0_Maqedoni.Portal0_MIA Investigon.Portal0_Web_Ballina - SllajderIntervistëPolitikë

Zanier: Arsimi i integruar është themeli i të ardhmes së përbashkët

Ekziston përparim i dukshëm në marrëdhëniet ndëretnike në vend, por edhe ndarje në shoqëri dhe segregacion mes bashkësive. Ky është shkaku përse nevojiten përpjekje shtesë në sfera të caktuara siç është arsimi i integruar. Arsimi është shtylla kyçe për të ardhmen e çdo shoqërie, tha në intervistën për MIA-n Komisari i lartë i OSBE-së për pakica nacionale, ambasadori Lamberto Zanier, i cili qëndroi për vizitë në Maqedoninë e Maqedonisë, ndërsa në fokus të bisedimeve me përfaqësuesit e vendit ishte rëndësia e arsimit të integruar.

Shkup, 7 prill 2019 (MIA) – Ekziston përparim i dukshëm në marrëdhëniet ndëretnike në vend, por edhe ndarje në shoqëri dhe segregacion mes bashkësive. Ky është shkaku përse nevojiten përpjekje shtesë në sfera të caktuara siç është arsimi i integruar. Arsimi është shtylla kyçe për të ardhmen e çdo shoqërie, tha në intervistën për MIA-n Komisari i lartë i OSBE-së për pakica nacionale, ambasadori Lamberto Zanier, i cili qëndroi për vizitë në Maqedoninë e Maqedonisë, ndërsa në fokus të bisedimeve me përfaqësuesit e vendit ishte rëndësia e arsimit të integruar.

Për Marrëveshjen e Prespës, ai tha se është arritje historike dhe një nga lajmet e rralla të mira në një botë të polarizuar që kontribuon për stabilitet rajonal.

Ambasadori Lamberto Zanier, i cili është nga Italia, e mori mandatin e Komisarit të lartë të OSBE-së për pakica nacionale në vitin 2017. Para se ta merrte funksionin Komisar i lartë, Zanier ishte sekretar i përgjithshëm i OSBE-së dhe ka përvojë të gjatë diplomatike në rajon.

– Cili është qëllimi i vizitës suaj?

Me këtë vizitë kam për qëllim që të njoftohem me risitë, të mirëmbaj kontaktet ekzistuese me partnerët relevant, si dhe të advokoj për progres për çështjet e ndërlidhura me mandatin tim, siç është arsimi, përdorimi i gjuhëve, marrëdhëniet mes komuniteteve dhe integrimi i përgjithshëm i shoqërisë. Zyra ime, së bashku me Misionin e OSBE-së në Shkup, vazhdimisht është marrë me këto çështje të vendit dhe gjatë kësaj vizite ofrova përkrahjen time për të vazhduar me përpjekjet në këtë drejtim, si dhe ti rikonfirmoj zotimet e mia.

– Republika e Maqedonisë së Veriut është një shtet multietnik dhe multikonfesional. Me vite është bërë përpjekje për të përforcuar kohezionin dhe bashkëjetesën në mes komuniteteve të ndryshme. Si e vlerësoni gjendjen tani në 2019, pas përjetimit të konfliktit të vitit 2001 dhe krizës politike në vitin 2015?

Mendoj se në vitet e fundit ka një përmirësim domethënës në situatën e përgjithshme dhe marrëdhëniet mes komuniteteve. Jam duke parë se vazhdimisht bëhen investime në adresimin e gjërave të cilat i shqetësojnë komunitetet dhe për përforcimin e kohezionit shoqëror – organizimi i institucioneve të cilat merren me marrëdhënie ndëretnike, legjislacioni i ri dhe strategjitë e sapo miratuara ose ato të cilat janë në zhvillim e sipër janë një sinjal i rëndësishëm për këtë synim. Mirëpo, ndarjet në shoqëri dhe largimi mes bashkësive ende vazhdon dhe janë të nevojshme përpjekje të mëtutjeshme, në veçanti për tejkalimin e arsimit të segreguar. Me kujdes të posaçëm do ti ndjek hapat e ardhshme në këto procese dhe ndikimin e tyre mbi integrimin shoqëror.

– Detyra e Komisarit të lartë për pakica kombëtare është që të kontribuojë dhe japë rekomandime për pajtimin mes komuniteteve të ndryshme. Ku e shihni ju vendin sa i takon bashkëpunimit ndëretnik në moment?

Si edhe në kontekstet tjera të cilat paraqesin sfidë për menaxhimin e diversitetit, rekomandimi im është që fokusi të vendoset mbi urat lidhëse të cilët mund ti afrojnë më afër komunitetet, duke filluar nga gjeneratat më të reja. Do të rekomandoja dyfishimin e përpjekjeve në zbatimin e politikave nga të cilat përfitojnë të gjitha komunitetet. Mirëmbajtja e parimeve siç janë arsimi i integruar dhe shumë-gjuhësia janë baza për një shoqëri të shëndoshë dhe shumëllojshme; Integrimi është një rrugë dykahëshe, dhe avancimi i të drejtave të një komuniteti nuk duhet të dëmtojë kohezionin e përgjithshëm shoqëror. Jam i informuar lidhur me miratimin e legjislacionit të ri për rregullimin e përdorimit të gjuhëve dhe do të rekomandoja që zbatimi i të njëjtit të jetë pragmatik dhe jo dogmatik. Është e rëndësishme që të balancohet nevoja për përforcimin e diversitetit gjuhësorë, përfshirë këtu edhe përkujdesjen për gjuhën amë, me promovimin e përdorimit të gjuhëve të përbashkëta, duke mundësuar në këtë mënyrë komunikimin efektiv mes grupeve të ndryshme në shoqëri. Politikat e reja arsimore dhe gjuhësore duhet në mënyrë efektive ti paraqiten opinionit më të gjerë, përmes fushatave aktive dhe të targetuara. Mesazhi duhet të jetë se të drejtat shtesë për komunitetet dhe pluralizmi gjuhësor në arsim dhe në shërbimet publike nuk ndikon mbi të drejtat ekzistuese dhe paraqet një pasuri për të gjithë.

– Qeveria miratoi Strategjinë për Arsim të Integruar në vitin 2010. Sa nga ajo strategji është zbatuar deri tani dhe cili ishte roli i OSBE-së në këtë proces. A mund të na thoni projektet kyçe të suksesshme, duke pasur parasysh se sistemi arsimor akoma është i ndarë në baza etnike?

Arsimi është tulla kryesore ndërtuese për ardhmërinë e shoqërisë. Është i ndërlikuar, kërkon një drejtim të përpiktë strategjik, program arsimor adekuat, libra shkollor dhe arsimtarë të trajnuar dhe motivuar. Sidoqoftë, zakonisht bën pjesë në prioritetet në prapavijë për shkak të asaj që është një sistem i cili funksionon në mënyrë rutine dhe arritjet nuk janë lehtë të pashme ose të shitshme nga liderët politik. Besoj se qasja në arsimin në përgjithësi dhe çdo reforme në arsim duhet të jetë gjithëpërfshirëse, jo e lidhur për prioritetet urgjente. Në nivel strategjik duhet të fillojë nga vizioni për ardhmërinë, i cili pastaj duhet të përkthehet në elemente operative të sistemit arsimor (plan program, libra, trajnime për arsimtarë) përmes aktorëve relevant në sektorin e arsimit. Nuk duhet të jetë qasje jo sistematike e cila i adreson prioritetet individuale, por një qasje gjithëpërfshirëse me një proces të gjerë konsultativ. Lufta kundër segregimit në shkolla dhe përpjekjet kundrejt arsimit të integruar dhe multikulturalizmit duhet të jenë synimi i tërë sistemit arsimor në një shoqëri diverse, dhe jo vetëm pjesë e një strategjie të specializuar. Progresi në zbatimin e strategjisë për arsim të integruar të vitit 2010 ka qenë i ngadalshëm dhe shpesh jo i nivelizuar. Shumë iniciativa janë nisur dhe përvetësuar, por shpesh ato kanë qenë të limituara në kuadër të aktiviteteve jashtë-shkollore. Vërejta se ka rritje të numrit të granteve të cilat Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ndan për shkollat të cilat ndërmarrin aktivitete të tilla.

Gjithashtu hulumtimet e fundit kanë regjistruar një qëndrim pozitiv për arsimin e integruar në mes nxënësve, arsimtarëve dhe prindërve. Gjithashtu, në kuadër të komunës së Shkupit kanë filluar të operojnë shkolla me orë në gjuhë të ndryshme të mësimdhënies, dhe shpresoj ky shembull të ndiqet edhe nga të tjerë. Mirëpo numri i shkollave ku nxënësit janë të ndarë nuk është zvogëluar dhe barrierat sa i takon integrimit janë shqetësuese. Besoj se përpjekjet sa i takon arsimit të integruar duhet të shkojnë dorë-për-dore me rritjen e kualitetit.

– Si të integrohen nxënësit në të gjitha nivelet e arsimit nëse mësojnë në shkolla të cilat janë të ndara në ndërrime në baza etnike, gjegjësisht sipas gjuhës amë? Dhe, a jeni të mendimit se ky model i arsimit të integruar duhet të praktikohet nga mosha parashkollore?

Dëshmitë nga bota tregojnë se ka suksese në modelet e arsimit të integruar të cilat fillojnë nga mosha e hershme. Njohja me të panjohurën e eliminon ndjenjën e frikës, të qenit i larguar dhe përfundimisht i ndarë në “ne” dhe “ato”. Maqedonia e Veriut nuk është shteti i vetëm i cili mundëson arsim në gjuhë amë të cilat janë krejtësisht ndryshe dhe ka shembuj suksesi nga brenda rajoni i OSBE-së për sukseset e arsimit shumë-gjuhësor dhe shumë-kulturor. Të jemi të sinqertë, fëmijët janë si sfungjerë dhe e thithin dijen dhe konceptet e reja shumë lehtë, përderisa të njëjtat janë të dhëna në mënyrë konstruktive dhe përmes metodologjisë adekuate.

– Ju e vizitoni shtetin gjatë fushatës politike në prag të zgjedhjeve presidenciale. Sipas mendimit tuaj, sa politikanë maqedonas ende përdorin kartën nacionaliste, atë të etnicitetit dhe ndarjeve (në mes qytetarëve) për kalkulimet e tyre politike (qëllime)?

Bashkëfolësit e mi raportuan se fushata ka filluar shumë qetë. Si pjesë e familjes së OSBE-së dhe nismave të përbashkëta, në vend kemi një mision për mbikëqyrjen e zgjedhjeve nga ana e ODIHR-së, i cili do ti mbikëqyrë zgjedhjet dhe do të publikojë një raport preliminar për zgjedhjet në ditët e ardhshme, duke shqyrtuar gjithashtu edhe çështjet ndëretnike. Do t’ju kisha referuar tek ai raport për pikëpamje dhe vlerësim më të detajuar. Nga perspektiva e mandatit tim është e rëndësishme që kandidatët tu drejtohen votuesve pavarësisht të përkatësisë së tyre etnike dhe të jenë të përgatitur të jenë kryetarë shteti për të gjithë qytetarët.

– A mendoni se Beogradi dhe Prishtina mund të gjejnë zgjidhje përfundimtare dhe a mundet Marrëveshja e Prespës të jetë shembull për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tjera në rajon? Sipas jush, a është i mundur një Ballkan i çliruar nga e kaluara dhe narrativet e luftës?

Shumë jam duke shpresuar se kanalet e komunikimit mes Beogradit dhe Prishtinës së shpejti përsëri do të hapen. Marrëveshja e Prespës është një arritje historike, për të cilën kam shpreh mirënjohjen time ndaj zyrtarëve në vend. Qeveria shfaqi kurajë dhe përkushtim. Marrëveshja është një nga lajmet e rralla të mira në një botë të polarizuar dhe mjedis ndërkombëtar të konfrontuar dhe kontribuon ndaj stabilitetit në rajon.

Nuk ka zgjidhje “e cila u përshtatet të gjithëve”, dhe marrëveshjet duhet të jenë të qepura sipas nevojës. Vetëm atëherë mund ta sigurojmë legjitimitetin e tyre dhe pronësinë nga komunitetet, si dhe qëndrueshmërinë. Jam i bindur se një rajon i liruar nga konflikti është i mundshëm, por kjo ka nevojë për kurajë dhe vizion: është koha të lëvizim nga mekanizmat e vjetër përmes të cilave mbahej paqja duke i ndarë komunitetet. Kanë qenë të dobishme në të kaluarën por sot janë demode. Afrimi i komuniteteve, përforcimi i komunikimit dhe dialogut duke filluar nga sistemi arsimor është mënyra e vetme për të arrit paqe të qëndrueshme.

– Çdo dy vjet, së bashku me qeverinë holandeze, KLPK organizon Çmimin Max van der Stoel – 50 mijë euro për një person, grup ose institucion për arritje të jashtëzakonshme në përmirësimin e gjendjes së pakicave kombëtare në një nga shtetet e OSBE-së. Në vitin 2018 një shkollë e mesme në Jajce (Bosnjë dhe Hercegovinë) fitoi çmimin; në vitin 2011 atë e fitoi Nansen Dialog Qendra në Shkup. Çmimi i ardhshëm do të ndahet në vitin 2020. A e dini grupin e kandidatëve nga të cilët do të zgjidhet fituesi?

Nuk e di kush do të jenë kandidatët, për shkak se procesi i nominimit dhe përzgjedhjes do të fillojë në fillim të vitit 2020. Por ajo që di është se ka disa individë dhe organizata të përkushtuara të cilat punojnë për integrim dhe diversitet në rajon dhe ky çmim është një mundësi e mirë për ti avancuar përpjekjet e tilla. Shpresoj të na vijnë shumë nominime nga rajoni dhe pse jo nga Maqedonia e Veriut, nga ku dhe ishte fituesi i vitit 2011, Qendra Nansen Dialog. Fitimi i këtij çmimi përsëri do të dërgojë një mesazh të fuqishëm se kjo shoqëri e shumëllojshme ka ndërmarrë një rrugë drejtë ndryshimit – një rrugë drejtë integrimit me respekt të plotë për diversitetin.

Neda Dimova Prokiq

Foto: Darko Popov

Таг
Back to top button
Close
Close