• Tuesday, 15 October 2024

Aktivitetet e Delegacionit të Kuvendit, të udhëhequr nga Kryetari Gashi, në kuadër të Asamblesë së 149-të të UIP-së në Gjenevë

Aktivitetet e Delegacionit të Kuvendit, të udhëhequr nga Kryetari Gashi, në kuadër të Asamblesë së 149-të të UIP-së në Gjenevë

Shkup, 14 tetor  2024

Në Asamblenë e 149-të të Unionit Interparlamentar (UIP), që po mbahet nga 13 deri më 17 tetor 2024 në Gjenevë të Konfederatës Zvicerane, merr pjesë Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në UIP i përbërë nga: Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shef i Delegacionit dhe deputetët Dafina Stojanoska, Fatmir Bytyqi, Arbana Pasholli, Halil Snopçe, Boban Karapejovski dhe Borisllav Kërmov, anëtarë të Delegacionit, si dhe sekretarja e përgjithshme, Marina Dimovska. 

Mbledhje kanë mbajtur sot Këshilli Administrativ dhe dy komisione të përhershme të Unionit Interparlamentar. Në mbledhjen e Këshillit Administrativ morën pjesë deputetët Dafina Stojanoska, Arbana Pasholli dhe Boban Karapejovski.

Komisioni për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut diskutoi për Raportin dhe Propozim-Rezolutën me temë: "Ndikimi i inteligjencës artificiale në demokraci, të drejtat e njeriut dhe sundimin e së drejtës". Në debat mori pjesë deputeti Halil Snopçe. Ai theksoi se inteligjenca artificiale do të vazhdojë të luajë rol gjithnjë e më qendror në proceset e politikëbërjes, duke përdorur analiza të avancuara të të dhënave për të miratuar vendime të informuara për çështjet komplekse, si ndryshimet klimatike, mbrojtja shëndetësore dhe pabarazia ekonomike. Sipas Snopçës, duhet të vendosen korniza të qarta rregullatore për të menaxhuar përdorimin e inteligjencës artificiale në proceset politike, si dhe për t'u fokusuar në zhvillimin e programeve të fuqishme të arsimimit digjital, jo vetëm për qytetarët, por edhe për udhëheqësit politikë dhe institucionet. 

Ai vlerësoi se vendimmarrësit duhet të jenë të informuar për teknologjinë dhe të jenë në gjendje t'i kuptojnë implikimet e saj më të gjera shoqërore. Arsimi duhet të jetë aleati më i fortë në sigurimin e pjesëmarrjes aktive dhe të përgjegjshme të brezave aktualë dhe të ardhshëm në peizazhin politik ku inteligjenca artificiale është pjesë përbërëse.

Deputeti Fatmir Bytyqi mori pjesë në punën e Komisionit për Paqe dhe Siguri Ndërkombëtare, i cili mbajti panel-diskutim me temë: “Roli i parlamentarëve në parandalimin e konflikteve për burimet natyrore”. Ai theksoi se një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen deputetët është sigurimi i shpërndarjes së drejtë dhe të qëndrueshme të burimeve natyrore. Roli i tyre nuk është vetëm të parandalojnë konfliktet mbi burimet, por edhe të krijojnë mundësi sistematike për shpërndarje të drejtë dhe qasje në to. Kjo përfshin zhvillimin e legjislacionit dhe mekanizmave që sigurojnë që çdo qytetar të ketë qasje të drejtë në ujë, tokë dhe burime të tjera jetike. 

Sipas Bytyqit, një nga hapat më të rëndësishëm që duhet ndërmarrë është avancimi i proceseve demokratike, sepse demokracia është sistem vlerash që përfshin gjithëpërfshirjen, transparencën dhe llogaridhënien. Nëse këto vlera pranohen dhe zbatohen në menaxhimin e burimeve, konfliktet mund të shmangen dhe dallimet mund të bëhen burim fuqie, në vend të ndarjes. Ai vlerësoi gjithashtu se zgjidhja e sfidave klimatike duhet të integrohet në strategjitë e parandalimit të konflikteve dhe të inkurajojë transformimin drejt teknologjive të gjelbra dhe përdorimit të qëndrueshëm të burimeve.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, pritet të mbajë fjalim në debatin e përgjithshëm me temë: “Përdorimi i shkencës, teknologjisë dhe inovacioneve për një të ardhme paqësore dhe të qëndrueshme.”

*Unioni Interparlamentar është organizatë botërore e parlamenteve. U themelua më shumë se 130 vjet më parë si organizata e parë politike multilaterale në botë, me qëllimin për të inkurajuar bashkëpunimin dhe dialogun midis kombeve. Sot, 180 parlamente nacionale dhe 15 asamble parlamentare ndërkombëtare janë anëtarë të organizatës. UIP e promovon demokracinë dhe ndihmon parlamentet të bëhen më të fortë, më përfaqësues, më novatorë dhe të balancuar në aspekt gjinor dhe te të rinjtë. Asambletë e UIP-së mbahen dy herë në vit, duke i siguruar kështu dimension parlamentar menaxhimit global.
 

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut

 Foto: Kuvendi

 

 _________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.