Polakët votojnë në zgjedhje presidenciale të pasigurta
- Polakët filluan të votojnë herët këtë mëngjes në zgjedhjet presidenciale shumë të pasigurta që do të ndikojnë shumë në rolin e vendit në Evropë dhe në të drejtën për abort dhe të drejtat e personave LGBTK, njoftoi N1.
- Post By Lindita Sulejmani
- 11:04, 1 June, 2025
Varshavë, 1 qershor 2025 (MIA) - Polakët filluan të votojnë herët këtë mëngjes në zgjedhjet presidenciale shumë të pasigurta që do të ndikojnë shumë në rolin e vendit në Evropë dhe në të drejtën për abort dhe të drejtat e personave LGBTK, njoftoi N1.
Kryetari pro-evropian i Varshavës, Rafal Trzaskovski (53), një aleat i qeverisë centriste, përballet me historianin nacionalist Karol Navrocki (42).
Anketat parashikojnë një garë jashtëzakonisht të ngushtë midis Navroskit me 50,1 për qind dhe Trzaskovskit me 49,9 për qind, që është një ndryshim i vogël brenda kufirit të gabimit.
Qendrat e votimit do të hapen midis orës 7 të mëngjesit dhe 9 të mbrëmjes në shtetin anëtar të BE-së dhe NATO-s, i cili kufizohet me Ukrainën dhe është një mbështetës kyç i fqinjit të tij kundër Rusisë.
Pritet anketë sapo të përfundojë votimi dhe zyrtarët zgjedhorë presin që rezultati përfundimtar të dihet të hënën.
Fitorja e Trzaskovskit do të ishte një nxitje e madhe për agjendën progresive të qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Donald Tusk, ish kryetar i Këshillit Evropian.
Kjo mund të nënkuptojë ndryshime të rëndësishme shoqërore, siç është futja e partneriteteve civile për çiftet e të njëjtës gjini dhe lehtësimin e ndalimit pothuajse të plotë të abortit.
Presidenti në Poloni, një ekonomi me rritje të shpejtë prej 38 milionë banorësh, ka fuqinë për të vënë veton ndaj ligjeve dhe është gjithashtu komandanti suprem i forcave të armatosura.

Një fitore për Navrockit do ta fuqizonte partinë populiste "Ligj dhe Drejtësi" , e cila sundoi Poloninë midis viteve 2015 dhe 2023, dhe mund të çojë në zgjedhje të reja parlamentare.
Shumë nga mbështetësit e Navrockit duan kufizime më të rrepta mbi imigracionin dhe angazhohen për vlera konservatore dhe sovranitet më të madh për vendin brenda Bashkimit Evropian.
Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve pritet të varet nëse Trzaskovski mund të mobilizojë mjaftueshëm mbështetës dhe nëse votuesit e ekstremit të djathtë do të votojnë për Navrockin.
Kandidatët e ekstremit të djathtë morën më shumë se 21 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve, në të cilin Trzaskovski fitoi me një diferencë të ngushtë prej 31 për qind kundrejt 30 për qind të Navrockit. ls/
Foto: EPA