Një i vrarë, disa të lënduar gjatë sulmit rus në Ukrainë
- Të paktën një person është vrarë, ndërsa disa janë plagosur në sulmet e fundit ruse gjatë natës në Ukrainë, kumtuan sot autoritetet lokale.
- Post By Fami Bajrami
- 10:07, 29 May, 2025
Kiev, 29 maj 2025 (MIA) - Të paktën një person është vrarë, ndërsa disa janë plagosur në sulmet e fundit ruse gjatë natës në Ukrainë, kumtuan sot autoritetet lokale.
Ndërkohë, gjoja janë shkaktuar dëme nga sulmet ukrainase ndaj Moskës, transmeton DPA.
Një civil u vra, ndërsa një grua u lëndua në qytetin Bilopilia në rajonin verilindor Sumi të Ukrainës, në afërsi të kufirit rus, kumtoi administrata rajonale.
"Ndërtesat e banimit janë shkatërruar", kumtuan autoritetet në Telegram, duke raportuar edhe dëme në bashkësi tjera, duke përfshirë dhe infrastrukturën.
Tre civilë të tjerë u lënduan në sulmet me dronë ndaj rajonit industrial ukrainas të Dnjepropetrovskit, informuan autoritetet.
Janë shkatërruar ndërtesa banimi, ndërsa janë dëmtuar gjithsej 30 panele diellore të cilat janë përdorur për furnizimin me energji, kumtoi guvernatori Serhij Lisak.
Nga ana tjetër e kufirit, 48 dronë luftarakë ukrainas u rrëzuan, duke përfshirë dhe tre mbi Moskë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë. Trafiku në aeroportin Vnukovo të Moskës, në periferi jugperëndimore të qytetit, duhej të ndërpritet përkohësisht gjatë sulmit.
Sipas kryetarit të Moskës, Sergej Sobjanin, mbetjet nga një dron goditën një ndërtesë banimi në bulevardin Vernadski në pjesën jugore të kryeqytetit.
Në periferi të Moskës, Odincovo, një automjet u dëmtua nga mbetjet e dronit. Sipas raporteve, në asnjërin rast nuk ka pasur të lënduar. rq/
Foto: Shtatmadhoria e armatës ukrainase