• e diel, 01 shkurt 2026

LSDM me ndryshime ligjore do të kërkojë rritje të pagave minimale dhe ngrirje të pagave të funksionarëve

LSDM me ndryshime ligjore do të kërkojë rritje të pagave minimale dhe ngrirje të pagave të funksionarëve

Shkup, 29 janar 2026 (MIA) - Lidhja Socialdemokrate përgatit ndryshime ligjore, me të cilat do të kërkohet rritje të pagës minimale në 600 euro dhe ngrirje të pagave të funksionarëve. Lideri i partisë, Venko Filipçe shpreson se tani ligji do të përkrahet nga pushteti për dallim prej vitit 2024 kur u refuzua propozim-ligji i tyre për rritjen e pagës minimale.

"E jona është të vazhdojmë, pushteti është ai që e ka fjalën e fundit. Kanë dy të tretat e shumicës në Kuvend. Duhet të jepet përkrahje, populli me të vërtetë ka nevojë për përkrahje të tillë", tha Filipçe në konferencën e sotme për shtyp.

Me propozimin e tillë, siç tha, mbajnë kontinuitet në politikat e tyre nga koha kur LSDM-ja ishte në pushtet dhe kur paga minimale dhe mesatare janë rritur në vazhdimësi, madje edhe në situata të shumë krizave të rënda. Sipas tij, me politikë përgjegjëse mund të gjenden para për këto kërkesa dhe nuk mbajnë pretekstet se pushteti nuk ka para.

"Nëse ne mundemi në kohë të krizës, që kompanive dhe qytetarëve financirisht t'u sigurojmë përkrahje, kur mbi dy miliardë euro shkuan si ndihmë e drejtpërdrejtë dhe janë mbrojtur dhjetëra mijë kompani dhe qytetarë, kur tërë bota ishte e mbyllur, kjo do të thotë se me politikë përgjegjëse para mund të gjenden. Qeveria duhet të mbajë llogari për prioritetet e vërteta të qytetarëve dhe të gjejë para, e jo të kërkojë pretekste se nuk ka para", tha Filipçe.

Ai shtoi se janë të hapur për bashkëpunim për propozim-ligjin dhe i bëri thirrje Lidhjes së Sindikatave të bëjë inspektim në tekstin e ligjit dhe nëse ka propozime dhe sugjerime,  të vendosen në të.

Lidhur me akuzat e pushtetit se protesta e djeshme e LSM-së ka qenë politikisht e motivuar, Filipçe edhe një herë përsëriti se as e kanë inicuar, as nuk kanë marrë pjesë në organizimin e kësaj proteste. bsh/

Фото: принтскрин

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR