• e mërkurë, 15 prill 2026

Ministri belg i Punëve të Jashtme nga nesër për vizitë zyrtare në vend

Ministri belg i Punëve të Jashtme nga nesër për vizitë zyrtare në vend

Shkup, 14 prill 2026 (MIA) -  Ministri i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Bashkëpunimit Zhvillimor të Mbretërisë së Belgjikës, Maksim Prevo, nesër do të zhvillojë vizitë dyditore në vend, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

Siç njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, si pjesë e vizitës së tij të parë në vend, ministri Prevo do të zhvillojë takim kokë më kokë me homologun e tij, ministrin Timço Mucunski, pas të cilit është planifikuar një takim plenar i dy delegacioneve zyrtare, i ndjekur nga një deklaratë e përbashkët për mediat.

"Temat qendrore të bisedimeve do të jenë promovimi i marrëdhënieve dypalëshe politike dhe ekonomike me Belgjikën, si dhe perspektivat e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke përfshirë mbështetjen e mëtejshme belge për integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut", njoftoi Ministria.

Vizita në vend nga kreu i diplomacisë belge është pjesë e turneut të tij nëpër Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit ai do të vizitojë edhe Serbinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën, me qëllim mbështetjen e përpjekjeve të tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR