Reagime për shkak të sulmit masiv rus ndaj Kievit
- Presidenti i Francës, Emanuel Makron e dënoi sulmin e sotëm rus ndaj kryeqytetit të Ukrainës, duke theksuar se presidenti ukrainas, Vollodimir Zelenski nuk mund të pajtohet me armëpushim derisa Rusia vazhdon me sulmet.
- Post By Besnik Shuki
- 16:20, 24 April, 2025

Kiev, 24 prill 2025 (MIA) - Presidenti i Francës, Emanuel Makron e dënoi sulmin e sotëm rus ndaj kryeqytetit të Ukrainës, duke theksuar se presidenti ukrainas, Vollodimir Zelenski nuk mund të pajtohet me armëpushim derisa Rusia vazhdon me sulmet.
Kryeministri britanik, Kir Starmer deklaroi se sulmet ruse ndaj Kievit "janë përkujtues i vërtetë se këtu Rusia është agresori”.
“Sulmet tregojnë se sa me rëndësi është të detyrohet Rusia për armëpushim pa kushte”, tha Starmer.
Ndërkaq, kryeministrja daneze, Mete Frederiksen tha se sulmet ruse ndaj Kievit tregojnë qartë se Rusia nuk dëshiron paqe.
"Rusia ka sulmuar sërish brutalisht Kievin. Porosi e qartë nga Kremlini: Rusia nuk ka interes të vërtetë për paqen. Paqja nuk mund të negociohet nën zjarr. Danimarka qëndron me Ukrainën kundër këtij barbarizmi", tha Frederiksen.
Paraprakisht edhe presidenti amerikan, Donald Tramp bëri thirrje për ndërprerjen e sulmeve ruse.
“Nuk jam i kënaqur me sulmet ruse ndaj Kievit. Janë të panevojshme dhe janë në një moment shumë të keq. Vladimir, NDALU! Në javë vdesin nga 5.000 ushtarë. Ta përfundojmë marrëveshjen paqësore!”, shkroi Trampi në rrjetin e tij social.
Për shkak të sulmit rus ndaj Kievit, presidenti ukrainas, Vollodomir Zelenski e ndërpreu vizitën në Afrikën e Jugut. Sipas tij sulmi i sotëm ajror është “padyshim një nga më të vështirët deri tani”. bsh/
Foto: Iks