• Tuesday, 01 October 2024

Ulutash: KFOR-i është i gatshëm të parandalojë çdo përshkallëzim dhe të përballet me çdo sfidë të sigurisë

Ulutash: KFOR-i është i gatshëm të parandalojë çdo përshkallëzim dhe të përballet me çdo sfidë të sigurisë

Prishtinë, 1 tetor 2024 (MIA) - Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, Ozkan Ulutash thotë se KFOR-i ka resurse të mira dhe është i pozicionuar mirë për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe për t'iu përgjigjur çdo sfide të sigurisë, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve KosovaPres, Ulutash vlerëson se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë, por e brishtë, duke shtuar se KFOR-i vazhdon me kujdesin e saj. 

"Në përgjithësi, situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë. KFOR-i po e ndjek situatën. Ajo është e pozicionuar mirë për t'iu përgjigjur çdo zhvillimi të mëtutjeshëm relevant, në përputhje me mandatin e gjatë të KB-së për të kontribuar në një mjedis paqësor dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe bashkësitë të cilët jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme", nënvizon Ulutash.

Gjenerali turk shton se misioni i Aleancës Veriatlantike është në pozicionin e duhur për t'iu përgjigjur çdo skenari të sigurisë.

"Ne jemi të pozicionuar mirë për t'iu përgjigjur çdo skenari të sigurisë dhe të vazhdojmë të zbatojmë në mënyrë efektive mandatin tonë të KB-së. Ne i ndjekim vazhdimisht të gjitha zhvillimet relevante që mund të ndikojnë në sigurinë e mbarë Kosovës dhe rajonit... KFOR-i është i pajisur mirë dhe i pozicionuar mirë për të parandaluar përshkallëzimin dhe për t'iu përgjigjur çdo skenari të sigurisë, në përputhje me mandatin tonë të KB-së", tha Ulutash.

Në përvjetorin nga sulmit terrorist në Banjskë afër Zveçanit në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një pjesëtar i policisë së Kosovës, komandanti i KFOR-it thotë se presin që autorët të mbajnë përgjegjësi.

"I dënuam sulmet e dhunshme të papranueshme në Banjskë dhe do të vazhdojmë të insistojmë që autorët të mbajnë përgjegjësi dhe të sillen para drejtësisë", deklaroi Ulutash të cilit këtë muaj i përfundon mandati në krye të KFOR-it. rq/

Foto: arkivi i MIA-s