• Saturday, 28 September 2024

Është gabim historik i BE-së që Maqedonia e Veriut do të vihet pas Shqipërisë, për çka nuk shoh asnjë arsye, porositi Orbani nga Ohri

Është gabim historik i BE-së që Maqedonia e Veriut do të vihet pas Shqipërisë, për çka nuk shoh asnjë arsye, porositi Orbani nga Ohri

Shkup, 27 shtator 2024 (MIA) – Maqedonia e Veriut është kandidate për anëtarësim që nga viti 2005 dhe, së bashku me Kroacinë, mori mendim pozitiv në vitin 2008. Kroacia tashmë është anëtare e BE-së, ndërsa me Maqedoninë e Veriut nuk kanë filluar ende bisedimet për aderim. Ky është një gabim i madh i BE-së, të cilin unë do ta karakterizoja si historik dhe tani mund të vihet në katror, sepse Maqedonia e Veriut do të vihet pas Shqipërisë, gjë për të cilën nuk shoh ndonjë arsye, tha sot në Ohër kryeministri hungarez Viktor Orban, vendi i të cilit kryeson aktualisht presidencën e BE-së.

Ai propozoi sot që Hungaria të jetë ndërmjetësuese midis Shkupit dhe Sofjes për të gjetur zgjidhje për kontestin. Ai theksoi se këtë propozim ia kishte paraqitur kryeministrit Hristijan Mickoski.

"Kam propozim për kontestin me Bullgarinë. Ne jemi të gatshëm të ndërmjetësojmë në këtë çështje. Hungaria të jetë ndërmjetësuese në kontestin midis dy vendeve, për të gjetur zgjidhje që do t'u përshtatej të dyja palëve", tha Orbani në konferencën e përbashkët për media me Mickoskin.

Tema më e rëndësishme e takimit të sotëm me kryeministrin Hristijan Mickoski, tha Orbani, ishte anëtarësimi i Maqedonisë në BE dhe Hungaria si kryesuese e presidencës së BE-së.

- Qëndrimi i Hungarisë është i mirënjohur. Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe integrimi në BE janë shumë të rëndësishëm. Anëtarësimi i një shteti nuk është problem dhe sfidë, por mundësi e madhe. Për të gjitha shtetet që tashmë janë anëtare të BE-së, ashtu edhe për Hungarinë. Të gjithë e kemi parë se duke u bashkuar, të gjithë kemi fituar shumë përparim, por BE ka humbur dinamikën ndërkohë dhe për këtë arsye duhet të sigurojmë zgjerimin dhe kjo është mënyra më e mirë", deklaroi Orbani.

Sipas Orbanit, duhet të kemi faktorin gjeopolitik, por edhe se vendet që e kanë vënë punën e anëtarësimit në BE në vendin e dytë për shumë vite duhet të respektohen.

"Kjo nuk asht e ndershme nga ana jonë. Prandaj, si kryesues të BE-së, ne besojmë se është shumë e rëndësishme të mbahet anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE në rendin e ditës dhe, në përputhje me rrethanat, ne dëshirojmë të përshpejtojmë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Ne jemi të gatshëm të mbajmë seancë ndërqeveritare dhe nëse jo, do të shkojmë në nivel dypalësh", tha Orbani.

Popujt e Ballkanit Perëndimor, tha Orbani, meritojnë shumë më tepër dhe duhet të ishin anëtarë të BE-së shumë kohë më parë.

"Dua të përcjell përshëndetje nga populli hungarez, sepse po flasim për dy shtete mike. Takimi i sotëm është takimi i 18-të që unë dhe Z. Kryeministër mbajtëm dhe nuk është sekret që partia që përfaqëson kryeministri juaj dhe FIDES-i ynë janë vëllazërore, por ne asnjëherë nuk i përziejmë punët e partisë dhe punët e shtetit, por është gjithmonë mirë që partitë vëllazërore të jenë në pushtet dhe të shkëmbejnë veprimet e tyre së bashku", deklaroi Orbani.

Këtë vit festojmë 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, tha Orbani dhe njoftoi se e kishte ftuar Mickoskin në Hungari, ku do të mbahej seanca e ardhshme ndërqeveritare.

"Sipas pikëpamjeve tona, të dyja kombet kanë tradita të gjata historike dhe të dyja kombet gjatë gjithë kësaj kohe janë karakterizuar nga lufta për të ruajtur interesat dhe lirinë kombëtare. Është e rëndësishme të ruajmë idealet dhe krenarinë tonë kombëtare. Besoj se do të pajtoheni me ne se gjëja më e rëndësishme për një komb është të ruajë krenarinë kombëtare", tha Orbani.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut nuk është vetëm një vend mik i Hungarisë, por edhe një vend shumë i rëndësishëm për sigurinë e Hungarisë, pasi është në rutën e emigrantëve. "Nëse ka nevojë, ne jemi të gatshëm t'ju ndihmojmë në të gjitha mënyrat", tha Orbani.

Mickoski theksoi se vizita ishte dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, të cilat po thellohen me çdo ditë që kalon.

"Populli maqedonas dhe hungarez janë të lidhur me një miqësi të rrënjosur thellë dhe respekt të thellë. Hungaria na ka mbështetur gjithmonë, si në kohë të vështira, ashtu edhe në përpjekjet për integrimin tonë evropian. Sot, përmes nismave dhe marrëveshjeve konkrete, ajo miqësi vazhdon të forcohet, duke krijuar baza të forta për bashkëpunimin tonë në të ardhmen. Historia dëshmon për aspiratën tonë të përbashkët për paqe, prosperitet dhe bashkëpunim", tha deklaroi Mickoski.

Me vite të tëra, lidhjet politike dhe ekonomike midis dy vendeve janë duke u thelluar, tha Mickoski, duke shtuar se takimet e sotme konfirmuan aleancën tonë strategjike.

"Hungaria nuk është vetëm partneri ynë në skenën evropiane. Është gjithashtu një shembull se si një vend mund të balancojë sovranitetin kombëtar me integrimin global. Hungaria ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fortë e zgjerimit të BE dhe aspiratave tona për anëtarësim të plotë", tha Mickoski.

Me miqtë tanë hungarezë, ne ndajmë vizionin e përbashkët të një Ballkani të integruar, ku të gjitha vendet e rajonit do të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane.

"Unë besoj se me mbështetjen e Hungarisë dhe aleatëve tanë të tjerë, Ballkani do të zërë vendin e tij të merituar në BE", deklaroi Mickoski.

Më parë, kryeministrat Mickoski dhe Orban zhvilluan takim tet-a-tet, pas çka u mbajt edhe seanca e përbashkët ndërqeveritare.

Kryeministri hungarez Viktor Orban kryesoi delegacionin qeveritar prej rreth dhjetëra ministrash, i cili qëndron për vizitë në vendin që nga dita e djeshme. Përveç pjesës zyrtare, janë planifikuar gjithashtu shëtitje në Ohër, një vizitë në kishën Shën Mëria Perivlepta, Teatrin e Lashtë dhe kompleksin e manastirit Shën Naum, ndërsa kryeministrat e të dy vendeve do të vendosin lule para monumentit të Shën Qirilit dhe Metodit në Ohër.

Hungaria aktualisht mban presidencën e radhës së BE-së, dhe Orbani është gjithashtu kryetar i Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të këtij viti. 

Foto: MIA