Filloi bllokada detare ndaj Iranit
- – Bllokada ushtarake e gjithë qarkullimit që hyn dhe del nga portet iraniane nga ana e SHBA-së filloi sot në orën 16:00 sipas kohës së Evropës së Mesme, pasi dështuan bisedimet paqësore në Pakistan gjatë fundjavës.
- Post By Fitore Curri
- 17:39, 13 April, 2026
Uashington, 13 prill 2026 (MIA) – Bllokada ushtarake e gjithë qarkullimit që hyn dhe del nga portet iraniane nga ana e SHBA-së filloi sot në orën 16:00 sipas kohës së Evropës së Mesme, pasi dështuan bisedimet paqësore në Pakistan gjatë fundjavës.
Korparmata e gardës revolucionare islamike e Iranit u kërcënua me hakmarrje.
Presidenti amerikan Donald Tramp njoftoi se marina iraniane është “shkatërruar plotësisht” dhe shtoi se do të shkatërrojë edhe anije më të vogla nëse i afrohen bllokadës amerikane në bregun iranian.
“Marina iraniane ndodhet në fund të detit, plotësisht e shkatërruar - 158 anije. Ajo që nuk goditëm ishin anijet e tyre më të vogla që i quajmë ‘mjete sulmi të shpejtë’ sepse nuk i konsideronim si një kërcënim aq të madh”, shkroi Trampi në Truth Social. Ai paralajmëroi se të gjitha anijet iraniane që do t’i afrohen bllokadës amerikane do të shkatërroheshin.
Çmimet e naftës kanë kaluar përsëri 100 dollarë për fuçi, ndërsa tregjet e aksioneve kanë rënë, ndërsa bisedimet e dështuara dhe bllokada pritet të prishin më tej ekonominë globale. Kufizimet do të zbatohen përgjatë Gjirit Persik, Gjirit të Omanit dhe Detit Arabik në lindje të Ngushticës së Hormuzit, njoftoi Qendra e Koordinimit të Tregtisë Detare të Britanisë së Madhe (UKMTO) në një paralajmërim për anijet e saj, dhe do të mbulojnë "të gjithë bregdetin iranian, duke përfshirë portet dhe infrastrukturën energjetike". Kufizimet do të zbatohen gjithashtu për anijet që mbajnë çdo flamur që ka lidhje me "portet iraniane, terminalet e naftës ose objektet në det të hapur".
Anijeve neutrale të cilat për momentin gjenden në portet iraniane “u është dhënë afat i kufizuar që t’i lëshojnë” ato zona, shtoi UKMTO.
“Nuk ka raportime që kalimi përmes Ngushticës së Hormuzit për në ose nga destinacione jo-iraniane është penguar nga këto masa; megjithatë, anijet mund të përballen me prani ushtarake, komunikime të synuara ose procedura shqyrtimi gjatë tranzitit", thuhet në kumtesë.
Po përgatiten udhëzime shtesë për anijet në lidhje me kufizimet.
Rruga e ngushtë ujore ndërmjet Iranit dhe Omanit, Ngushtica e Hromuzit është ruta kryesore për transport të naftës nga vendet e pasura me naftë siç janë Arabia Saudite dhe Kuvajti deri në pjesën tjetër të botës.
Irani kontrollon anën veriore. Rreth 20 milionë fuçi naftë kalojnë nëpër të çdo ditë, ose rreth një e pesta e prodhimit të përditshëm botëror, sipas Administratës Amerikane për Informacione Energjetike, e cila e quan kalimin " grykë të vështirë kritike për naftën". Sipas EIA-s, "ka shumë pak mundësi alternative për transportimin e naftës jashtë ngushticës nëse ajo është e mbyllur".
Rreth një e pesta e tregtisë botërore me gaz të lëngshëm natyror zhvillohet edhe përmes Ngushticës. fc/