• Thursday, 14 November 2024

Turqia ofrohet të jetë nikoqire e KOP31

Turqia ofrohet të jetë nikoqire e KOP31

Ankara, 13 nëntor 2024 (MIA) – Turqia propozon që të jetë nikoqire e Konferencës së KB-së për ndryshimet klimatike në vitin 2026, deklaroi ministri turk për klimën, Murat Kurum në Samitin e sivjetmë të klimës në Azerbajxhan.

"Si kryesuese, Turqia do të krijojë një urë lidhëse midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim", ka thënë Kurum pa precizuar se cili qytet turk do të presë Konferencën në vitin 2026.

Çdo vit KOP mbahet në një rajon të ndryshëm të botës. Në vitin 2025, nikoqir i KOP30 do të jetë Belem në Brazil, në emër të rajonit të Amerikës së Jugut dhe Karaibeve. Turqia është pjesë e grupit të Evropës Perëndimore dhe të tjerëve.

Turqia tashmë po përballet me ndryshimet klimatike, liqenet e mëdha turke, duke përfshirë Liqenin Van në lindje dhe Liqenin Tuz në Anadollin qendror të cilat po thahen.

Në tetor 2021, Turqia u bë vendi i fundit i OECD dhe G20 që nënshkruan Marrëveshjen e Parisit për të kufizuar efektet e ndryshimeve klimatike.

Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2023, 36.2 për qind e energjisë elektrike në Turqi prodhohej nga qymyri dhe 21 për qind nga gazi natyror. Hidroenergjia ka marrë pjesë në 19.3 për qind, era me 10 për qind dhe energjia diellore me shtatë për qind. Qeveria ka për qëllim që energjia diellore të ketë ndërhyrje prej 50 për qind në prodhimin e energjisë elektrike deri në vitin 2035.

foto: arkivi i MIA-s