Deputetët grekë nuk e votuan mosbesimin e Qeverisë aktuale
- – Me 136 vota “për” dhe 157 “kundër” Parlamenti grek, siç edhe pritej, mbrëmë vonë e hodhi poshtë propozimin për mosbesim të Qeverisë të dorëzuar nga katër partitë opozitare për shkak të aksidentit hekurudhor në Tempi, ndërsa në të njëjtën kohë me votimin para Parlamentit u mbajt protestë e cila përfundoi me incidente mes personave të maskuar dhe policisë, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.
- Post By Fitore Curri
- 10:37, 8 March, 2025

Athinë, 8 mars 2025 (MIA) – Me 136 vota “për” dhe 157 “kundër” Parlamenti grek, siç edhe pritej, mbrëmë vonë e hodhi poshtë propozimin për mosbesim të Qeverisë të dorëzuar nga katër partitë opozitare për shkak të aksidentit hekurudhor në Tempi, ndërsa në të njëjtën kohë me votimin para Parlamentit u mbajt protestë e cila përfundoi me incidente mes personave të maskuar dhe policisë, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Propozimi i PASOK-ut, SYRIZA-s, Të Majtës së Re dhe Kursi i Lirisë, i nënshkruar nga 85 deputetë, që ka në fokus aksidentin hekurodhor në Tempi dhe sigurinë e transportit, por edhe shtetin ligjor, skandalin e përgjimeve dhe rritjet e çmimeve, nuk mori shumicën e nevojshme parlamentare dhe nuk krijoi probleme për shumicën qeveritare të Demokracisë së Re.
Nga 300 deputetë në Parlament, që të kalojë propozimi, duhej të votohej me të paktën 151 vota.
Votimit i parapriu debati treditësh, i cili kulmoi me fjalime të liderëve të të gjitha partive politike, si dhe të kryeministrit grek Kirjakos Micotakis.
Siç bëri të ditur kryetari i Parlamentit, Nikitas Kaklamanis, debati treditësh zgjati mbi 42 orë, ndërsa folën 172 folës, në mesin e të cilëve deputetë, ministra dhe të gjithë liderët e partive.
Paralelisht me debatin, u mbajtën edhe një varg protestash, si në Athinë, ashtu edhe në qytete të tjera greke, ndërsa qytetarët edhe një herë porositën se kërkojnë drejtësi për aksidentin hekurudhor dhe fajtorët të dënohen.
Në Athinë dhe Selanik, pas përfundimit të pjesës zyrtare të protestave, kishte incidente mes disa grupeve të personave të maskuar dhe policisë.
Para Parlamentit grek persona të maskuar i sulmuan policët me koktej molotovë dhe sende të ndryshme, ndërsa ishin arrestuar 61 persona.
Aksidenti hekurudhor në Tempi ka ndodhur më 28 shkurt të vitit 2023 në një përplasje të drejtpërdrejt të një treni të udhëtarëve dhe të mallrave, me çka humbën jetën 57 persona. fc/
Fotografia: MIA