• e martë, 24 mars 2026

BE bën thirrje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe ndërprerje të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe ujore

BE bën thirrje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe ndërprerje të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe ujore

Bruksel, 20 mars 2026 (MIA) - Liderët evropianë kërkuan rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe një moratorium për sulmet ndaj infrastrukturës ujore dhe energjetike në Lindjen e Mesme gjatë takimit të tyre të mbrëmshëm në Bruksel, në të cilin diskutuan edhe rritjen e çmimeve të energjisë të shkaktuar nga lufta, njoftuan agjencitë botërore.

Këshilli Evropian ka bërë një thirrje të përbashkët për stabilizimin e furnizimit me energji dhe për “deeskalim dhe përmbajtje maksimale” nga palët ndërluftuese.

“Këshilli Evropian dënon humbjen e jetëve civile dhe po e ndjek nga afër ndikimin afatgjatë të veprimeve ushtarake, përfshirë edhe atë mbi stabilitetin ekonomik”, thuhet në kumtesën.

Liderët i bënë thirrje gjithashtu Iranit të ndalojë sulmet ndaj fqinjëve të tij dhe premtuan bashkëpunim ndërkombëtar për të parandaluar krizat e mëdha të refugjatëve në Lindjen e Mesme. Në deklaratën e tyre, udhëheqësit evropianë mirëpritën "përpjekjet e intensifikuara të njoftuara nga shtetet anëtare, duke përfshirë edhe koordinimin e zgjeruar me partnerët në rajon, për të siguruar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit sapo të përmbushen kushtet".

Presidenti francez Emanuel Makron deklaroi se BE-ja "do të angazhohet për deeskalimin dhe kthimin e stabilitetit në Lindjen e Mesme"”. "Luftërat duhet të ndalen, të paktën për disa ditë, në mënyrë që të përpiqemi t’u japim një shans negociatave”, tha Makron.

"Jemi shumë të shqetësuar për krizën energjetike", deklaroi kryeministri belg Bart de Vever para takimit.

Ai tha se çmimet e energjisë ishin shumë të larta edhe para luftës, por se konflikti "krijoi një valë të re".

Liderët evropianë kanë hedhur poshtë kërkesat e Presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, për të dërguar pajisje ushtarake për të siguruar Ngushticën e Hormuzit.

Kancelari austriak Kristian Shtoker tha se Evropa "nuk do të lejojë veten të shantazhohet" për t'u bashkuar me fushatën ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit në Lindjen e Mesme.

"Ndërhyrja në Ngushticën e Hormuzit nuk është në asnjë rast një opsion për Austrinë", tha ai.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se nuk ka “asnjë dëshirë” midis liderëve për të zgjeruar forcat detare evropiane në Detin e Kuq për të ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit ose për t'u bashkuar në konflikt.

Kancelari gjerman Fridrih Merc e përsëriti qëndrimin e tij se Gjermania "mund të përfshihet vetëm pasi armët të jenë heshtur" dhe në pritje të një mandati ndërkombëtar.

Edhe pse BE-ja nuk është palë në konflikt, kryeministri holandez Rob Jeten tha se kupton arsyet e SHBA-së dhe Izraelit për nisjen e fushatës kundër qeverisë "brutale" iraniane. Ai i bëri thirrje BE-së të forcojë si sanksionet ndaj Iranit ashtu edhe mbështetjen për grupet opozitare iraniane.

Të tjerë, megjithatë, e karakterizuan ashpër luftën si të paligjshme dhe destabilizuese. ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR