Dimitrieska-Koçoska në takimet pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore
- Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, nga dita e sotme deri më 18 prill 2026, po qëndron në SHBA, në Uashington, ku do të marrë pjesë në takimet pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore. Gjatë qëndrimit, ministrja do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, do të zhvillojë takime në Thesarin e SHBA-së, si dhe me përfaqësuesit e disa institucioneve financiare ndërkombëtare dhe investitorë.
- Post By Sara Ademi
- 15:12, 14 prill, 2026
Shkup, 14 prill 2026 (MIA) - Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, nga dita e sotme deri më 18 prill 2026, po qëndron në SHBA, në Uashington, ku do të marrë pjesë në takimet pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore. Gjatë qëndrimit, ministrja do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, do të zhvillojë takime në Thesarin e SHBA-së, si dhe me përfaqësuesit e disa institucioneve financiare ndërkombëtare dhe investitorë.
"Dimitrieska-Koçoska do të zhvillojë takime me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së Bo Li, drejtorin ekzekutiv të FMN-së Jeron Klik, zëvendësdrejtorin ekzekutiv Marniks van Raj, drejtorin e Departamentit Evropian të FMN-së Alfred Kamer, me shefin e Misionit të FMN-së Nik Gigineishvili, si dhe me përfaqësuesit nga Departamenti i Çështjeve Fiskale pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar. Gjatë takimeve pritet që të konfirmohen përpjekjet e Qeverisë për konsolidimin fiskal dhe njëkohësisht fokusi në sigurimin e rritjes ekonomike, si dhe në trajtimin e ndikimit të krizës mbi financat publike dhe ekonominë", kumtoi MF.
Në Bankën Botërore, citohet në kumtesë, Dimitrieska-Koçoska do të takohet me nënkryetaren e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Antonella Basani, si dhe me drejtorin ekzekutiv të Grupacionit të Bankës Botërore - Konstituenca Holandeze, Juxhin Rugenat. Në takimet me Bankën Botërore do të bisedohet për realizimin e Kornizës së partneritetit që vendi ynë ka me këtë institucion financiar ndërkombëtar dhe për mundësitë për shfrytëzimin e saj në realizimin e projekteve që janë prioritet për zhvillimin e vendit.
Gjithashtu, ministrja e Financave do të realizojë takime edhe në Thesarin e SHBA-së, si dhe në Zyrën OTA, përmes së cilës realizohen aktivitete projektuese në fushën e financave publike me qëllim të krijimit të institucioneve më efikase, menaxhimit më të mirë të burimeve, uljes së risqeve dhe mbrojtjes më të madhe të qytetarëve.
Ministrja në Uashington do të zhvillojë takim edhe me institucionet financiare që punojnë në tregjet ndërkombëtare.
Në takimevet pranverore të FMN-së dhe BB-së, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska merr pjesë së bashku me guvernatorin e Bankës Popullore Trajko Sllaveski, dhe delegacionin e Bankës Popullore dhe Ministrisë së Financave. Në përbërje të delegacionit është edhe sekretarja shtetërore në Ministrinë e Financave, Andriana Matlioska.
Takimet pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore tradicionalisht mbahen në muajin prill çdo vit, me ç’rast takohen ministrat e financave, guvernatorët e bankave qendrore, përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, sektorit joqeveritar dhe ekspertët, të cilët hapin tema aktuale me interes për ekonominë botërore, si dhe për sfidat me të cilat përballet bota dhe mundësitë për tejkalimin e tyre. sa/
Foto: MIA Arkivi