Zgjedhja eventuale e dy kandidateve të nominuara nga partnerët qeveritarë, si dhe disa anëtarëve të tjerë të afërt me VMRO-në dhe partitë e tjera politike, nënkupton partizim skandaloz të këshillit për media që duhet të jetë trup i pavarur. Liria e mediave dhe gazetarëve është një nga shtyllat kryesore të demokracisë që nuk guxojmë të lejojmë të cënohet nga interesat e ngushta partiake të Qeverisë aktuale jolegjitime.

Aleanca për Shqiptarët 

Fotografia: Arkivi i MIA-s

_______________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.