• Saturday, 29 June 2024

Radev nuk do të udhëheq delegacionin bullgar në Samitin e NATO-s

Radev nuk do të udhëheq delegacionin bullgar në Samitin e NATO-s

Sofje, 27 qershor 2024 (MIA) -Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev nuk e ka pranuar propozimin e Këshillit të ministrave për të udhëhequr delegacionin bullgar në Samitin e NATO-s në Uashington i cili do të mbahet nga 9 deri më 11 korrik.

Siç raporton BTA, vendimi i Radevit është për shkak se ai “nuk pranon disa dispozita të qëndrimeve kornizë të miratuar nga Këshilli i ministrave, të cilat i referohen detyrimeve që vendi ynë ka marrë në lidhje me luftën në Ukrainë”.

Këshilli i ministrave dje miratoi qëndrimet kornizë të Bullgarisë për samitin e NATO-s. Me të njëjtin vendim sugjerohet që presidenti Radev të udhëheq delegacionin bullgar dhe të prezantojë pozicionet e pranuara të kornizës. Pas refuzimit të Radevit, delegacioni bullgar do të udhëhiqet nga kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Dimitar Gllavçev.

Radev është ish gjeneral dhe pilot luftarak. Ai që në ditën e parë dënoi agresionin rus kundër Ukrainës, por vazhdimisht kritikoi mbështetjen ushtarake të qeverisë bullgare për Kievin. qa/

Foto: arkivi i MIA-s