• Thursday, 26 March 2026

Vendet e Gjirit me porosi drejt KB-së: Irani përbën kërcënim ekzistencial për sigurinë ndërkombëtare dhe rajonale

Vendet e Gjirit me porosi drejt KB-së: Irani përbën kërcënim ekzistencial për sigurinë ndërkombëtare dhe rajonale

Gjenevë, 25 mars 2026 (MIA) - Shtetet e Gjirit Persik sot iu drejtuan me porosi Këshillit të KB-së për të drejtat e njeriut se Irani përbën kërcënim ekzistencial, duke dënuar sulmet iraniane ndaj infrastrukturës së tyre për të cilat komisari i lartë i KB-së për të drejtat e njeriut tha se mund të përbëjnë krime lufte, bënë të ditur mediat britanike.

Lufta gati njëmujore midis SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit ka shkaktuar hakmarrje të madhe iraniane në formën e sulmeve me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës energjetike dhe civile në shtetet e Gjirit ku jetën e kanë humbur civilë dhe duke rritur kësisoj çmimet e naftës.

"Jemi dëshmitarë të kërcënimit ekzistencial për sigurinë ndërkombëtare dhe rajonale. Kjo qasje agresive minon të drejtën dhe sovranitetin ndërkombëtar", deklaroi ambasadori i Kuvajtit, Naser Abdullah H.M. Alhajen para Këshillit me seli në Gjenevë.

Edhe shtetet e tjera të Gjirit kanë dënuar veprimet e Iranit, të cilat sipas tyre kanë për qëllim përhapjen e terrorit, bënë të ditur mediat britanike.

Vendet në Këshillin e të drejtave të njeriut me 47 anëtarë do të votojnë për një rezolutë që dënon sulmet iraniane, duke kërkuar dëmshpërblime nga Irani dhe duke i bërë thirrje komisarit të lartë të KB-së për të drejtat e njeriut të ndjekë situatën.

Irani i ka mbrojtur veprimet e tij, duke thënë se deri më tani janë vrarë më shumë se 1.500 civilë në sulmet amerikano-izraelite.

“Po luftojmë në emër të të gjithëve ju kundër një armiku që nëse nuk ndalet sot, do të jetë jashtë kontrollit nesër”, tha ambasadori i Iranit në KB në Gjenevë, Ali Bahreini, duke iu referuar Izraelit.

Irani ka kërkuar gjithashtu takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të KB-së për sulmin vdekjeprurës në shkollën fillore i cili do të mbahet të premten.

Foto: arkivi i MIA-s