Tramp dhe Putin duan që Zelenski të largohet: A janë të mundshme zgjedhjet ndërsa lufta vazhdon?
- Udhëheqësit amerikanë dhe rusë janë të bashkuar në mosbesimin e tyre ndaj Zelenskit, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2019 si një komedian i ri pa përvojë politike.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 10:59, 10 April, 2025

10 prill 2025
Al Xhezira
Udhëheqësit amerikanë dhe rusë janë të bashkuar në mosbesimin e tyre ndaj Zelenskit, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2019 si një komedian i ri pa përvojë politike.
Kur bëhet fjalë për Ukrainën, Donald Trump dhe Vladimir Putin bien dakord se nuk e pëlqejnë fare Volodimir Zelenskin. Si udhëheqësit amerikanë, ashtu edhe ata rusë duan që homologu i tyre ukrainas të largohet nga pushteti.
“Situata është se nuk patëm zgjedhje në Ukrainë, atje është një gjendje ushtarake dhe udhëheqësi i Ukrainës, nuk dua ta them, vlerësimi i tij ka rënë në katër për qind”, tha Tramp më 19 shkurt.
Pesë ditë më vonë, Putin mbështeti pretendimin e Trampit.
“Në fakt, nuk ka rëndësi se sa përqind ka (Zelenski), katër apo sado që të jetë. Ajo që ka rëndësi është se vlerësimi i tij, sipas të dhënave tona, është saktësisht dy herë më i ulët se ai i rivalit të tij të mundshëm politik”, tha Putini, duke iu referuar Valeri Zalluzhnit, ish-gjeneralit suprem të Ukrainës, të cilin Zelenski e zëvendësoi vitin e kaluar.
Trampi dhe Putini gabuan kur bëhej fjalë për rejtingun e Zelenskit.
Përplasjet diplomatike të Zelenskit me Trampin kanë rritur popullaritetin e tij në atdheun e tij, nga 52 për qind në dhjetor në 57 për qind në shkurt, sipas sondazheve të Institutit Ndërkombëtar të Sociologjisë në Kiev. Megjithatë, 37 për qind e ukrainasve nuk i besojnë Zelenskit, tregon anketa.
Kritikët e akuzojnë Zelenskin për shtypjen e lirisë së fjalës, dështimin për të frenuar korrupsionin në partinë e tij “Shërbëtor i Popullit” dhe më e rëndësishmja, në ushtri. Ai u kritikua ashpër edhe për shkarkimin e Zalluzhnit në shkurt të vitit 2024.
Zalluzhni një konkurrent serioz
Putini kishte të drejtë kur e quajti Zalluzhnin, i cili aktualisht është ambasadori ukrainas në Britaninë e Madhe, të vetmen figurë publike që mund të fitojë ndaj Zelenskit në zgjedhje.
Gjenerali shtamadh dhe i heshtur ka një rejting prej 62 për qind, por ai ka thënë në disa raste se nuk do të kandidojë për president ndërsa lufta vazhdon.
"Ndërsa lufta vazhdon, të gjithë duhet të punojmë për shpëtimin e vendit dhe të mos mendojmë për zgjedhjet", tha Zalluzhni për agjencinë e lajmeve RBC-Ukrainë.
Megjithatë, Zalluzhni ndjek me mjeshtëri taktikat e marrëdhënieve me publikun që Zelenski i provoi dhe i testoi para fitores së tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019. Ai i lë votuesit potencialë të
hamendësojnë rreth platformës së tij politike, sepse rrallë jep intervista dhe përdor mediat sociale në mënyrë minimale.
Zallozhni e sulmoi Trampin vetëm një herë - duke akuzuar administratën e tij për "shkatërrimin e rendit botëror" dhe "mosbesimin në unitetin e botës perëndimore" gjatë një fjalimi të shkurtër në Çatam Haus në Londër më 6 mars, pas thirrjes së parë të presidentit amerikan për zgjedhje të parakohshme.
Mesazhi bazë ishte i qartë - pavarësisht fitores së tij të sigurt, Zaluzhni tani nuk po e sfidon më Zelenskin tani.
Ekipi i Trampit ka edhe kandidatët e "tij"
Ndërkohë, ekipi i Trampit thuhet se ka kontaktuar rivalët civilë të Zelenskit, edhe pse popullariteti i tyre është minimal.
Në fillim të marsit, ndihmësit e Trampit thuhet se folën me Julia Timoshenkon, një politikane me përvojë dhe dy herë kryeministre, e njohur dikur për gërshetin e saj karakteristik.
Timoshenko kryesonte në sondazhe para zgjedhjeve të vitit 2019 derisa Zelenski, një komedian pa përvojë politike, njoftoi kandidaturën e tij.
Megjithatë, këto ditë vetëm 10.6 për qind e ukrainasve i besojnë Timoshenkos, e cila kryeson partinë Batkivshçina (Atdheu), sipas një sondazhi më 25 mars, zhvilluar nga Qendra Razumkov.
Paraardhësi dhe armiku i betuar i Zelenskit, Petro Poroshenko, është pak më popullor se ai.
Sipas sondazhit, 17 për qind e ukrainasve i besojnë Poroshenkos, ukrainasit më të pasur që u bë president pasi fitoi zgjedhjet e vitit 2014, i cili premtoi të luftojë korrupsionin dhe të bashkojë të gjithë ukrainasit me prejardhje të ndryshme gjuhësore dhe etnike.
Megjithatë, si president, Poroshenko u përball me skandale korrupsioni dhe pësoi disfatë nga Zelenski, duke fituar vetëm 24 për qind të votave në zgjedhjet e vitit 2019.
Poroshenko konfirmoi se këshilltarët e Trampit e kishin kontaktuar atë, por hodhi poshtë pretendimet se takimi kishte të bënte me zgjedhjet e parakohshme.
“Zgjedhjet janë të mundshme vetëm pas një armëpushimi dhe nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje me garanci sigurie për Ukrainën”, shkroi ai në Fejsbuk.
Nga ana logjistike e pamundur
Kushtetuta dhe ligjet zgjedhore të Ukrainës ndalojnë mbajtjen e zgjedhjeve gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe mbajtja e tyre gjatë kohës së luftës është nga ana logjistike e pamundur.
Ukraina do të duhej të çmobilizonte rreth 700,000 luftëtarë për të qenë në gjendje të votonin, dhe secili prej tyre do të ishte në gjendje të regjistrohej si kandidat dhe të bënte fushatë.
Kjo është e vështirë të bëhet, pasi forcat ruse vazhdojnë të përparojnë përgjatë një vije fronti prej 1,200 kilometrash, megjithëse marrja e kontrollit të territoreve në mars ishte minimale. Ata morën kontrollin e 133 kilometrave katrorë, kryesisht në Donbas, një rënie dramatike nga nëntori, kur kishin në kontroll 730 kilometra katrorë, sipas “Khortitsya”, një kanal analitik në Telegram.
Megjithatë, Putini qartësisht po i mbështet shpresat e tij në një përparim nga forcat e tij, ndërsa vendos kushte të reja për armëpushimin 30-ditor të propozuar nga Trampi.
Bombardimi pothuajse i përditshëm rus i qyteteve ukrainase përbën gjithashtu një kërcënim të madh për sigurinë, pasi turmat janë të pashmangshme gjatë votimit. Qendrat e votimit tradicionalisht vendosen në shkolla ose ndërtesa administrative, por gjatë luftës mijëra prej tyre u shkatërruan.
Për më tepër, Kievi nuk mund të garantojë sigurinë e vëzhguesve ndërkombëtarë që kanë marrë pjesë në të gjitha zgjedhjet në Ukrainën post-sovjetike.
Votim për heqjen e gjendjes së luftës
Nëse nënshkruhet një armëpushim, zgjedhjet presidenciale mund të mbahen 90 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme.
Megjithatë, për të siguruar një numërim të saktë të votuesve, Kievi do të duhet të kryejë një regjistrim të popullsisë për të pasur të dhëna mbi numrin real të votuesve.
Në fillim të pushtimit rus, në Ukrainë jetonin 34.7 milionë banorë. Ndërkohë, gati 6.9 milionë ukrainas ikën jashtë vendit, 3.7 milionë u zhvendosën brenda vendit dhe pesë milionë mbetën në zonat nën pushtimin rus.
Përveç kësaj, sipas Kombeve të Bashkuara, 1.3 milionë ukrainas jetojnë në Rusi dhe në aleatin e saj më të ngushtë, Bjellorusi.
Sipas autoriteteve ukrainase, ata përballen me burgim, torturë dhe humbje të pronës për çdo përpjekje për të votuar.
Fletët e votimit që do të përdoreshin nga refugjatët në Evropë dhe vende të tjera do të mbingarkonin ambasadat dhe konsullatat ukrainase.
Më shumë se 20 milionë ukrainas përdorin aplikacionin “Diia” për të aksesuar shumicën e shërbimeve qeveritare, madje edhe për të shitur makina. Megjithatë, kur ata përdorën këtë aplikacion për të votuar për kandidatin ukrainas të Eurovision në shkurt, pati probleme teknike.
Revista britanike “Ekonomist” raportoi se Kievi po përgatitet të mbajë zgjedhje dhe se Zelenski shpreson të fitojë. Ata citojnë burime anonime qeveritare në raportimet e tyre. Një ditë më vonë, kreu i partisë në pushtet ”Shërbëtori i Popullit”, e mohoi këtë pretendim.
"Të gjitha partitë dhe fraksionet parlamentare kanë rënë dakord që zgjedhjet duhet të mbahen gjashtë muaj pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme", tha David Arahamia në televizion.