• Saturday, 26 April 2025
English
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Fon der Lajen: Evropa e bashkuar kundër masave tregtare amerikane

Fon der Lajen: Evropa e bashkuar kundër masave tregtare amerikane

Bruksel, 3 prill 2025 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, në video fjalimin e saj në disa gjuhë - anglisht, gjermanisht dhe frengjisht - i komentoi tarifat e reja të vendosura nga ana e presidentit amerikan, Donald Tramp.

Masat tregtare amerikane paraqeisn "goditje të rëndë" për ekonominë botërore, paralajmëroi ajo, duke theksuar se Bashkimi Evropian përgatit kundërmasa nëse dështojnë negociatat.

"Tanimë e finalizuam pakon e parë të kundërmasave, si përgjigje të tarifave për çelik", deklaroi Fon der Lajen në Samarkand, Uzbekistan, ku mori pjesë në Samitin për partneritet mes BE-së dhe Azisë Qendrore.

"Në mënyrë shtesë, përgatisim masa të reja për t'i mbrojtur interesat dhe kompanitë tona, nëse negociatat nuk japin rezultat", shtoi ajo.

Fon der Lajen paralajmëroi se pasojat nga tarifat amerikane do të jenë "të mëdha".

"Ekonomia globale do të pësojë dëme serioze, pasiguria do të rritet, e kjo do të shkaktojë valë të re të protekcionizmit. Pasojat do të jenë të tmerrshme për miliona njerëz në botë, posaçërisht për ekonomitë më të prekura, të cilat tani do të goditen nga tarifat më të larta amerikane", deklaroi ajo.

"Qytetarët do të përballen me çmime më të larta të ushqimit, ilaçeve dhe transportit. Inflacioni do të rritet", shtoi Fon der Lajen.

Në konferencë për shtyp, ajo theksoi se të gjitha kompanitë, pa dallim nëse janë të mëdha apo të vogla, do të preken që nga dita e parë, për shkak të prishjes së zinxhirëve të furnizimit, rritjes së pasigurisë dhe burokracisë shtesë.

“Harxhimet për punë me SHBA-në do të rriten ndjeshëm”, tha ajo.

Fon der Lajen theksoi rëndësinë e përgjigjes së përbashkët evropiane.

"Nëse sulmoni njërin prej nesh, na sulmon të gjithëve. Uniteti ynë është fuqia jonë", theksoi ajo, duke shtuar se Evropa do të qëndrojë pas të gjithë atyre që preken drejtpërdrejt nga masat.

Ajo përkujtoi se Trampi ka paralajmëruar më parë vendosjen e tarifës minimale prej 10 për qind për shumicën e produkteve të importuara në SHBA, ndërsa për Bashkimin Evropian do të jetë më e lartë - 20 për qind. Kjo përkeqëson në mënyrë shtesë luftën tregtare globale, duke e rritur rrezikun nga inflacioni dhe duke ngadalësuar rritjen ekonomike në SHBA dhe në botë. bsh/

Foto: Printskrin