• Thursday, 09 April 2026

Irani i paralajmëron anijet se është e nevojshme të kenë leje për të kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit

Irani i paralajmëron anijet se është e nevojshme të kenë leje për të kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit

Teheran, 9 prill 2026 (MIA) - Autoritetet portuale iraniane këshilluan anijet që të mos kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit pa koordinim të mëparshëm me Korpusin e Gardës revolucionare islamike (IRGC), duke përmendur rrezikun nga minat në këtë rrugë ujore jetike pas një konflikti disa javor, njoftoi DPA, duke përcjellë sot paralajmërimin e publikuar në mediat shtetërore.

Agjencia iraniane Fars më herët raportoi se Irani ka ndalur komunikacionin detar përmes ngushticës si shenjë proteste ndaj sulmeve izraelite në Liban, duke njoftuar se vetëm dy tankerë nafte kanë kaluar përmes kësaj rruge ujor që nga fillimi i armëpushimit.

Irani dhe SHBA-ja dy ditë më parë ranë dakord për një pauzë dyjavore në luftime dhe për rihapje të përkohshme të Ngushticës së Hormuzit, për të parandaluar një valë të gjerë sulmesh, me të cilat kërcënoi presidenti amerikan Donald Tramp.

Marrëveshja u vlerësua nga politikanë nga e gjithë bota, por shqetësimi mbetet për situatën në Liban, me sulmet që po vazhdojnë nga Izraeli, raportoi DPA.

Sipas kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif, marrëveshja, e arritur me ndërmjetësimin e Pakistanit, vlen edhe për Libanin. Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se armëpushimi ka të bëjë vetëm me konfliktin midis SHBA-së dhe Iranit – jo edhe me operacionin kundër Hezbollahut, i cili është aleat i Iranit.

Irani kërcënoi se do të tërhiqet nga marrëveshja si shenjë proteste dhe do të ndalojë komunikacionin detar në ngushticë.

Rruga ujore, e cila është kyçe për tregtinë globale me naftë dhe gaz, është mbyllur kryesisht që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet e mëdha ndaj Iranit më 28 shkurt, raporton DPA. qa/

Foto: DPA