Lange: "Dita e çlirimit" e Trampit për qytetarin e thjeshtë është "Dita e inflacionit"
- – Masat e pajustifikuara, të paligjshme dhe joproporcionale mund të sjellin përshkallëzim të mëtutjeshëm të doganave dhe spiralë të ulët ekonomike për SHBA-në dhe botën në tërësi, vlerësoi kryetari i Komitetit për tregti ndërkombëtare në Parlamentin Evropian, Bernd Lange në reagimin e vendimit të presidentit amerikan Donald Tramp për vendosje të “doganave reciproke” të importit të mallrave të BE-së dhe SHBA-së.
- Post By Fitore Curri
- 07:51, 3 April, 2025

Bruksel, 3 prill 2025 (MIA) – Masat e pajustifikuara, të paligjshme dhe joproporcionale mund të sjellin përshkallëzim të mëtutjeshëm të doganave dhe spiralë të ulët ekonomike për SHBA-në dhe botën në tërësi, vlerësoi kryetari i Komitetit për tregti ndërkombëtare në Parlamentin Evropian, Bernd Lange në reagimin e vendimit të presidentit amerikan Donald Tramp për vendosje të “doganave reciproke” të importit të mallrave të BE-së dhe SHBA-së.
“Presidenti Tramp mund ta quajë ditën e sotme – ‘Dita e çlirimit’, por nga pikëpamja e qytetarit të thjeshtë kjo është ‘Dita e inflacionit’”, bëri të ditur eurodeputeti gjerman Lange në një reagim me shkrim.
Sipas tij, vendimi i tillë i Trampit do t’i detyrojë konsumatorët amerikanë “ta mbajnë barrën më të rëndë në luftën tregtare”.
“Këto dogana vetëm do t’i bëjnë proceset dhe prodhimtarinë më joefikase. Ato nxitën pasiguri të dëmshme në klimën e investimeve. Bursat nuk mund të jenë më të qarta me reagimet e tyre”, theksoi Lange.
Siç informon korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, ai paralajmëroi se BE-ja do të përgjigjet në masën e tillë, përmes masave ligjore, legjitime, proporcionale dhe vendimtare.
“Si BE do të shqyrtojmë se cilat nga mjetet që kemi në dispozicion janë më të përshtatshmet për përgjigjen tonë. Nuk dorëzohemi. Ne do të mbrojmë sovranitetin tonë dhe nuk do të ndryshojmë legjislacionin që kemi formuar në mënyrë demokratike dhe në interes të qytetarëve të BE-së, edhe nëse disa miliarderë amerikanë nuk e pëlqejnë atë. Vendet të cilat janë cak i këtyre masave duhet të përgjigjen me një front të bashkuar dhe t'i dërgojnë një porosi të qartë SHBA-së për t'i dhënë fund kësaj çmendurie tarifore”, shtoi eurodeputeti.
Ai më tutje thotë se shpreson se Administrata amerikane është sinqerisht e interesuar për angazhim me BE-në, edhe pse, siç shton, nuk është i sigurt në këtë.
“Shpresoj se argumentet tona dhe fuqia e përgjigjes sonë do të sigurojnë mjaftueshëm stimulime që ta sjellin SHBA-në në tavolinën negociuese. Dera e BE-së gjithmonë do të mbetet e hapur për gjetjen e zgjidhjes”, shton Lange.
Trampi mbrëmë vonë publikoi vendosjen, siç tha, të “tarifave reciproke” në vlerë prej 20 për qind për mallrat e prodhuara në BE të cilat importohen në SHBA. Doganat e reja ishin publikuar menjëherë pas mbylljes së Bursës së Nju Jorkut, gjatë, siç e quajti Trampi, “Ditës së çlirimit”. fc/
Foto: Iks