0_Maqedoni.Portal0_Web_Ballina - Sllajder0_Web_Përzgjedhja e redaktoritMakedonija.SlajderPolitikë

Zaevi premtoi qeveri para afatit ligjor dhe i vazhdon negociatat me Ahmetin, Mickoski akuzon për shkelje të Kushtetutës

Afatet e 20 ditëve për formimin e qeverisë po rrjedhin, pasi kreu i shtetit Stevo Pendarovski dje ia besoi mandatin liderit të LSDM-së dhe koalicionit "Mundemi" i cili fitoi më shumë deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 15 korrik.

Shkup, 14 gusht 2020 (MIA) – Afatet e 20 ditëve për formimin e qeverisë po rrjedhin, pasi kreu i shtetit Stevo Pendarovski dje ia besoi mandatin liderit të LSDM-së dhe koalicionit “Mundemi” i cili fitoi më shumë deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 15 korrik.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev pas marrjes së mandatit për formimin e Qeverisë, deklaroi se është i sigurt se në afatin e paraparë kushtetues do të arrijë të formojë ekipin e ri qeveritar.

“Prej këtij momenti, brenda 20 ditëve ne kemi për detyrë të krijojmë program dhe kuadro të cilit Kuvendi do t’i japë mandat për t’i shërbyer qytetarëve, programi qeveritar do t’i kushtohet më së shumti ekonomisë, rritjes së pagave dhe pensioneve, investimeve në rininë, në rritje dhe zhvillim, në përkujdesjen ndaj më të varfërve, në mbështetjen e ekonomisë së vendit. Do të drejtoj qeveri që nuk di për devijim nga rruga dhe e cila pas anëtarësimit në NATO vazhdon drejt anëtarësimit në BE”, tha Zaev, i cili akoma është në bisedime me palët për të formuar shumicë parlamentare.

I pyetur se çka do të ndodhë nëse për 20 ditë nuk arrin të formojë Qeveri, a do ta kthejë mandatin dhe a do të ketë zgjedhje të reja, Zaev theksoi se kjo çështje është e rregulluar me kushtetutë, duke theksuar situatën me formimin e qeverisë në vitin 2016.

“Kishim situatë të tillë në vitin 2016, mandati i ishte besuar Nikolla Gruevskit dhe ai nuk arriti për 20 ditë të formojë qeveri. Kushtetuta është e qartë se kur skadon afati mandati kthehet. Atëherë mandatin e mora unë dhe koalicioni i renditur i dyti me dy deputetë më pak se sa koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE. Unë arrita të formoj qeveri. Dallimi qëndron në atë se tani unë do të arrij të formoj Qeveri”, theksoi Zaevi. 

Ndërkohë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti në përvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit u bëri thirrje liderëve të partive tjera shqiptare në takim, por ata nuk erdhën në hotelin Park në Shkup.

“U bëra thirrje partive politike shqiptare që t’u falënderohem për bashkëpunimin e përbashkët gjatë miratimit të Ligjit për gjuhët, ndryshimet kushtetuese, e tjerë. Dëshirova t’i dëgjoj edhe propozimet dhe vërejtjet e tyre. Shumë më vjen keq që ata nuk erdhën në takimin e sotëm. Do të doja që mosardhjen e tyre të mos e shfrytëzojnë për qëllime politike. Jemi në prag të marrjes së vendimeve të mëdha”, tha Ahmeti në brifingun me gazetarë.

E vërtëetë është se kjo është ditë historike, shtoi ai, duke potencuar se takimi u konvokua me qëllim që liderët e partive shqiptare të bisedojnë.

“Lidhur me koalicionimet para dhe pas fushatës, une deklarova se duhet partnerët e deritanishëm të koalicionit të vazhdojnë. Në këto zgjedhje të gjithë ishin kundër BDI-së, por qytearët vendosën ne t’i përfaqësojmë. Fushatën zgjedhore ta lëmë pas nesh. Ende nuk ka marrëveshje mes neve dhe LSDM-së. Nëse bllokohemi, nuk është mirë për shtetin. Në BDI do të mbisundojë mençuria dhe logjika”, tha Ahmeti në brifing.

BDI-ja, siç tha, i ka vendosur linjat e kuqe. Marrëveshjen e Ohrit, Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, vetingun dhe pozitën e kryeminsitrit.

Të dy Zaev dhe Ahmeti, dje pasdite pas dhënies së mandatit të liderit të LSDM-së, zhvilluan takim të ri në të cilin morën pjesë sekretarët e përgjithshëm Ljupço Nikolovski dhe Artan Grubi dhe pas kësaj ata lëshuan kumtesë të përbashkët.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në konferencën për shtyp para shtabit të partisë, akuzoi se me ndarjen e mandatit është shkelur Kushtetuta, ndërsa bashkëpjesëmarrës i këtij akti të këtillë, sipas tij, tani është edhe presidenti Pendarovski pse Zaevit ia ndau mandatin pa parashtruar dëshmi se ai  ka siguruar shumicë.

Sipas Mickoskit, me ndarjen e mandatit, qëllimi i Pendarovskit është t’i mundësojë edhe 20 ditë negociata Zaevit për qeveri.

“Nga ana e presidentit të shtetit Stevo Pendarovski u shkel Kushtetuta. Pa kurrfarë dëshmie e cila nevojitet për të pasur shumicë parlamentare prej të paktën 61 deputetë, ai ia ndau mandatin për përbërjen e Qeverisë së re deputetit Zoran Zaevit.  Pa dëshmi, pa konfirmim se posedon shumicë, Pendarovski e ndau mandatin për përbërjen e Qeverisë së re. Sipas cilave kritere Pendarovski vendosi që mandatin t’ia ndajë partisë dhe njeriut i cili nuk parashtroi dëshmi se posedon shumicë në Parlament. Mandati pa dëshmi mund të ndahet edhe në duart e VMRO-DPMNE-së e cila që fitoi më shumë deputetë në bllokun maqedonas apo BDI-së, PDSH-së, Të Majtës, Aleancës për Shqiptarët, Alternativës apo cilësdo parti tjetër politike e cila është në Parlament”, tha Mickoski.

“Pendarovski tregoi nuk është president i të gjithë qytetarëve, ndërsa të paktën mbrojtës të Kushtetutës, por se është ekzekutues në duart e shefit të tij partiak Zoran Zaevit. Uzurpimi i këtillë i mandatit është me qëllim të merret kohë shtesë në të cilën kryetari i LSDM-së, i cili përndryshe edhe vet pranoi se nuk ka shumicë, do t’i shfrytëzojë këto 20 ditë mbi bazë të përvojës paraprake të cilën e pamë, të bëjë presion joparimor dhe jo human dhe shantazhojë mbi deputetët që të sigurojë shumicë në Parlament”, tha Mickoski.

Ai shtoi se edhe kushtetuta është e qartë – nevojitet dëshmi për posedim të shumicës mbi bazë të së cilës ndahet mandati. Gjithçka tjetër, siç tha, është shkelje e Kushtetutës.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, lideri i VMRO-DPMNE-së edhe një herë tha se asnjë deputet nga partia e tij nuk do t’i japë mbështetje Zaevit dhe LSDM-së për formimin e Qeverisë.

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski pas takimit me liderin e VMRO-DPMNE-së Hrisitijan Mickoski deklaroi se mandatin ia ka besuar Zoran Zaevit, sepse vlerëson se afatet për mandat po rrjedhin pas verifikimit të mandateve të deputetëve edhe pse nuk është zgjedhur kryetar i Kuvendit duke pasur parasysh praktikën politike gjatë 30 viteve të fundit, gjegjësisht situatat në vitet 2006 dhe 2016.

“Deri në këtë moment, 61 deputetë nuk ka asnjë parti politike, asnjë subjekt politik nga ata që hynë në parlamentin e ri, por z.Zaevi u shfaq dje dhe tha se në negociatat me disa parti politike me deputetët e tyre në Kuvend është në rrugën e duhur për të siguruar shumicë”, tha Pendarovski, duke shpjeguar përgjigjen e tij në pyetjet nga Mickoski dhe Siljanovska nëse dhe në çfarë mënyre ai ishte bindur nga Zaevi se e ka shumicën.

Lidhur me faktin nëse ai ka kërkuar garanci për shumicën e supozuar të Zaevit, Pendarovski tha se këtë nuk e kishte kërkuar asnjë president nga Gligorovi e deri më sot, përveç Gjorge Ivanovit, dhe se nënvizoi ai, herën e dytë që Zaev erdhi të kërkojë mandatin pas Gruevski, i cili kishte vetëm 51 deputetë dhe nuk kishte shumicë të dukshme nuk i kërkoi nënshkrimet.

“Bindja ime edhe si president edhe si person është që njerëzve, sidomos atyre që aspirojnë të jenë kryeministër të këtij vendi nesër, duhet t’u besohet, sepse ata gjithashtu kanë një përgjegjësi jo vetëm ndaj partisë së tyre por edhe votuesve të tyre, më në fund nëse për 20 ditë zotëri Zaevi nuk formon qeveri, kështu do të bindemi që ai nuk ka 61 persona dhe do ta kthejë mandatin prapa. Pra, nuk mund të merrni mandat me truke duke thënë që kam shumicë kam shansin të bëj shumicë dhe brenda 20 ditësh i gjithë opinioni do të shohë që nuk keni shumicë. Shumica e 61 deputetëve nuk konfirmohet nga presidenti kur ai jep mandatin me nënshkrim ose deklarata të noterizuara, por përcaktohet në ditën e votimit në Kuvend për qeverinë e re”, tha Pendarovski.

E imja, tha ai, është të jap mandatin prej 20 ditësh. Ai që pretendon se ka shumicë ose se do të bëjë shumicën, të dëshmojë se ka shumicë në Kuvend, nëse jo, ai ia kthen mandatin dhe shkojmë me palën e dytë që ka më së shumti mandate – dhe ky është koalicioni VMRO-DPMNE, tha mes tjerash Pendarovski. bs/fab

Back to top button
Close
Close