• e shtunë, 31 janar 2026

ASH: Skandal në Komunën e Tetovës: Kasami lë pa paga 370 punëtorë të komunës, ndërsa paguan militantët e BESËS

ASH: Skandal në Komunën e Tetovës: Kasami lë pa paga 370 punëtorë të komunës, ndërsa paguan militantët e BESËS

Shkup, 26 janar 2026

Skandal i rëndë po ndodh në Komunën e Tetovës. Sot, më 26 janar, 370 punëtorë të Komunës së Tetovës janë lënë pa paga, në një kohë kur qytetarët po përballen me krizë të thellë ekonomike, theksohet në kumtesën e ASH-së, të cilën MIA e transmeton integrale.

Ndërkohë, sipas informatave tona, pagat po ekzekutohen për militantë partiakë të Lëvizjes BESA, ndërsa punëtorët e rregullt, që mbajnë funksionimin e komunës, mbesin pa të ardhura. Ky veprim përbën diskriminim të hapur, keqmenaxhim dhe abuzim me buxhetin publik.

Veçanërisht alarmante është gjendja e rreth 70 zjarrfikësve të Brigadës Zjarrfikëse të Tetovës, të cilët po ashtu janë pa paga, edhe pse çdo ditë rrezikojnë jetën për sigurinë e qytetarëve.

Në këtë situatë, punëtorët po zhyten në borxhe, kamata bankare dhe përmbarues, si pasojë e drejtpërdrejtë e paaftësisë dhe papërgjegjësisë së kryetarit Bilall Kasami dhe udhëheqjes komunale.

Aleanca për Shqiptarët – Dega Tetovë kërkon pagesë të menjëhershme të pagave për të gjithë punëtorët, ndaljen e çdo pagese selektive dhe transparencë të plotë mbi shpenzimin e buxhetit komunal.

Tetova nuk guxon të qeveriset me standarde partiake dhe klienteliste.

Aleanca për Shqiptarët – Dega Tetovë

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR