BE-ja dëshiron të jetë themeluese e Tribunalit special për agresionin kundër Ukrainës
- Komisioni Evropian (KE) miratoi sot propozimin për fillimin e procesit që BE të bëhet themeluese e një Tribunali special për krimet e agresionit kundër Ukrainës.
- Post By Fami Bajrami
- 14:42, 25 March, 2026
Bruksel, 25 mars 2026 (MIA) - Komisioni Evropian (KE) miratoi sot propozimin për fillimin e procesit që BE të bëhet themeluese e një Tribunali special për krimet e agresionit kundër Ukrainës.
Sapo shtetet anëtare të BE-së ta miratojnë propozimin, Komisioni do të jetë në gjendje ta publikojë atë, ndërsa BE-ja do të luajë rol qendror në punën e Tribunalit, përfshirë edhe atë si anëtare e Komitetit drejtues që do të drejtojë Tribunalin special.
Tribunali special do të ketë mandat për të ndjekur penalisht liderët e lartë politikë dhe ushtarakë për krime agresioni kundër Ukrainës. Tribunali po krijohet brenda Këshillit të Evropës pas nënshkrimit të një marrëveshje midis Ukrainës dhe kësaj organizate për themelimin e tij në qershor 2025.
Shefja e shërbimit të politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se drejtësia për viktimat e agresionit është rruga më e mirë për paqe të qëndrueshme dhe se në një kohë kur e drejta ndërkombëtare është nën presion historik, përgjigja e duhur është më shumë përgjegjësi, jo më pak.
“Vendosja e një procesi ligjor, siç po bëjmë tani për Ukrainën, kërkon kohë, përpjekje dhe mbështetjen më të gjerë të mundshme ndërkombëtare, por ia vlen”, tha Kallas.
Komisari i BE-së për demokracinë, drejtësinë dhe sundimin e ligjit, Majkëll Mekgrat, tha se nuk mund të ketë paqe pa llogaridhënie dhe se BE-ja do të vazhdojë të qëndrojë fort me Ukrainën në kërkimin e saj për drejtësi.
Komisioni Evropian tha se BE-ja ka luajtur një rol udhëheqës në hartimin e akteve ligjore themeluese të Tribunalit special të cilat u mbështetën politikisht nga një koalicion ndërkombëtar shtetesh dhe organizatash më 9 maj të vitit të kaluar
Foto: arkivi i MIA-s