Në Bruksel takime konstituive të delegacioneve të PE-së për Shqipërinë dhe Malin e Zi
- Në Bruksel janë mbajtur takimet konstituive të delegacioneve të Parlamentit Evropian (PE) për Shqipërinë dhe Malin e Zi, në të cilat janë zgjedhur kryetarët dhe nënkryetarët e këtyre delegacioneve, raportojnë mediat shqiptare.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 16:31, 1 October, 2024
Tiranë, 1 tetor 2024 (MIA) - Në Bruksel janë mbajtur takimet konstituive të delegacioneve të Parlamentit Evropian (PE) për Shqipërinë dhe Malin e Zi, në të cilat janë zgjedhur kryetarët dhe nënkryetarët e këtyre delegacioneve, raportojnë mediat shqiptare.
Në mbledhjen konstituive të delegacionit të Komitetit Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim të BE-Shqipëri, italiani Marko Tarkino nga grupi i socialistëve dhe demokratëve në PE me aklamacion u zgjodh kryetar i delegacionit të PE-së për marrëdhëniet me Shqipërinë. Nënkryetarë të këtij delegacioni të PE-së u zgjodhën holandezja Tineke Shtrik nga grupi i të Gjelbërve në PE dhe francezi Lorenc Troshu nga konservatorët dhe reformistët evropianë.
Tomas Uajc nga Austria, anëtar i grupit të Gjelbërve në PE, është zgjedhur kryetar i delegacionit të PE në Komitetin Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim me BE-në dhe Malin e Zi. Ai me aklamacion u zgjodh si i vetmi kandidat për atë funksion, ndërsa zgjedhja për nënkryetar të këtij delegacioni të PE-së u shty.
Mbledhja konstituive e delegacionit të PE-së në Komitetin Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim të BE-Serbi do të mbahet më 3 tetor si dhe takimi konstituiv i delegacionit të PE-së për Maqedoninë e Veriut.
Delegacionet ndërparlamentare të PE-së mbajnë marrëdhënie dhe shkëmbejnë informacione me deputetë të vendeve, rajoneve dhe organizatave të tjera për të nxitur vlerat themelore të BE-së - lirinë, demokracinë, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe sundimin e ligjit.