Destinacioni turistik më i lirë: Një paketë "gjithëpërfshirëse" shtatëditore kushton 270 euro
- Agadir në Maroko është shpallur destinacioni më i lirë për pushimet verore në vitin 2026. Sipas një studimi të agjencisë turistike "Lavholidejs" (Loveholidays), një paketë njëjavore "gjithëpërfshirëse" këtu kushton rreth 270 euro.
- Post By Qefsere Abduli
- 11:42, 23 mars, 2026
Agadir, 23 mars 2026 (MIA) - Agadir në Maroko është shpallur destinacioni më i lirë për pushimet verore në vitin 2026. Sipas një studimi të agjencisë turistike "Lavholidejs" (Loveholidays), një paketë njëjavore "gjithëpërfshirëse" këtu kushton rreth 270 euro.
Ky qytet është i njohur për plazhet e tij të gjata me rërë dhe klimën e ngrohtë. Vizitorët kanë mundësi të shijojnë rrezitjen, notin dhe sporte të ndryshme ujore, duke u ndjerë njëkohësisht sikur po qëndrojnë në një resort luksoz. Oferta e Agadirit nuk kufizohet vetëm te plazhet. Qyteti krenohet me shëtitore të rrethuara me palma dhe një qendër moderne urbane me shumë atraksione lokale. Turistët mund të shëtisin përgjatë bregdetit, të provojnë kuzhinën marokene në kafene dhe restorante, si dhe të vizitojnë monumente si Kasbah i Agadirit, i cili ofron pamje panoramike të qytetit dhe bregut. Popullariteti i qytetit mes udhëtarëve po rritet pikërisht për shkak të kombinimit të çmimeve të përballueshme, plazheve të mirëmbajtura dhe temperaturave të këndshme gjatë verës.
Paketat javore "gjithëpërfshirëse" në Agadir përfshijnë akomodim në hotele me pishina, qendra spa dhe oferta argëtuese e rekreative. Ushqimi, pijet dhe shërbime të tjera zakonisht përfshihen në këto paketa, kështu që udhëtarët nuk kanë nevojë të planifikojnë shpenzime shtesë. Ofrohen gjithashtu dhoma me vetë-gatim, gjë që jep më shumë fleksibilitet për të eksploruar kuzhinën lokale.
Agadir është i njohur si destinacion për adrenalinë dhe pushimeve aktive. Oferta e pasur përfshin sporte ujore, si surfimi me lloje të ndryshme pajisjesh, ndërsa erërat e vazhdueshme dhe deti i qetë tërheqin si fillestarët ashtu edhe sportistët më me përvojë. Këtu ekziston edhe mundësia për ekskursione në zonat natyrore përreth, si Lugina e Parajsës, si dhe udhëtime me varkë drejt fshatit të qetë të peshkatarëve Tagazut.
Agadir është i lidhur me qytetet evropiane përmes aeroportit ndërkombëtar Al Masira, me fluturime direkte nga Parisi, Londra dhe Madridi. Në qytet ekziston një infrastrukturë moderne transporti, ndërsa vizitorëve u ofrohen shërbime taksi, autobusë dhe qira automjetesh. qa/
Foto: Vikipedia