Milanoviq: Polonia dhe Kroacia nuk do të dërgojnë ushtarë në Ukrainë
- Polonia dhe Kroacia nuk do të dërgojnë ushtarë në asnjë mision në Ukrainë, deklaroi sot në Zagreb presidenti kroat Zoran Milanoviq pas takimit me presidentin polak Andzhej Duda.
- Post By Melahat Baftija
- 18:38, 15 April, 2025

Zagreb, 15 prill 2025 (MIA) - Polonia dhe Kroacia nuk do të dërgojnë ushtarë në asnjë mision në Ukrainë, deklaroi sot në Zagreb presidenti kroat Zoran Milanoviq pas takimit me presidentin polak Andzhej Duda.
"Polonia tha se nuk do të dërgojë ushtarë në asnjë mision hipotetik në Ukrainë që mund të shndërrohej shumë lehtë dhe shumë shpejt në një mision luftarak. Polonia padyshim nuk dëshiron të marrë pjesë në këtë, as Kroacia. Është një temë që mund të diskutohet gjithmonë, unë nuk jam pro trajtimit të disa temave si tema tabu, por besoj se kjo nuk është rruga e duhur", tha Milanoviq.
Ai e priti presidentin polak Andzhej Duda, i cili sot ndodhet për një vizitë zyrtare në Kroaci me ftesë të presidentit kroat.
"Ne jemi besnikë ndaj aleatëve tanë në NATO, kjo është një lidhje angazhimi dhe besnikërie në një farë mënyre përmes përkatësisë sonë të përbashkët me Aleancën Atlantike të Veriut dhe Traktatin e Atlantikut të Veriut. Dhe çdo gjë përtej kësaj është një botë e ftohtë dhe e panjohur, veçanërisht nga perspektiva e një vendi si Kroacia, të cilën e vëzhgojmë dhe në të cilën nuk mund të ndërhyjmë shumë", shtoi Milanoviq.
Presidenti polak Andzhej Duda i bëri thirrje Kroacisë të rrisë numrin e ushtarëve në misionin e NATO-s në Poloni dhe i falënderoi ushtarët e saj për pjesëmarrjen në atë mision", raportoi Radiotelevizioni kroat.
Ai tha gjithashtu se Polonia dëshiron që lufta në Ukrainë të përfundojë me një "paqe të drejtë dhe të qëndrueshme" dhe e konsideroi të rëndësishme forcimin e aftësive mbrojtëse evropiane dhe prodhimin e armëve. mb/
Foto: Milanoviq në rrjetet sociale