• Monday, 02 June 2025
English
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Trampi shpall tarifë reciproke doganore për pothuajse të gjithë botën,  33 për qind për eksportin nga Maqedonia

Trampi shpall tarifë reciproke doganore për pothuajse të gjithë botën,  33 për qind për eksportin nga Maqedonia

Uashington, 3 prill 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp dhe Shtëpia e Bardhë kanë shpallur tarifa reciproke doganore amerikane që do të ndjehen nga më shumë se 180 vende dhe territore sipas politikës së tij të re gjithëpërfshirëse tregtare.

Në grafikët e postuar në mediat sociale, Shtëpia e Bardhë paraqet normat efektive të tarifave doganore që ata pretendojnë se vendet e tjera i imponojnë ndaj produkteve amerikane, duke përfshirë edhe ato përmes "manipulimit me valutat dhe barrierat tregtare."

Në kolonë ngjitur janë paraqitur tarifat e reja doganore që Shtetet e Bashkuara do t'i vendosin për secilin vend ose territor, duke përfshirë Bashkimin Evropian. Normat reciproke nuk janë domosdoshmërisht tarifat e vetme doganore të SHBA-së me të cilat do të përballen këto vende.

Nga informacionet në tabelë shihet se sipas përllogaritjeve të administratës Tramp, Maqedonia e Veriut ka 65 për qind tarifa doganore për SHBA-në, ndërsa tani vendosen tarifat doganore prej 33 për qind për eksportin e Maqedoninisë së Veriut në SHBA.

Tramp tregoi grafikun kur paraqiti politikën e tij doganore nga kopshti i trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë. Përveç tarifave gjithëpërfshirëse nga vendi në vend të publikuara sot, Trampi vendosi tarifë doganore bazë prej 10 për qind, që në mënyrë efektive do të thotë tarifë doganore për çdo vend që nuk është në mesin e 180 vendeve të përmendura.

"Të gjitha produktet e importuara në territorin doganor të Shteteve të Bashkuara, në përputhje me ligjin, do t'i nënshtrohen një norme shtesë ad valorem prej 10 për qind”,përveç nëse nuk përmendet ndryshe, thuhet në urdhrin ekzekutiv të nënshkruar sot.

Trampi gjithashtu rezervon të drejtën për të rritur këtë normë bazë "nëse kapaciteti prodhues dhe prodhimi i SHBA-së vazhdojnë të përkeqësohen".

Produktet farmaceutike janë ndër mallrat që nuk do t'i nënshtrohen tarifave reciproke doganore të shpallura sot, sipas buletinit të Shtëpisë së Bardhë. Por Trampi nuk ka përjashtuar planet e tij për të vendosur së shpejti tarifa specifike doganore farmaceutike.

Mallra të tjera që nuk i nënshtrohen tarifave reciproke doganore përfshijnë bakrin, gjysmëpërçuesit, lëndën drusore, arin në shufra, energjinë dhe minerale të caktuara që nuk janë të disponueshme në Shtetet e Bashkuara", thuhet në buletinin. Këto përfshijnë produkte që tashmë i nënshtrohen tarifave doganore të njoftuara së fundmi nga Trampi, duke përfshirë çelikun, aluminin, automobilat dhe pjesët e automobilave.

Trampi po vendos gjithashtu normë totale të tarifës doganore prej 54 për qind për importet nga Kina, me vlefshmëri nga 9 prilli", deklaroi përfaqësuesi zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Importet kineze tashmë i janë nënshtruar tarifave doganore prej 20 për qind. Kësaj i shtohen edhe 34 për qind të tarifave reciproke doganore", deklaroi përfaqësuesi zyrtar.

Administrata e Trampit njoftoi dje se Kanadaja dhe Meksika do të përjashtohen nga norma bazë e tarifave doganore prej 10 për qind tani për tani, si dhe nga detyrimet reciproke për vende të caktuara. Tarifa doganore prej 10 përqind do të hyjë në fuqi vetëm kur tarifat origjinale doganore prej 25 përqind që Trampi vendosi për importet kanadeze dhe meksikane të hiqen ose të pezullohen. Tarifa prej 25% u bazua në pretendimet se vendet fqinje nuk po arrinin të parandalojnë kalimin e drogës dhe krimit në Shtetet e Bashkuara.

Ndryshe, Trampi përfundoi fjalimin 50 minutësh duke nënshkruar një urdhër ekzekutiv që impononte planin e tij gjithëpërfshirës për tarifat reciproke doganore.

Në fillim të fjalimit të tij, ai paralajmëroi se po vinte "epokë e artë për Amerikën".

"Kjo do të jetë një ditë që shpresoj se në vitet që vijnë do të shikoni prapa dhe do të thoni: “E dini, ai kishte të drejtë. Me të vërtetë doli të ishte një nga ditët më të rëndësishme në historinë e vendit tonë", tha Trampi.

"Reciproke. Kjo do të thotë se atë që ata na e bëjnë , ne do t'u bëjmë të njëjtën gjë atyre. Shumë e thjeshtë. Nuk mund të ishte më e thjeshtë se kaq", tha Trampi në fillim të fjalimit për tarifat e reja, duke e quajtur atë  "deklaratën e pavarësisë ekonomike të Amerikës".

Trampi tha se "vendet e punës dhe fabrikat do të kthehen në aktivitet të plotë" dhe se tarifat reciproke do të çonin në "epokë të artë" për vendin.

"Do të forcojmë bazën tonë të brendshme industriale, do të hapim tregjet e huaja dhe do të thyejmë barrierat e tregtisë së jashtme dhe përfundimisht më shumë prodhim në vend do të thotë konkurrencë më e fortë dhe çmime më të ulta për konsumatorët", tha ai.

Trampi po premton atë që ai e quan "Epoka e Artë" e Amerikës, të cilën ai beson se do të sjellë më shumë vende pune dhe prodhim vendor, duke filluar një epokë të re të mirëqenies së brendshme.

Megjithatë, më vonë në fjalim ai sqaroi se tarifat reciproke doganore nuk janë saktësisht reciproke. "Ne do t'u ngarkojmë atyre afërsisht gjysmën e asaj që na e arkëtojnë dhe ne e arkëtojmë prej tyre," tha Trampi për planin e tij të tarifave reciproke doganore.

Pra, tarifat doganore nuk do të jenë plotësisht reciproke", tha presidenti amerikan. Por kjo shifër e përgjysmuar përfshin "normën e kombinuar të të gjitha tarifave të tyre, barrierave jo monetare dhe formave të tjera të mashtrimit," sqaroi Trampi.

Për Bashkimin Evropian, Trampi vendosi tarifa prej 20 për qind, duke argumentuar se BE vendosi tarifa prej 39 për qind. Sa i përket vendeve të rajonit, tarifat prej 10 për qind u vendosën ndaj Turqisë, reciprokisht ndaj 10 për qind të Turqisë, për Serbinë 37 për qind u vendosën ndaj detyrimeve të llogaritura serbe prej 74 për qind, për Kosovën 10 për qind (reciproke 10 për qind), Malin e Zi 10 për qind (reciproke 10 për qind), BeH 35 për qind (70 për qind tarifa për SHBA), Shqipërinë 10 për qind (reciproke 10 për qind). 

Foto: EPA