Fon der Lajen në Australi për marrëveshje tregtare
- Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursulla fon der Lajen, mbërriti sot në Australi, me shpresën për të arritur një marrëveshje për tregti të lirë pas vitesh negociatash.
- Post By Qefsere Abduli
- 11:17, 23 mars, 2026
Sidnei, 23 mars 2026 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursulla fon der Lajen, mbërriti sot në Australi, me shpresën për të arritur një marrëveshje për tregti të lirë pas vitesh negociatash.
“Ky është udhëtimi i saj i parë në Australi që nga marrja e detyrës, ndërsa vjen në një kohë kur blloku dhe kombi i varur nga importet po përballen me dobësi të reja energjetike të shkaktuara nga lufta në Lindjen e Mesme.”
Ajo mbërriti sot në Sidnej për një takim me shefin e shtetit të Australisë, guvernatorin e përgjithshëm.
Nga Sidnei, ajo do të niset drejt Kanberës, ku do të takohet me kryeministrin Entoni Albanese dhe dotë mbajë fjalim para Parlamentit.
Fon der Lajen shoqërohet nga komisioneri për tregti të BE-së , Marosh Shefçoviq, gjë që nxit spekulimet se të dyja palët mund të nënshkruajnë më në fund marrëveshjen e shumëpritur për tregti të lirë.
Të dyja palët ende po negociojnë detajet e marrëveshjes, ndërsa qasja më e lehtë në tregun evropian për mishin e qengjit dhe të viçit australian është një nga burimet kryesore të mosmarrëveshjeve.
Australia më parë ka deklaruar se mund të heqë taksën e automjeteve lukse evropiane në këmbim të një qasjeje më të madhe në tregun bujqësor të BE-së.
Përdorimi i treguesve gjeografikë për djathin dhe produktet e verës është gjithashtu një pikë mosmarrëveshjeje.
Tregu më i madh i eksportit i Australisë është Kina, ndërsa SHBA-ja janë burimi i saj më i madh i investimeve.
Por, Kanbera ka dyfishuar përpjekjet për të diversifikuar tregjet e eksportit për fermerët, pasi mosmarrëveshja me Pekinin në vitin 2020 çoi në disa vite bllokadash të eksportit bujqësor, e më pas në vendosjen globale të tarifave tregtare nga SHBA-ja vitin e kaluar.
Bashkimi Evropian është partneri i tretë më i madh tregtar i Australisë dhe burimi i dytë më i madh i investimeve të huaja.
Ministri i Tregtisë, Don Farel javën e kaluar deklaroi se marrëveshja me BE-në do t’i shtonte 10 miliardë dollarë australianë tregtisë së Australisë në vitin e parë.
"Ata janë potencialisht partneri ynë i dytë më i madh tregtar nëse arrijmë ta realizojmë këtë, dhe na mbetet vetëm t’i kalojmë ato pak pengesa të fundit", deklaroi ai për "Skaj njuz Australia".
Lufta në Lindjen e Mesme, e cila ka rritur çmimet e naftës, gjithashtu me shumë gjasë do të jetë në fokus të takimeve.
Fon der Lajen këtë muaj deklaroi se konflikti ka shërbyer si një "kujtesë e fortë" për cenueshmërinë e kontinentit.
Australia, e cila varet në masë të madhe nga karburanti i importuar, gjithashtu ka ndier barrën e krizës globale energjetike.
Edhe pse pranoi se në disa pika karburanti ka munguar karburant, ministri i Energjisë, Kris Bouen deklaroi sot se vendi është "shumë larg nga racionimi". qa/
Foto: EPA