• e diel, 01 shkurt 2026

Durmishi: Rritje e pagës minimale nëse dakordohen sindikatat dhe punëdhënësit

Durmishi: Rritje e pagës minimale nëse dakordohen sindikatat dhe punëdhënësit

Shkup, 29 janar 2025 (MIA) - Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi sot nga foltorja e Kuvendit elaboroi se që të ketë rritje të pagës minimale, duhet të merren parasysh stabiliteti ekonomik, inflacioni dhe shumë kritere tjera. Ne, siç tha, jemi për rritje të pagës minimale nëse dakordohen sindikatat dhe punëdhënësit.

Duke u përgjigjur në pyetje të deputetit Borçe Cvetkov nga LSDM-ja nëse do ta përkrahin rritjen e pagës minimale, Durmishi tha se dëshiron të ndihmojnë.

"Ne jemi aty për të ndihmuar, duke marrë parasysh produktivitetin në vendin tonë, i cili, për shkak të politikave të gabuara në të kaluarën, është në nivelin më të ulët nga të gjitha vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe në krahasim me vendet e tjera. Administrata shtetërore është në shërbim të qytetarëve dhe sektorit privat në mënyrë që të krijojë vende të reja pune, të ulë papunësinë dhe të rrisë ekonominë", tha Durmishi.

Ai për pagën minimale thotë se ekziston një formulë dhe metodologji, të cilën edhe qeveria e mëparshme, siç tha, e ka respektuar.

"Ka marrëveshje midis sindikatave, Ministrisë dhe Qeverisë. Qëndrimi ynë është qëndrimi i formulimit, i cili është në fuqi. Ne kemi Këshill ekonomik, ku duhet të diskutohet paga minimale. Dhe si çdo pikë tjetër, edhe kjo merret në konsideratë kur mbahen ato takime. Ne vazhdimisht themi se jemi aty për të ndihmuar të dyja palët. Ne punojmë për interesin e të gjithë qytetarëve, siç janë punëdhënësit, punëtorët dhe sindikatat. Çfarëdo marrëveshjeje që arrihet, ne jemi aty për ta mbështetur. Në fund të fundit, punonjësit në administratën shtetërore duhet t'i shërbejnë sektorit privat dhe ne e arrijmë këtë përmes masave nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, siç kemi plan operativ, përkrahje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ne e dimë se shtylla kryesore e vendit tonë janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme", tha Durmishi.

Ai përkujtoi se vitin e kaluar kemi pasur 4,1 për qind inflacion dhe, siç tha, nuk ka pasur rritje të çmimeve, konkretisht për produktet ushqimore, ku duhej të reagohet.

"Projeksionet tona ja në që inflacioni të jetë nën tre për qind dhe punojmë në këtë. Lidhur me produktet ushqimore, në tre muajt e fundit të vitit, sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistikë, këto pordukte kanë ulje të çmimeve. Ashtu edhe do të vazhdojmë, e kjo qartë tregon se politikat tona kanë efekt", tha Durmishi. 

Lidhur me shportën sindikale konsumatore, Durmishi përsëriti se nuk janë kundër shportës konsumatore.

"Ne nuk jemi kundër shportës konsumatore, por ajo nuk bazohet në të gjitha nevojat reale, pasi ka edhe shumë artikuj ose produkte tjera për një familje që nuk mund të realizohen në vendin tonë", tha ministri i Ekonomisë dhe Punës.

Durmishi informoi se vendi ynë, sipas të dhënave të Bankës Botërore, është i fundit në rajon për sa i përket produktivitetit dhe për këtë arsye, siç tha ai, politikat tona synojnë të kenë zgjidhje afatgjata, me masa të reja që do të ndikojnë në rritjen ekonomike, do të rrisin prodhimin vendas dhe do të përkrahin tregtarët vendas.

Ministri Durmishi shpjegoi se është vonuar 15 minuta në seancën e sotme me arsye dhe shtoi se nuk i pranon kritikat nga deputeti Oliver Spasovski se nuk merr pjesë në seancën e pyetjeve parlamentare dhe nuk u përgjigjet pyetjeve të bëra.

Oliver Spasovski, megjithatë, tha proceduralisht se do të reagojë gjithmonë dhe theksoi se sipas Rregullores së Kuvendit, të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në seancën e pyetjeve të deputetëve. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR