12:00/30 dhjetor/2025
Shkup – Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor i Maqedonisë (FSPIM) i njofton të gjithë përfituesit e pensioneve se janë siguruar mjetet e nevojshme për pagesën e pensioneve për muajin dhjetor 2025. "Si institucion përgjegjës për pagesën e pensioneve dhe sigurimin e të drejtave të sigurimit pensional dhe invalidor dhe sigurimin social të pensionistëve, Fondi ka përfunduar me kohë të gjitha përgatitjet për zbatimin e pandërprerë të pagesës së pensioneve. Për këtë qëllim, janë siguruar mjete në shumën totale prej 9.289.521.686,00 denarë - nëntë miliardë 289 milionë 521 mijë 686 denarë - për një total prej 340.156 përfituesish pensionesh. Për shkak të faktit se 1 janari është ditë jo pune - festë zyrtare, mjetet do të transferohen në bankat komerciale më 2 janar 2026", bën të ditur FSPIM.
Shkup - Vitin e kaluar, në vend u mblodhën gjithsej 637,471 ton mbeturina komunale, që është një rritje krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa vlerësimet për totalin e krijuar të mbeturinave komunale janë 790,866 ton, që është një rënie krahasuar me vitet e kaluara. E gjithë sasia e mbeturinave komunale të mbledhura hidhet në deponi.
Shkup- ShA – Shkup njofton opinionin profesional se largpërçuesi 110 kV nr. 109 në relacionin TS Manastir 1 – TS Prilep 1, i rekonstruktuar, është vendosur me sukses nën tension dhe është vënë në punë të funksionimit. Rekonstruktimi është kryer në trasën ekzistuese të linjës, ku linja ekzistuese 110 kV me shtylla të armuara-beton, e ndërtuar më shumë se 50 vjet më parë, është demontuar plotësisht dhe është zëvendësuar me linjë të re me shtylla çeliku-rrjetë. Linja e re e ndërtuar ka gjatësi totale prej 33,5 km dhe përbëhet nga 125 shtylla çeliku.
Shkup - Ka përfunduar rindërtimi dhe rehabilitimi i një pjese të bulevardit Gjevgjelia dhe mbikalimit në rrugën Hekurudha, me gjatësi prej 550 metra. Ky projekt ka kryer një rehabilitim dhe modernizim të plotë të infrastrukturës rrugore, gjë që ka krijuar kushte dukshëm më të mira për lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve përgjatë kësaj rruge të rëndësishme trafiku, njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk.
Shkup - Në mëngjes në vend është shumë ftohtë, me temperatura minimale të cilat në Berovë ranë deri në -9 gradë, ndërsa në Shkup-Petrovec, Manastir dhe Strumicë deri në -8 gradë. Sipas Drejtërisë për Punë Hidrometeorologjike, -7 gradë janë matur në Tetovë, Prilep, Veles, Shtip dhe Demir Kapi, -6 në Shkup-Zajçev Rid, Kriva Pallankë dhe Kavadar, -5 në Gjevgjeli, -4 në Ohër, -3 në Pretor, Vinicë, 1 në Hanet e Mavrovës dhe 2 në Kodrën e Diellit dhe Krushevë.
Athinë - Ashtu si në tre ditët e kaluara, edhe sot, bujqit grek planifikojnë dy bllokada katërorëshe në vendkalimin kufitar Evzoni drejt vendit tonë, duke ndërprerë qarkullimin për të gjitha automjetet për hyrje dhe dalje nga Greqia në periudhën prej orën 11 deri në orën 15 sipas orës së Maqedonisë (12 deri 16 sipas kohës greke) dhe nga ora 17 deri 21 (nga ora 18 deri 22 sipas kohës lokale), njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Stamboll - Policia turke ka arrestuar 110 persona të dyshuar në një bastisje kundër grupit Shteti Islamik, një ditë pasi tre policë dhe gjashtë militantë u vranë në një shkëmbim zjarri në pjesën veriperëndimore të vendit, bëri të ditur zyra e kryeprokurorit të Stambollit. Operacioni zgjati tetë orë në qytetin Jalova në Detin Marmara, një javë pasi më shumë se 100 persona të dyshuar u arrestuan për plane të dyshuara për sulme të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Londër- Qeveria britanike është përballur me akuza për mbulimin e informacioneve në lidhje me familjen mbretërore, pasi në momentin e fundit e bllokoi publikimin e disa dokumenteve që lidhen me ish-princin Endru dhe shpenzimet e tij të udhëtimit në cilësi të të dërguarit tregtar britanik. Dokumentet, të cilat ishin pjesë e dosjeve arkivore të dorëzuara në Arkivin Kombëtar dhe të cilat ishin në dispozicion të mediave paraprakisht nën embargo, janë tërhoqur pak para publikimit, raportoi gazeta "Gardian".
Kiev - Humbjet e përgjithshme luftarake të trupave ruse nga 24 shkurti i vitit 2022 deri më 30 dhjetor të vitit 2025 në luftën kundër Ukrainës arrijnë afër 1.206.910 njerëz, duke përfshirë 1.220 njerëz ditën paraprake, këtë e njoftoi Shtatmadhoria e forcave të armatosura të Ukrainës në Fejsbuk.
Pekin - Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës sot i vazhdoi manovrat ushtarake masive rreth Tajvanit në kuadër të operacionit "Misioni drejtësi 2025", duke demonstruar aftësinë për bllokimin e plotë të ishullit, njoftuan autoritetet kineze dhe tajvaneze. Në stërvitje janë përfshirë shkatërrues, fregata, luftëtarë dhe bombardues, ndërsa forcat tokësore kanë kryer të shtëna me municion në ujërat verior të ishullit. Zëdhënësi i Komandës Lindore, Li Si, tha se stërvitjet i kanë arritur "efektet e dëshiruara".
Uashington - SHBA ka kryer një sulm të ri në Paqësor ndaj një anije për të cilën dyshon se është e përzier në tregtinë me drogë, me ç'rast humbën jetën dy burra, njoftoi armata amerikane. Komanda jugore e SHBA-së në "X", kumtoi se Grupi i përbashkët i punës "Shtiza jugore", ka kryer "sulm kinetik vdekjeprurës" ndaj një anije në ujërat ndërkombëtar, të cilin gjoja e kanë drejtuar organizata të përcaktuara nga SHBA si terroriste.
Uashington - Ish sekretari i shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Majk Pompeo, deklaroi se Rusia, nëse nuk e ndryshon qasjen e tij, do të përballet me pasoja shumë më serioze para se të jetë gati për bisedime serioze me Perëndimin. Në intervistën për "Fokus njuz", Pompeo vlerësoi se presionet ndaj Moskës ende nuk e kanë arritur nivelin që do ta detyronte atë "të ulej vërtetë në tryezën e bisedimeve".
Uashingron - Ylli amerikan i muzikës, Bijonse u bë zyrtarisht miliardere, duke iu bashkuar grupit të vogël të muzikantëve të pasur që e kanë kaluar shifrën e një miliardë dollarëve, siç janë: Tajlor Suift, Rihana, Brus Springstin dhe bashkëshorti i saj, Xhej Zi, njoftoi magazina Forbs.
Romë - Roma e mposhti Xhenovan me 3:1 mbrëmë në fushën e saj në ndeshjen e javës së 17-të të Kampionatit Italian të Futbollit. Romakët shënuan tre golat në pjesën e parë, ndërsa golashënuesit ishin Matias Sule, Manu Kone dhe Evan Ferguson. Për Xhenovan shënoi Xhef Eçator në fund të pjesës së dytë.