• e diel, 01 shkurt 2026

Rama për vizitë në Izrael, u takua me Netanjahun, ndërsa do të marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare kundër antisemitizmit

Rama për vizitë në Izrael, u takua me Netanjahun, ndërsa do të marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare kundër antisemitizmit

Tiranë, 26 janar 2026 (MIA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Izrael, u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, me të cilin i vlerësuan si të shkëlqyeshme marrëdhëniet dhe bashkëpunimin bilateral.

Pas takimit, Netanjahu, në konferencën e përbashkët për shtyp, vlerësoi rolin e madh që pati Shqipëria dhe mikpritjen e hebrenjve gjatë Holokaustit. Ai theksoi se bota duhet ta dijë se Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që e bëri një gjë të tillë, duke shtuar se një frymë e tillë vazhdon të ekzistojë edhe sot në vendin shqiptar.

“Kryeministri Rama është mik i madh i popullit dhe shtetit hebre dhe i imi. Ai përfaqëson shpirtin e vërtetë të Shqipërisë. Ndoshta njerëzit nuk e dinë dhe bota duhet ta dijë se Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që gjatë Holokaustit pati një popullsi hebreje brenda Shqipërisë që u rrit, sepse myslimanët shqiptarë nën frymën e moderimit, tolerancës dhe dinjitetit njerëzor mbrojtën qindra hebre që jetonin asokohe në Shqipëri dhe po kështu mikpritën edhe shumë të tjerë. Ky është shpirti që ju përfaqësoni, ajo histori që bota duhet ta njohë. Kjo ëshë histori që frymëzon filma. Njerëzit duhet të njohin rolin e jashtëzakonshëm dhe moral që Shqipëria luajti gjatë orëve më të errëta të historisë njerëzore. Këtë frymë vazhdoni ta ushqeni edhe sot, miku im Edi Rama", deklaroi ai.

Sipas kryeministrit Rama, Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët  në miqësinë e thellë midis popujve shqiptar dhe hebre, farkëtuar përmes shekujsh historie, kur më shumë se një herë, hebrenjtë që i iknin persekutimit në perëndim, erdhën e u vendosën në brigjet tona.

"Edhe pse popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, u bashkua me solidaritetin në mbarë botën, me vuajtjen e popullit të thjeshtë palestinez, gjatë luftës në Gaza, shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtjeje kundër Izraelit, e as projektuan zemëratën e tyre për dhimbjen e tmerrshme të popullit palestinez, mbi numrin në rritje të vizitorëve hebrenj në vendin tonë. Kjo përbën një kontrast shumë të theksuar me atë çka për fat të keq ka ndodhur në shumë pjesë të tjera të Evropës, ku antisemitizmi edhe një herë u shndërrua në një prani thellësisht trazuese. Vendi ynë qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë. Ne qartësisht refuzojmë të lejojmë urrejtjen apo diskriminimin të udhëheqë mendimin, veprimet apo marrëdhëniet tona me popuj e vende të tjera", tha Rama.

Kryeministri pasdite do të ketë fjalim historik, që është nder i rezervuar për liderë të paktë të huaj, i cili paraprakisht i është ndarë presidentit amerikan, Donald Tramp. Nesër do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare kundër antisemitizmit. bsh/

Foto: Rama në Fejsbuk

QËNDRONI TË LIDHUR