• Sunday, 22 December 2024

Miratohet projektligji për Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030"

Miratohet projektligji për Lojërat Mesdhetare

Prishtinë, 27 nëntor 2024 (MIA) - Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Lojërat Mesdhetare, të cilat do të organizohen në Kosovë në vitin 2030. Ky projektligj parasheh që Lojërat Mesdhetare të shpallen si çështje me rëndësi të veçantë për shtetin e Kosovës, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani tha se ky projektligj vjen si "rezultat i një analize të thellë ligjore vendore dhe ndërkombëtare dhe se përmes tij themelohet edhe Komiteti Organizativ i këtyre lojërave".

"Hartimi i këtij projektligji është rezultat i një procesi të thellë të analizës duke përfshirë shqyrtimin e kornizës ligjore vendore dhe praktikave ndërkombëtare të organizimit të ngjarjeve multisportive të ngjashme", tha Osmani.

Ky ligj themelon Komitetin Organizativ të Lojërave Mesdhetare 2030, një strukturë ë pavarur me statusin e fondacionit të Organizatës joqeveriatre përgjegjëse për udhëheqjen e këtij aktiviteti.

Kryesues i këtij komiteti do të jetë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili tha se përmes organizimit të kësaj ngjarjeje, Kosova do të ketë infrastrukturë moderne sportive por edhe do të promovohet në arenën ndërkombëtare.

"Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030" janë ngjarja më e madhe sportive në vend dhe rajon dhe përmes investimeve do të kontribuojë drejtpërdrejtë në përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës sportive kurse përmes mikpritjes do të kontribuojë në përfaqësimin dhe promovimin ndërkombëtar të republikës sonë", theksoi Kurti.

Të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare, Kosova e fitoi në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare të zhvilluar në Greqi, në shtatorin e vitit të kaluar. sa/