Cake: Shkëndija dëshiron me fitore ta mbyllë gjysmësezonin e vjeshtës
- Mbrojtësi i titulit në kampionatin të futbollit të Maqedonisë, Shkëndija, sot do të jetë mysafir i Bashkimit në Kumanovë (ora 13) në kuadër të xhiros së fundit, të 16-të, të gjysmësezonit vjeshtor.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 14:20, 6 dhjetor, 2025
Shkup, 6 dhjetor 2025 (MIA) - Mbrojtësi i titulit në kampionatin të futbollit të Maqedonisë, Shkëndija, sot do të jetë mysafir i Bashkimit në Kumanovë (ora 13) në kuadër të xhiros së fundit, të 16-të, të gjysmësezonit vjeshtor.
Shkëndija është e treta në tabelë me 33 pikë dhe një fitore ndaj Bashkimit është e domosdoshme që klubi tetovar të mbetet në garë për titullin me kryesuesit Vardari (42 pikë) dhe Struga (41).
"Na pret një ndeshje e vështirë, por do të shkojmë në Kumanovë për ta mbyllur vitin siç duhet, me një fitore. Definitivisht te ne ka dëshirë për fitore. Duam ta përfundojmë me sukses këtë gjysmësezoni, dhe pastaj të vazhdojmë garën për titull. E kemi analizuar kundërshtarin, por besoj se ekipi do të performojë në mënyrën më të mirë të mundshme", tha mbrojtësi i Shkëndijës, Klisman Cake.
Dueli kundër Bashkimit të vendit të pestë është sfida e fundit në ligën e parë për lojtarët e Shkëndijës këtë vit, përpara dy ndeshjeve të fundit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës kundër Slovan Bratislavës dhe AEK Larnaka.
"Jashtëzakonisht kemi qenë të zënë këtë gjysmësezon. E ëndërruam këtë moment, por nuk është e lehtë të luash në të gjitha frontet. Megjithatë, është një ndjenjë e mirë dhe po e shijojmë", theksoi Cake në një deklaratë për faqen zyrtare të FFM-së.
Foto: EPA