Zelenski nesër për vizitë në Gjermani
- Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski nesër do të udhëtojë për në Gjermani, ku do të ketë takim me kancelarin Fridirh Merc.
- Post By Qefsere Abduli
- 16:29, 27 May, 2025
Kiev, 27 maj 2025 (MIA) - Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski nesër do të udhëtojë për në Gjermani, ku do të ketë takim me kancelarin Fridirh Merc.
Siç raportoi gazeta gjermane Shpigel, duke iu referuar burimeve qeveritare anonime, Zelenski mbërrin në Berlin në një moment kur Merci po përpiqet të nxisë përpjekjet evropiane për fillimin e bisedimeve të mëtejshme paqësore mes Ukrainës dhe Rusisë në nivel teknik.
Gazeta thekson se Merci planifikon të bisedojë me Zelenskin për hapa të mundshme për lehtësimin e negociatava. Ai, gjithashtu do ta informojë liderin ukrainas për planet për një pako të re sanksionesh të BE-së kundër Rusisë, me qëllim rritjen e presionit ndaj Moskës për një dialog serioz.
Po ashtu, është parashikuar që Zelenski të takohet edhe me presidentin gjerman Frank-Ualter Shtajnmaer.
Merci dje njoftoi se Berlini ka hequr kufizimet ndaj Ukrainës për përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi.
"Britania e Madhe, Franca, SHBA-ja dhe tani edhe Gjermania, kanë hequr kufizimet për rrezen e armëve të tyre të dërguara në Ukrainë, që do të thotë se tani Kievi mund të sulmojë pozicione në territorin rus me armë me rreze të gjata", theksoi Merc.
Ai shtoi se "Ukraina tani mund të mbrohet, për shembull, duke sulmuar pozicione ushtarake në Rusi".
Ukraina më parë ka marrë raketa me rreze të gjatë nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca, mes të cilëve edhe ATACMS, "Stor shedou" (Storm Shadov) dhe SCALP, por fillimisht iu lejohej t’i përdorte vetëm kundër forcave ushtarake ruse në territoret e okupuar ukrainase.
Vetëm në fund të vitit 2024, administrata e presidentit amerikan Xho Bajden dhe aleatët e tjerë lehtësuan kufizimet, duke i mundësuar Ukrainës përdorimin e raketave me rreze të gjatë kundër objektivave ushtarake ruse në zonat kufitare.
Merci, para se të bëhej kancelar, paralajmëroi se do të heqë ndalimin e paraprakut të tij Olaf Sholc për dërgimin e raketave gjermane "Taurus" me rreze veprimi prej 500 kilometrash. Megjithatë, pasi mori funksionin, ai nuk ka konfirmuar nëse do t’i dërgohen Ukrainës raketat "Taurus". qa/
Foto: EPA