• Thursday, 26 March 2026

“Fajnenshëll tajms”: Rute me mbështetjen për Trampin e hidhëroi Evropën

“Fajnenshëll tajms”: Rute me mbështetjen për Trampin e hidhëroi Evropën

Londër, 25 mars 2026 (MIA) – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute ka shkaktuar zemërim në kryeqytetet evropiane me mbështetjen e tij të qartë për luftën e presidentit të SHBA-së, Donald Tramp kundër Iranit, ndërsa kontinenti përballet me tronditje energjetike të shkaktuar nga konflikti, duke e tendosur më tej aleancën transatlantike, bën të ditur sot "Fajnenshëll tajms".

Deklarata e mëparshme e Rutes se aleatët evropianë përfundimisht mund të “bashkohen” dhe t’i përgjigjen thirrjes së Trampit për të vendosur forca detare në Ngushticën e Hormuzit, ka hidhëruar zyrtarët në disa kryeqytete evropiane, duke thelluar tensionet brenda NATO-s mbi atë se sa larg mund të shkojë në përshtatjen me shtetin e saj më të madh anëtar.

"Kjo na vendos në një pozicion vërtet të vështirë dhe të pakëndshëm. Duam të tregojmë gatishmëri, por është gjithashtu e vërtetë se nuk jemi në gjendje të përfshihemi në asnjë mënyrë. Shqetësimi në shumë kryeqytete evropiane për konfliktin i cili ka shkaktuar kaos në gjithë Lindjen e Mesme dhe ka bërë që çmimet e naftës dhe gazit të rriten, është në kundërshtim të plotë me deklaratat e Mark Rutes i cili përpiqet rregullisht ta qetësojë Trampin që të mbajë SHBA-në në aleancën ushtarake", deklaroi një diplomat anonim.

Trampi ka kritikuar aleatët e NATO-s për mos reagimin e menjëhershëm ndaj thirrjes së tij duke i quajtur ata "frikacakë" dhe duke paralajmëruar se NATO pa SHBA është një "tigër prej letre". Vendet e BE-së, të gjitha përveç tre prej të cilave janë gjithashtu anëtare të NATO-s, javën e kaluar kundërshtuan kolektivisht Trampin në Ngushticën e Hormuzit duke theksuar se nuk është lufta e tyre. 

Foto: EPA