• e martë, 24 mars 2026

Havier Milei, President i Argjentinës, në Budapest: Viktori ka vend qendror në kthimin e Evropës në rrugën e mirëfilltë

Havier Milei, President i Argjentinës, në Budapest: Viktori ka vend qendror në kthimin e Evropës në rrugën e mirëfilltë

 Budapest, 23 mars 2026 (MIA)

Havier Milei, President i Argjentinës

 Është kënaqësi të jem këtu në Hungari, si Presidenti i parë i Argjentinës që viziton këtë vend të mrekullueshëm.

Një vend që e admiroj për kaq shumë mendje të shkëlqyera, veçanërisht për një nga gjenitë më të mëdhenj të njerëzimit, si Xhon Boj Nojman, dhe e gjithë tradita e matematikanëve të mëdhenj.

Për më tepër, është një vend me histori të madhe, traditë të madhe dhe, mbi të gjitha, vend simbolik i luftës kundër kolektivistëve, pavarësisht nëse janë versione vrasëse të kolektivistëve apo versione të sjellshme, globaliste, socialiste apo majtiste.

 Një komb me të cilin ndajmë dashurinë për idetë e lirisë dhe kryeministri i të cilit Viktor Orban na bashkon me vëllazërinë personale dhe ndjenjën e admirimit të ndërsjellë.

Jam gjithashtu i kënaqur që jam pjesë e një edicioni tjetër të CPAC. Faleminderit organizatorëve për ftesën dhe privilegjin për t'iu drejtuar përsëri një publiku që është i gatshëm të udhëheqë luftën kulturore në të gjithë botën.

Besoj se është jetike ta mbajmë gjallë këtë flakë. Mendoj për idealet e lirisë, të cilat ka gjithmonë nga ata që përpiqen t'i shuajnë. Ngjarjet si kjo ndihmojnë në mbajtjen e këtij zjarri dhe shërbejnë si udhëzues për të gjithë njerëzit në mbarë botën.

Sot jam këtu për t'ju folur për një koncept kyç në menaxhimin e qeverisë sonë, koncept që, megjithëse e kemi vënë në praktikë që nga fillimi, e kemi përkthyer në fjalë madje kohët e fundit. Po flas për asgjë më pak se morali si politikë shtetërore.

Me pak fjalë, kjo është metodologji vendimmarrëse e bazuar në rend jofleksibël të prioriteteve, që sot do ta sqaroj.

 Moral, prosperitet ekonomik, përfitim politik

 Siç e dini, çdo vendim i marrë në rol qeveritar ka tre variabla që duhet të merren parasysh. E para është variabla morale, respektivisht, nëse është etikisht e saktë, siç tha Markus Aureli, i cili e përmblodhi atë në mënyrë të përsosur në Meditimet e tij: nëse nuk është e drejtë, mos e bëj; nëse nuk është e vërtetë, mos e thuaj.

Variabli i dytë që duhet marrë në konsideratë është nëse masa është ekonomikisht efikase, respekgivisht nëse gjeneron prosperitet.

Dhe së fundi, në radhë të tretë, është dobia e ndryshueshme politike, e cila është e fundit në rendin e prioriteteve; respektivisht nëse është me përfitim personal për politikanin që merr vendimin. Për ne, që mendojmë në raport me brezat, e jo ciklet politike, kjo renditje është e qartë dhe e vetëkuptueshme.

Morali, ajo që është moralisht e drejtë, respektivisht mbrojtja e të drejtës së jetës, lirisë dhe pronës, është gjithmonë, pa përjashtim, në vend të parë, ndërsa llogaritja politike gjithmonë, pa përjashtim, është në vend të fundit.

Kjo kornizë morale funksionon si platformë, do të thosha platformë e vetme morale e krijuar deri më tani, mbi të cilën mund të shfaqet natyrshëm kapitalizmi i tregut të lirë, sistemi më efikas ekonomik kur bëhet fjalë për gjenerimin e prosperitetit dhe pasurisë dhe nxjerrjen e miliarda njerëzve nga varfëria.

Dhe së fundi, pikërisht rritja ekonomike është ajo që në fund të fundit gjeneron dobi politike, sepse çdo politikan nën sundimin e të cilit përparon populli i tij do të korrë një lloj përfitimi politik.

 

Një shekull me politika të gabuara në Argjentinë

 Në Argjentinë, për 100 vjet, bëhej e kundërta. Politikanët vunë në pikëpyetje pronën private, monedhën e shtypur pa dorëzani, futën në borxh breza të tërë që ende nuk kishin lindur dhe bënë anomali të panumërta ekonomike dhe morale të të gjitha llojeve.

Të gjithë me qëllimin kryesor për të avancuar karrierën e tyre politike në afatin e shkurtër të çdo cikli zgjedhor, në dëm jo vetëm të mirëqenies materiale të popullit të tyre, por edhe të integritetit të tyre moral. Dhe me këtë dua të them se politikanët e transferojnë obsesionin e tyre me afatshkurtër në treg dhe popullatë, duke i detyruar ata të përshtaten me afate kohore gjithnjë e më të kufizuara.

 Me fjalë të tjera, shteti, i cili duhet, më shumë se çdo aktor tjetër në shoqëri, të mbrojë interesat afatgjata të një kombi, në fund të fundit është i paaftë të mendojë madje tre vjet përpara.

Në këtë mënyrë, procesi i qytetërimit kthehet mbrapsht, duke i shtyrë njerëzit në një gjendje të menjëhershme barbare, ku jeta e përditshme merr përparësi mbi planet e ardhshme. Askund nuk është më e qartë se në periudhat inflatore, ku pasiguria për çmimet e së nesërmes çon në shkatërrimin e kursimeve dhe prodhimit të sotëm.

Kështu, ne trashëguam një vend që përsëriti këtë sjellje të dëmshme për vite e vite me radhë, gjë që na la në fund të vitit 2023 në prag të krizës më të rëndë në historinë tonë, me një normë inflacioni mbi 200% dhe që synonte drejtpërdrejt hiperinflacionin, sepse kishim normë inflacioni ditor prej 1.5%.

 Falë zbatimit të qëndrueshëm të politikave tona, arritëm ta kthejmë vendin në këmbë. Kjo do të thotë se nga një normë inflacioni që varionte rreth 15.000% në vit, ne kaluam në normë inflacioni që aktualisht është rreth 30% dhe ndoshta, nga fundi i mandatit tonë - këtë mandat të parë, le të themi - më në fund do ta eliminojmë atë.

Në sferën ekonomike, synimi drejt përshtatshmërisë politike ka bërë që politikanët tanë të huazojnë vazhdimisht për të financuar veten dhe bashkëpunëtorët e tyre. Kur erdhi koha për shlyerje, sepse rregullimi i shpenzimeve dhe respektimi i marrëveshjeve dukej politikisht i papranueshëm, ata vendosën të mos i shlyenin borxhet tona në mënyrë të përsëritur, duke dëmtuar besimin ndërkombëtar të vendit tonë dhe kapacitetin e tij për rritje ekonomike.

Për shkak se nuk ishte e mjaftueshme parandalimi i shpenzimeve të detyrueshme, ata vazhduan ta bënin këtë, por financuan duke emetuar valutë, duke gërryer pagat e të gjithë argjentinasve dhe duke shkatërruar monedhën tonë, nga e cila hoqëm 13 zero në proceset e njëpasnjëshme inflatore që përfshinin dy hiperinflacione pa luftë dhe një të tretë që arritëm t'i shmangnim me kohë kur morëm mandatin tonë.

Dhe e gjithë kjo ndodhi në kontekstin e tatimeve të larta dhe rregullimit të tepruar që e bënë tregtinë të paqëndrueshme. Padyshim, çmenduria e shpenzimeve publike, që rezulton me një deficit fiskal kronik, është nxitur gjithmonë nga nevojat më të pavlera politike të liderëve.

 Historia paralajmëron: nga Bashkimi Sovjetik, përmes Venezuelës deri në Kubë

 Njëqind vjet, politikanët tanë, qoftë nga keqdashja, qoftë nga injoranca, besonin se planifikimi i centralizuar ishte rruga optimale drejt efikasitetit ekonomik. Ky ishte një gabim kolosal që na çoi në dështim të plotë. U nisëm direkt për në Kubë, me një ndalesë të drejtpërdrejtë në Venezuelë.

Por, kjo zgjedhje nuk është unike vetëm për Argjentinën; ajo mund të konsiderohet konstantë gjatë gjithë historisë njerëzore. Të gjitha vendet perëndimore vuajtën në masë më të madhe ose më të vogël nga arroganca fatale e politikanëve.

 Për të marrë vetëm një shembull: Bashkimi Sovjetik, i cili premtoi parajsë në tokë, përfundimisht shkaktoi vdekjen e 100 milionë njerëzve dhe kthimin e kanibalizmit në epokë kur prirja globale ishte prosperiteti.

Eksperimenti i madh, siç e quanin disa intelektualë socialistë perëndimorë, nga rehatia e vendeve të tyre të begata, shkoi aq larg sa u dha dënime të gjata me burg atyre që, të dëshpëruar, për shkak të urisë së krijuar nga sistemi i tyre i dështuar, vodhën një grusht miell ose një klasë misri.

Ose çfarë ndodhë me Kubën, e cila pas gati 70 vjetësh të revolucionit që nënkuptonte vetëm për familjen Kastro, e ka lënë popullsinë të mbërthyer në varfëri absolute, dhe këtë javë duhej të njoftonte një ndryshim në modelin e saj ekonomik; me fjalë të tjera, ata kanë perestrojkën e tyre, dhe me siguri para mesit të vitit, nën udhëheqjen e atij njeriu të madh, Donald Tramp, ndoshta do të shohim një Kubë të lirë.

Në secilin prej këtyre rasteve, mund të shohim se këto vendime të tmerrshme, të cilat sakrifikuan lirinë në altarin e efikasitetit të pretenduar, u drejtuan nga përshtatshmëria politike. Planifikimi u jep komunistëve në pushtet burime të pakufizuara për të bërë atë që duan. Dhe të gjitha këto gabime dhe të këqija ndodhën sepse ata braktisën çdo konsideratë të moralit, ose më mirë, vepruan sipas kodit të tyre të shtrembëruar moral.

Kjo është arsyeja pse ne i quajmë ata komunistë që duan të ndjekin të njëjtën rrugë në vendet perëndimore, të cilët kanë arritur të grumbullojnë pasuri duke bërë pikërisht të kundërtën. Dhe kjo vlen edhe për ata që janë socialistë të sjellshëm, të mirësjellshëm, që e rrethojnë veten me njerëz të mirë dhe që, thellë-thellë, diktojnë politika që shfarosin kombet.

Sepse megjithëse ata gjithmonë mohojnë eksperimentet e mëvonshme të dështuara dhe përpiqen të distancohen duke e quajtur veten socialistë ose socialdemokratë, ata ndajnë të njëjtat parime.

 

Reformat pa kompromis: lëvizje 'të pamundura' në praktikë

Për të gjitha këto arsye, siç e kam shpjeguar tashmë, ne kemi marrë rrugën e kundërt. Megjithëse të gjithë thanë se ishte e pamundur, në muajin tonë të parë në detyrë ne bëmë rregullimin më të madh të shpenzimeve publike në historinë e njerëzimit për të mbuluar shlyerjet e borxheve dhe në këtë mënyrë të fillojmë të rivendosim besueshmërinë e vendit tonë.

Për t'ju dhënë një ide të vëllimit, ne reduktuam shpenzimet publike në terma realë për 30%, respekgivisht rregullimin e PBB-së, që ata thanë se ishte e pamundur të bëhej gjatë një mandati, dhe ne e bëmë atë në një muaj.

Sepse në një shtet gjigant që shfrytëzon qytetarët e tij, një gjë e drejtë për të bërë është, mbi të gjitha, zvogëlimi i madhësisë së shtetit. Megjithëse të gjithë thanë se ishte e pamundur, për gjashtë muaj të mandatit tonë ne eliminuam të gjitha burimet e emetimit monetar për të ndaluar mashtrimin e argjentinasve dhe për të rikthyer besimin në monedhën tonë, një kusht themelor për rritjen ekonomike.

 Konkretisht, kjo i referohet deficitit kuazi-fiskal, domethënë deficitit të Bankës Qendrore, i cili ishte rreth 10% e PBB-së, dhe ne arritëm ta rregullojmë atë në gjashtë muaj. Kjo do të thotë se në gjashtë muajt e administratës sonë ne kemi bërë një rregullim prej 15% të PBB-së; me fjalë të tjera, ne i kemi kthyer pothuajse 90 miliardë dollarë popullit të Argjentinës.

Megjithëse të gjithë thoshin se ishte e pamundur, ne filluam të hapnim gradualisht ekonominë tonë në mënyrë që sektorët tanë të mirëfilltë konkurrues të mund të konkurronin globalisht dhe të avancohen, e argjentinasit të mund të kishin qasje në mallra me cilësi të lartë me çmimet më të mira. Dhe ne nuk do të pushojmë derisa të jemi kombi më i lirë dhe më i hapur në botë.

Si rezultat i miratimit të këtyre masave, falë busullës sonë morale, arritëm të ulim varfërinë nga 57% në 30%. Kjo do të thotë se kemi nxjerrë më shumë se 15 milionë argjentinas nga varfëria dhe kemi filluar të marrim investime në vendin tonë prej afërsisht 100 miliardë dollarësh.

 Për politikanët evropianë, gjëja më e rëndësishme është nëse diçka është e përshtatshme për ta, jo nëse është e saktë moralisht dhe ekonomikisht

Këtu në Evropë, përkundrazi, ata kanë përdorur qasjen e kundërt të vendimmarrjes për dekada të tëra, ashtu siç ndodhi në Argjentinë, megjithëse me një ritëm të ndryshëm: së pari ata analizojnë atë që është e përshtatshme për politikanin ose burokratin, pastaj atë që është ekonomikisht efikase, dhe në fund ata analizojnë atë që është moralisht e drejtë, nëse fare e bëjnë atë, dhe gjithmonë e bëjnë atë në mënyrë të maskuar si virtyt.

Në emër të simpatisë, ata sulmuan pronësinë. Në emër të barazisë, ata shkatërruan meritën. Në emër të universalizmit bosh, ata ia dorëzuan sovranitetin e kombeve të tyre burokratëve të pazgjedhur.

Sa herë që politika evropiane merrte vendim të keq, e bënte këtë duke marrë parasysh një kauzë fisnike. Dhe ky është truku, ky është kurthi, sepse pas çdo kauze fisnike qëndron një ekuacion politik shumë specifik: krijimi i personave të varur është krijimi i votuesve.

 Çdo subvencion është votë e blerë. Çdo rregullativë është shërbim i paguar. Çdo kufi i hapur është një listë e zgjeruar e votuesve. Ata nuk e bëjnë nga ndjeshmëria; e bëjnë sepse u konvenon, dhe e mbështjellin me flamur humanitar në mënyrë që askush të mos marrë guximin për t'i pyetur.

Merrni, për shembull, politikën ekonomike dhe politikën e emigracionit.

Siç e dimë të gjithë, Evropa krenohet që është një shtet - dado, respektivisht merr proporcionalisht nga ata që gjenerojnë më shumë pasuri, duke shkelur parimin e pronësisë dhe barazisë para ligjit në proces, në mënyrë që ta rishpërndajë atë në pjesën tjetër të shoqërisë në formën e shërbimeve.

Me fjalë të tjera, ata e shohin ekonominë si byrek. Ata janë të përqendruar në menaxhimin dhe vendosjen se kush merr cilën copë, në vend që të përqendrohen në rritjen e byrekut. Kjo çon në stagnim ekonomik, siç e kemi parë prej disa kohësh në rajon.

Dhe sa më larg të jetë kulmi i pushtetit nga individi, aq më të këqija janë pasojat e kësaj përpjekjeje për planifikim.

Nënshtrimi kombëtar i diktatit të njëanshëm ndaj organeve mbikombëtare zëvendëson sovranitetin dhe liritë individuale me tekat e burokratëve në pushtet.

Kur pushteti ndahet nga përgjegjësia që vjen me përfaqësimin, shumë shpejt mund të kthehet në tirani.

Në fakt, në fjalimin e tij të fundit, miku im i dashur Santiago Abaskall përmendi tiranin që ata e kanë në Spanjë.

Nëse kësaj i shtojmë problemin e emigracionit, i cili rrit pa dallim numrin e marrësve të copave të tortës pa asnjë kërkesë për kontribut të çfarëdo lloji, përfundojmë duke mashtruar popullsinë që ka paguar tatime për kaq shumë vite, duke i kthyer ato në një sistem në rrugën drejt kolapsit.

Si rezultat i këtij veprimi, Evropa mbeti pa rritje, pa sundim të së drejtës, dhe sot është e qartë se udhëheqësit e saj kanë mbetur pa ndonjë besueshmëri politike.

Dhe asnjë nga këto nuk duhet të na befasojë, sepse siç thotë thënia: ne mund ta injorojmë realitetin, por kurrë nuk mund t'i injorojmë pasojat e injorimit të realitetit.

Dhe me këtë dua të them diçka që duket e qartë, por që politika e mjegullon: idetë nuk janë abstrakte. Idetë kanë pasoja reale në jetën e njerëzve.

 

Orbani paralajmëron i pari: Perëndimi është në rrezik, e Evropa po kryen vetëvrasje

Kur një shoqëri zgjedh lirinë, gjërat përmirësohen. Ne e shohim këtë në Argjentinë. Kur një shoqëri zgjedh socializmin, gjërat përkeqësohen. E pamë në Bashkimin Sovjetik, e pamë në Kubë, e pamë në Venezuelë, dhe e pamë gjatë 100 viteve të rënies progresive në Argjentinë.

Nuk është çështje fati, ose burimesh natyrore, ose historie ose gjeografie; është çështje vendimesh.

Kombet që përqafojnë lirinë, pronën private dhe rendin moral të qytetërimit perëndimor prosperojnë. Ata që i braktisin, gjithmonë dështojnë, pa përjashtim.

Prandaj, ajo që është në rrezik në çdo zgjedhje nuk është vetëm kush qeveris, por edhe çfarë drejtimi merr populli, dhe ai drejtim është i rëndësishëm.

Kjo është arsyeja pse kryeministri Orban dhe populli hungarez janë shumë të qartë për këtë.

Duke përjetuar nga afër tmerret e komunizmit, ky vend tani përballet me të njëjtën frymë që e përshkruaj. Ata vunë besimin e tyre në vendosmërinë dhe guximin e kryeministrit Orban për t'i udhëhequr ata përpara. Dhe ai është gjithsesi dikush i denjë për admirim për detyrën e tij të madhe.

 Kështu, Hungaria është bërë vend që zgjedh të bëjë atë që është e drejtë dhe jo atë që është e pranueshme nga shoqëria.

Ky veprim i papajtueshëm i bëri ata të qëndronin të vendosur në politikën e tyre të emigracionit, në kundërshtim me pjesën tjetër të rajonit që i bënte presion për të hapur kufijtë e tyre.

Anasjelltas, Evropa, duke i bërë politikanët të duken mirë në titujt e gazetave, tani po përballet me një krizë disproporcionale në këtë fushë dhe në shumë fusha të tjera.

Në këtë kuptim, mendoj se miku im Viktor dhe unë kemi diçka të rëndësishme të përbashkët: të dy filluam t'i luftonim këto beteja shumë kohë para se të bëhej popullore për t'i zhvilluar ato.

Kur thashë në Argjentinë se socializmi po na shkatërronte, isha një i dëbuar. Nuk isha i ftuar në programe, asnjë parti nuk më thirri, gazetarët më shikonin sikur isha i çmendur, e megjithatë vazhdoja ta thoja sepse ishte gjëja e duhur për të bërë.

Ndërkohë, Viktori ishte i pari që doli para gjithë Evropës dashamirëse dhe tha atë që askush nuk donte të dëgjonte: se Perëndimi ishte në rrezik, se Evropa po kryente vetëvrasje, se emigracioni masiv i pakontrolluar nuk ishte akt bujarie, por akt papërgjegjshmërie ndaj popullit të vet. Ai e tha këtë kur ende i kushtonte shtrenjtë ta thoshte. Kjo quhet guxim.

Sot, vite më vonë, ngjarjet kanë justifikuar ata që thanë të vërtetën me kohë. Dhe kjo është ajo që e dallon burrështetin nga politikani: burrështeti e thotë të vërtetën para se të jetë e përshtatshme ta thotë.

Prandaj, mesazhi im për të gjithë ju sonte është ky: kur e keqja dhe njerëzit e këqij mbizotërojnë si normë, është detyra jonë të mbrojmë etikën, moralin, drejtësinë dhe të vërtetën me guxim më të madh se anjëherë më parë.

Pa marrë parasyssh se sa përpiqen, sa investojnë në burime, sa ligje imponojnë, nuk duhet të jemi të bindur se e keqja është e mirë. E keqja është e keqe, edhe nëse miliona njerëz e mbrojnë atë.

Në këtë drejtim, do të doja të shtoja një frazë nga romani "Eneida" i Virgjilit, të cilën Ludvig fon Mizes e përsëriti.

Së pari do ta them në latinisht, megjithëse padyshim që do ta shqiptoj tmerrësisht gabim, por do të përpiqem.

Dhe ai thotë: "Tu ne cede malis, sed contra audentior ito", respektivisht, asnjëherë mos iu dorëzo së keqes, por luftoje atë me forcë më të madhe. Edhe Viktori duhet të jetë duke bërë pikërisht këtë

 

Bota është në prag të një rendi të ri - Hungaria dhe Argjentina e kuptojnë këtë dhe për këtë arsye mbështesin iniciativat e Trampit

Sot përballemi me një paralajmërim të rendit botëror, e mënyra se si angazhohemi në këtë botë të re që po lind do të përcaktojë fatin e kombeve tona.

Epoka e bashkëpunimit global pa busull morale ka mbaruar. Shumë institucione të krijuara për të ndërmjetësuar konfliktet dhe për të garantuar paqen kapen nga burokratët që i kanë kthyer ato në instrumente për imponimin e një agjende ideologjike mbi njerëzit.

Ajo që duhej të ishte gjykatës i paanshëm është bërë aktor me agjendën e vet, e rezultati është i qartë për t'u parë.

Kohët e ndryshimit kërkojnë diagnozë të saktë, busull morale të kalibruar dhe guxim për të vepruar.

Në këtë botë, hendeku midis kombeve të lira dhe kombeve të nënshtruara do të thellohet më tej. Hungaria dhe Argjentina janë dy kombe që e kuptojnë shumë mirë këtë dhe pranojnë erërat e ndryshimeve.

Kjo është arsyeja pse ne mbështesim nisma të tilla si ajo e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp.

Kur vendet që ndajnë të njëjtat parime veprojnë me vendosmëri dhe në mënyrë të koordinuar, përparimi real bëhet pa u zhytur në inercinë ose paqartësinë që shpesh paralizon organizata të caktuara ndërkombëtare.

Argjentina është bashkuar që nga dita e parë sepse ne besojmë në diplomacinë që ndërmerr rreziqe për të arritur paqen.

Në vendin tonë, këtë herë tashmë ka filluar të japë rezultate konkrete. Stabiliteti makroekonomik, respekti i palëkundur për pronën private, mbrojtja e jetës dhe kthimi në rregulla të qarta kanë rikthyer parashikueshmërinë, investimet dhe rritjen.

Ky proces nuk ka kaluar pa u vënë re në rajon apo në botë. Gjithnjë e më shumë vende e shohin këtë përvojë si një pikë referimi dhe po fillojnë të ndjekin një rrugë të ngjashme.

Për shembull, Argjentina tani është në gjendje të garantojë sigurinë energjetike të Evropës. Ne po përjetojmë një nxitim të artë në investimet në energjetikë.

Imagjinoni që deri në vitin 2030 do të eksportojmë mbi 30 miliardë dollarë në vit.

Për vite me radhë, Evropa është përpjekur për pavarësi energjetike. Ne ju ofrojmë diçka më të mirë: një partner të besueshëm me rezerva të mëdha dhe një qeveri që respekton marrëveshjet e saj.

Kështu, Argjentina kthehet në një rol udhëheqës, jo përmes imponimit, por përmes shembullit dhe asaj që ka për t'i ofruar botës, duke udhëhequr një lëvizje më të gjerë që kërkon të rivendosë madhështinë e Amerikës në bazë të lirisë.

Kjo lëvizje tashmë ka emër në kontinentin tonë: vendimi për ta bërë Amerikën të madhe përsëri.

Është bindja se vetëm në bazë të lirisë, rendit dhe respektit për vlerat që kanë krijuar qytetërimin tonë është e mundur të ndërtohet një e ardhme prosperiteti.

Dhe e njëjta bindje tani po fillon të tërheqë vëmendje në Evropë.

Evropa nuk duhet të rishpikë veten, por duhet të rizbulojë veten, të kthehet në rrënjët e saj, të rikthejë besimin në historinë e saj dhe të lërë pas logjikën e fajit të përhershëm.

Në këtë rrugë, Hungaria zë një vend qendror, ndërsa Viktor Orbani është bërë një nga zërat më të qartë dhe më të guximshëm në detyrën për ta rikthyer Evropën në rrugën e mirëfilltë.

Tani, Hungaria po i afrohet një momenti të ri historik ku dy modele morale konfliktuale janë në pyetje për të udhëhequr vendin në vitet e ardhshme.

Ai komunizëm që dikur u shfaq nën flamurin sovjetik tani shfaqet nën një maskë tjetër; fshihet pas qëllimeve më fisnike dhe humanitare, të gjitha në dukje të pavarura, por të lidhura ngushtë nga një agjendë e përbashkët e luftës kundër traditës dhe urrejtjes për gjithçka që ne e konsiderojmë të mirë, të bukur dhe të shenjtë.

 Pas disa javësh, populli hungarez do të flasë përsëri.

Sot, më shumë se kurrë, duhet të jemi të qartë për atë që është me të vërtetë në pyetje.

Ajo që do ta vendosë Hungaria do të jehojë në të gjithë Evropën, sepse kur një komb qëndron i vendosur kundër presioneve të korrektësisë politike, u tregon vendeve të tjera se është e mundur të rezistojnë dhe të fitojnë.

Kur një komb vendos të mbrojë lirinë, familjet, kufijtë dhe traditat e tij, ai i përkujton vendet tjera, të anestetizuara nga inxhinierët e dekadencës, se ka ende kohë për të reaguar.

Dhe kur një udhëheqës si Viktor Orban angazhohet në atë luftë pa kërkuar leje, ai bëhet një pikë e ndritshme për të gjithë ne që nuk pranojmë që fati i Perëndimit të sundohet nga muzgu.

I dashur mik Viktor, ke respektin, admirimin dhe mbështetjen tonë.

Hungaria ka një lider tek ju me guxim të jashtëzakonshëm dhe një zë të domosdoshëm për të ardhmen e Evropës.

Dhe të gjithë ne që udhëheqim këtë betejë në emër të lirisë e dimë se kur një burrështeti qëndron i vendosur në mbrojtje të popullit të tij, ai jo vetëm që mbron kombin e tij, por edhe i rikthen shpresën botës.

Prandaj, faleminderit shumë të gjithëve. Zoti e bekoftë Hungarinë, Zoti e bekoftë Argjentinën, fuqitë e qiellit qofshin me ne dhe rroftë liria!

Ju faleminderit shumë të gjithëve.

 

Фото: ЕПА

QËNDRONI TË LIDHUR