0_Maqedoni.Portal0_Web_AktualeMakedonija.SlajderMIA InvestigonReportazhShoqëriVideo

Xhamia e Isa Beut dhe muaji i Ramazanit në kohën e pandemisë së KOVID-19

Nën rrapin qindra vjeçar në xhaminë e Isa Beut në Shkup, këtë muaj të Ramazanit nuk do të mbahen ligjërata fetare. Aq më pak në këtë xhami, si rezultat i pandemisë nga virusi KOVID-19, nuk do të ketë falje të namazeve të rregullta dhe teravive. Për shumë besimtarë të përkatësisë islame ky muaj i shenjtë i Ramazanit i cili zyrtarisht fillon të premten, do të jetë muaji më i pazakontë i agjërimit deri më tani. Vendimi i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) për mbylljen e xhamive, si parandalim për përhapjen e virusit korona, poashtu nënkupton ndalesë edhe për organizimin e iftareve nëpër xhami.

Shkup, 21 prill 2020 (MIA) –  Nën rrapin qindra vjeçar në xhaminë e Isa Beut në Shkup, këtë muaj të Ramazanit nuk do të mbahen ligjërata fetare. Aq më pak në këtë xhami, si rezultat i pandemisë nga virusi KOVID-19, nuk do të ketë falje të namazeve të rregullta dhe teravive. Për shumë besimtarë të përkatësisë islame ky muaj i shenjtë i Ramazanit i cili zyrtarisht fillon të premten, do të jetë muaji më i pazakontë i agjërimit deri më tani. Vendimi i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) për mbylljen e xhamive, si parandalim për përhapjen e virusit korona, poashtu nënkupton ndalesë edhe për organizimin e iftareve nëpër xhami.

Hatibi i xhamisë së Isa Beut në Shkup, hoxhë Muharem Ismaili në një prononcim për MIA-n, shprehet se Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, së bashku me xhamitë është treguar largpamëse karshi rrezikut që vjen nga virusi KOVID-19 dhe si masë preventive për përhapjen e këtij virusi ka vendosur që përkohësisht të mbyll xhamitë me të vetmin qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve.

Në prag të muajit të Ramazanit, hoxhë Muharemi, flet edhe për atë se si duhet ta organizojnë dhe kalojnë kohën besimtarët mysliman, kur tashmë është e ditur se nuk do të kenë qasje deri te xhamitë. Sipas tij besimtarët në këtë periudhë pandemie duhet të tregohen fleksibil dhe adhurues të Allahut a.xh dhe si të tillë duhet t’i përshtaten situatës dhe rrethanave të reja dhe duke u munduar që përparësitë e kësaj gjendje t’i shfrytëzojnë për nga e mira dhe e mbara.

“Nëse më herët besimtarët ankoheshin se e kanë rëndë dhe vështirë të agjërojnë muajin e bekuar të Ramazanit, si pasojë e angazhimeve të tyre të përditshme, të stërngarkuar, tani më kjo arsye bie poshtë ngase janë më të lirë dhe më të fuqishëm dhe mund ta shijojnë më mirë. Ata mund ta kalojnë ditën në forma dhe mënyrë multifunksionale siç është leximi i Kur’anit, ndeja me familjet, vizita e farefisit brenda ditës, dëgjimin e Kur’anit nga lexues të ndryshëm, leximin e librave fetar, dëgjimin e emisioneve të dobishme. Gjitha këto për një besimtar nënkuptojnë një Ramazan të bujshëm me shumë aktivitet të ndryshme”, thotë hoxhë Muharemi.

Kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, vendosja e orës policore dhe mbyllja e xhamive për besimtarët mysliman si shkak i pandemisë me virusin korona për hoxhën Muharem Ismaili, paraqesin një mundësi të mirë që këta të fundit t’i përkushtohen leximit të Kur’anit gjatë muajit të Ramazanit, pasi siç thekson ai, “ky muaj i bekuar krahas specifikës së agjërimit është edhe muaj librit të shenjtë Kur’anit”.

Ashtu si shumë xhami në vend edhe kjo e Isa Beut në qendër të Shkupit, së fundmi i ka marrë udhëzimet nga BFI-ja për organizimin fetar gjatë muajit të Ramazanit edhe pse dyert e tyre do të jenë të mbyllura për besimtarët mysliman. Njëra prej këtyre udhëzimeve është që imami i xhamisë për çdo ditë do të jetë prezent në xhami, kuptohet me përjashtim kur është në fuqi ora policore. Njëkohësisht në xhami siç sqaron hoxhë Muharemi, do të jetë prezent myezini i xhamisë i cili do të vazhdoj me thirrjen e ezanit pesë herë në ditë, përfshi edhe një anëtar të Këshillit të xhamisë. Vendim tjetër i BFI-së është leximi i Kur’anit, të cilin do ta kenë mundësi ta dëgjojë edhe ata të cilët gjenden jashtë, të cilët punojnë lëvizin nëpër tregje, duke pasur për qëllim përkujtimin e besimtarëve për fjalët e Zotit.

“Imami do të jetë prezent në xhami për dhënien e fetvave, sqarimit të dilemave rreth të cilat besimtarët i kanë rreth agjërimit, për të sëmurit siç duhet agjëruar, për nënat të cilat janë me foshnje apo me fëmijë të vegjël a duhet apo jo të agjërojnë. Në njëjtën kohë në xhami do të jetë prezent edhe Këshilli i xhamisë që të pranon zekatin, sadakl- fitrin, lëmoshën që dëshirojnë të japin besimtarët për Medresenë e Isa Beut dhe institucionet e BFI-së. Pra, do të jetë një komunikim i vazhdueshëm me xhematin dhe besimtarët të cilët i frekuentojnë xhamitë. Në një formë edhe pse xhamitë nuk do të jenë funksionale, funksionalizimi i xhamisë, shërbimet ndaj xhematit do të vazhdojnë të jenë aktiv gjatë gjithë muajit të Ramazanit, si me paralajmërimet për namaz, qoftë me pyetje dhe përgjigjet në formë individuale, thekson hoxhë Muharemi.

KOVID-19, sfidë edhe për hoxhallarët

Përveç për besimtarët mysliman, mbyllja e xhamive gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, është sfidë edhe për hoxhallarët dhe prijësit fetar. Hoxhë Muharem Ismaili duke e pasur parasysh realitetin aktual, për MIA-n thotë se është optimist dhe se ai për vete ka përgatitur një plan- program të bujshëm për muajin e Ramazanit. Ndeja në xhami gjatë kohës kur e ka të lejuar, komentimi i ajeteve kuranore, shfrytëzimi i rrjeteve sociale dhe mediave për këshilla dhe sugjerimi është vetëm një pjesë e agjendës të cilën hoxha Muharemi e ka paraparë ta realizojë në Ramazan.

“Me qëllim që besimtarëve mysliman t’ua bëjmë më të freskët, më atraktiv, më të bukur dhe më të lehtë agjërimin do të mundohemi që për çdo ditë gjatë Ramazanit t’ju ofrojmë diçka të re. Me padurim e pres këtë muaj. Besoj se ky Ramazan do të jetë shumë më interesat nga Ramazanet tjerë të cilët me vite kanë qenë klasike. Në një formë kjo është dalje nga monotonia dhe implementim i metodologjive të reja të thirrjes në islam, mesazhit islam. Për mua është një atraksion, një mundësi e re që me shumë gëzim jam duke e pritur. Besoj se do të korri sukses”, thekson tutje hoxhë Muharemi.

Mes tjerash muaji i Ramazanit njihet edhe si muaj i bujarisë dhe solidaritet. Miratimi i masave restriktive si mbrojtje nga virusi korona gjatë periudhës së fundit ka shkaktuar një krizë të konsiderueshme ekonomike dhe sociale te qytetarët. Rreth kësaj çështje hatibi i xhamisë së Isa Beut, Muharem Ismali nuk dyshon se edhe kësaj radhe të pasurit dhe tregtarët do ta dëshmojnë vetën dhe do të ndihmojnë kategoritë e rënda sociale, siç janë jetimët, nevojtarë, por edhe Medreseja e Isa Beut e cila është një vatër e diturisë në vendin tonë.

“Tani më mund t’i ridestinojmë mjetet tona që si viteve të kaluara i kemi harxhuar për organizimin e iftareve me familjarët. Ndoshta gjatë këtij muaji këtë vit nuk do të kemi mundësi të organizojmë iftare dhe të ftojmë farefisin, respektivisht këtë sadaka (iftar) ta paketojmë dhe ta shpërndajmë te skamnorët, pra sofra jonë në shtëpinë e nevojtarëve. Besoj se kjo do të jetë një sfidë e re edhe në aspektin e humanizmit dhe solidaritet që gjatë këtij muaji ta manifestojmë moralin tonë të lartë si besimtar mysliman”, nënvizon Ismaili.

Ndryshe, ai i komentoi edhe paralajmërimet e autoriteteve shtetërore për zbutjen e masave të cilat pritet të fillojnë nga ditët e para të muajit maj, duke nënvizuar se e parandien se nga fundi i Ramazanit do të ketë lehtësime pozitive dhe se një pjesë të teravive besimtarët do t’i falin brenda xhamive. Njëkohësisht, hoxhë Muharemi shtoi se është i bindur se edhe namazin e Fitër Bajramit do ta falë së bashku me xhemat.

Omer Xhaferi

Foto: Ivana Batev

Video: Allsan Vishko

Back to top button
Close
Close