• Thursday, 26 March 2026

Lagard: BQE nuk do të hezitojë të veprojë në parandalimin e inflacionit

Lagard: BQE nuk do të hezitojë të veprojë në parandalimin e inflacionit

Frankfurt, 25 mars 2026 (MIA) - Kryetarja e Bankës Qendrore Evropiane, Kristin Lagard, e theksoi gatishmërinë e bankës për të vepruar nëse rritja e çmimeve të energjisë e shkaktuar nga lufta me Iranin e rrit ndjeshëm inflacionin, njoftoi DPA.

Këshilli Drejtues i BQE-së është gati, nëse është e përshtatshme, "të bëjë ndryshime në politikën tonë në çdo takim", deklaroi Lagard sot në një ngjarje në Frankfurt. 

Ekzistojnë, shtoi ajo, "arsye për vigjilencë".

Shefja e BQE-së theksoi se banka nuk do të veprojë para se të ketë "informacione të mjaftueshme" për vëllimin dhe kohëzgjatjen e tronditjes. Në të njëjtën kohë, ajo tha se banka nuk do të "paralizohet nga hezitimi", transmetoi DPA.

Lagard e përshkroi angazhimin e bankës ndaj një norme afatmesme të inflacionit si "të pakushtëzuar".

Vendimi i radhës për normat e interesit nga Këshilli Drejtues i BQE-së është planifikuar për 30 prill.

Në takimin e fundit të enjten e kaluar, organi më i lartë vendimmarrës i BQE-së i la normat kryesore të interesit në eurozonë të pandryshuara për herë të gjashtë radhazi. Norma e interesit, e cila është e rëndësishme për kursimtarët dhe bankat, mbetet në dy përqind, kujtoi DPA.

Nafta dhe gazi janë bërë dukshëm më të shtrenjta që nga fillimi i luftës në Iran. Lagard tha se kjo mund të rrisë edhe çmimet e tjera në planin afatgjatë, gjë që nga ana tjetër do të çojë në kërkesa për paga më të larta.

"Mund të shqyrtohen goditje të vogla, të njëhershme dhe afatshkurtra të ofertës. Por, siç lëshimet e pritshme nga objektivi ynë i inflacionit bëhen më të mëdha dhe më të qëndrueshme, argumentet për veprim bëhen më të forta,” tha Lagard.

“Do të thotë, ne përballemi me një situatë ku, nëse goditja aktuale mbetet e kufizuar në tregjet e energjisë, ajo mund të ketë një efekt të kufizuar në inflacionin më të gjerë. Por, nëse intensifikohet ose vazhdon, përçimi mund të përshpejtohet,” shtoi ajo, sipas agjencisë gjermane.

Nëse inflacioni rritet ndjeshëm si rezultat i rritjes së çmimeve të energjisë, BQE mund ta neutralizojë këtë me norma më të larta interesi.

Normat më të larta të interesit do t’i bënin kreditë më të shtrenjta, gjë që mund të kufizojë kërkesën dhe të ulë inflacionin. Normat më të larta të inflacionit e zvogëlojnë fuqinë blerëse të njerëzve, kujton DPA. ls/

Foto: DPA