• e mërkurë, 15 prill 2026

Ministria e Ekonomisë dhe Punës: Rritje minimale e çmimeve, ulje e marzhit tregtar te produktet bazë

Ministria e Ekonomisë dhe Punës: Rritje minimale e çmimeve, ulje e marzhit tregtar te produktet bazë

 Shkup, 14 prill 2026 (MIA) - Ministria e Ekonomisë dhe Punës bën të ditur se në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, përpiloi analizë krahasuese të lëvizjes së çmimeve të produkteve bazë ushqimore dhe joushqimore, që tregon se në periudhën nga 1 shkurti deri më 1 prill të këtij viti është regjistruar një rritje minimale e çmimeve të shitjes, derisa një pjesë nga presioni nga rritja e çmimeve të furnizimit është abosorbuar nga tregtarët. 

 Siç bëjnë të ditur nga atje, analiza krahasuese e lëvizjes së çmimeve të  produkteve bazë ushqimore dhe joushqimore është bërë në përputhje me konkluzionin e miratuar në seancën e 162-të të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

 Analiza përfshin çmimet e 55 produkteve më të shitura, të përcjella në katër zinxhirë tregtar me pozicionim të ndryshëm të çmimeve, në periudhën nga 1 shkurti deri më 1 prill të vitit 2026.

"Rezultatet tregojnë se në periudhën e analizuar është regjistruar rritje minimale e çmimeve të shitjes prej 0,43%, derisa çmimet e blerjeve shënojnë rritje diçka më të lartë prej 1,01%. Në të njëjtën kohë, marzhi mesatar i fitimit bruto te tregtarët është ulur nga 16,28% në 15,80%, gjë që tregon se një pjesë e presionit nga rritja e çmimeve blerëse është absorbuar nga tregtarët, me qëllim që të ruhet stabiliteti i çmimeve për qytetarët", qëndron në komunikatën e Ministrisë.

 Në lidhje me kategoritë individuale, siç shtojnë, te produktet ushqimore bazë ka rritje të lehtë prej 0,45%, me ç'rast rritje më të madhe ka te kosi, djathi, vezët dhe vaji. Në rastin e pijeve joalkoolike është regjistruar ulje prej 1,01%, te frutat dhe perimet ka rënie prej 0,86%, përkundër rritjes së domateve dhe qepëve, ndërsa te  produktet bazë të higjienës është shënuar rritje prej 1,42%.

Ministria vlerëson se lëvizjet e çmimeve në periudhën e analizuar janë mesatare dhe nën kontroll, falë edhe uljes së marzheve tregtare.

 "Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë aktive kushtet e tregut dhe, nëse është e nevojshme, të propozojë masat e duhura për stabilizimin e çmimeve", theksojnë nga atje. 

 Foto: Arkivi i MIA-s



QËNDRONI TË LIDHUR