0_Maqedoni.Portal0_MIA Investigon.PortalMakedonija.SlajderShoqëriTemë

Viti i kaluar 2019, vit i masave për përmirësimin e standardit të qytetarëve, por edhe më tutje mbeten sfida

Me pagë të rritur minimale dhe subvencione për kontribute për punëdhënësit që do ta rrisin pagën prej 600 deri 6.000 denarë, pension social për personat të cilët nuk kanë stazh pune, ndihmë më të madhe sociale, shtesa për fëmijë dhe arsim... vitin e kaluar Qeveria tentoi të avancojë gjendjen dhe të rrisë standardin e qytetarëve.

Shkup, 6 janar 2020 (MIA) – Me pagë të rritur minimale dhe subvencione për kontribute për punëdhënësit që do ta rrisin pagën prej 600 deri 6.000 denarë, pension social për personat të cilët nuk kanë stazh pune, ndihmë më të madhe sociale, shtesa për fëmijë dhe arsim… vitin e kaluar Qeveria tentoi të avancojë gjendjen dhe të rrisë standardin e qytetarëve.

Asnjë i punësuar në shtet prej dhjetorit nuk guxon të marrë pagë më të vogël se 14.500 denarë. Lartësia e pagës minimale pas negocimit disamujor ishte harmonizuar përmes dialogut social me të gjithë partnerët social, në marrëveshje edhe me sindikatat dhe punëdhënësit. Nga Qeveria presin që me këtë të rritet standardi i punëtorëve, por edhe të nxitet rritja e mëtejshme e pagave, që paraprakisht kanë qenë të njëjta ose më të larta se paga e tanishme minimale. Punëdhënësit, ndonëse një pjesë e tyre konsiderojnë se do t’u paraqesë barrë plotësuese, janë të vetëdijshëm se rritje të pagave duhet doemos të ketë në mënyrë që të mbahen punëtorët.

Megjithatë, mbeten druajtjet nga praktika e keqe që paga e garantuar me ligj t’u paguhet punëtorëve në llogari të transaksionit, e më pas t’u kërkohet që t’ua kthejnë punëdhënësve në “kesh”. Për parandalimin e kësaj dukurie, kompetentët bëjnë thirrje që punëtorët t’i denoncojnë rastet e tilla, ndërsa edhe, siç bëjnë të ditur, i forcojnë kapacitetet e Inspektoratit të punës që të mund të veprojë për denoncimet.

Krahas rritjes së pagës minimale, pritet edhe rritje të pagave të tjera përmes shfrytëzimit të masave qeveritare për subvencionimin e kontributeve për rritjen e pagave prej 600 deri 6.000 denarë.

Me masën për subvencionimin e kontributeve për shkak të rritjes së pagave pritet që deri 20 për qind e të punësuarve në sektorin privat të marrin paga më të mëdha. Për këtë masë në Buxhet janë planifikuar dy miliardë e 400 milionë denarë.

Megjithatë, pas miratimit të zgjidhjes ligjore për pagë minimale mbeten dilemat nëse me të vërtetë do të nxitet rritja e mëtejshme e pagave, nëse punëdhënësit do të kenë mundësi reale për ta bërë këtë dhe nëse kjo zgjidhje do të thotë ulje të pagesës së pagës në zarf, mënyrë në të cilën punëdhënësit tentonin t’i shmangen pagesës së taksave ndaj shtetit për paga më të larta.

Masat, sipas Qeverisë, tashmë i japin rezultatet, Me masën për subvencionim të kontributeve për shkak të rritjes së pagave, 44.940 punëtorë në sektorin real kanë marrë pagë të rritur. Në mesatare, pagat e këtyre të punësuarve janë rritur për 4.100 denarë.

Për avancimin e standardit të qytetarëve, veçanërisht në kategoritë e rrezikuara janë bërë reforma në fushën e mbrojtjes sociale, me ç’rast është rritur ndihma sociale, tani e emërtuar si të ardhura të garantuara minimale, ndërsa u mundësuan kushte në mënyrë që një numër më i madh i tyre të mund të realizojnë shtesa për fëmijë dhe për arsim.

Deputetët në Kuvend në maj e votuan pakon e ligjeve që duhet të mundësojnë reformën sociale. Tre pakot e ligjeve për mbrojtje sociale dhe fëmijërore dhe siguri sociale të personave të moshuar duhet të mundësojnë transformim të plotë të sistemit të deritanishëm të mbrojtjes sociale dhe vendosjen e drejtësisë sociale si bazë të çdo shoqërie të shëndoshë dhe të avancuar.

Nga Ministria atëherë e vlerësuan këtë si ditë e madhe për shtetin tonë dhe për të gjithë qytetarët.

– Kuvendi i votoi pakon e ligjeve për reformë sociale, me këtë reformë vendosim standard të ri në mbrojtjen sociale. Punojmë drejtpërdrejt në uljen e varfërisë fëmijërore, i avancojmë të drejtat e personave me pengesë dhe për herë të parë vendosim ligj për siguri sociale të personave të moshuar. Gjithë këtë reformë e kemi punuar në konsultim me të gjitha palët e prekura dhe kjo na jep të drejtën të besojmë se e njëjta do t’i arrijë rezultatet e saj. Jo vetëm që vendosim të ardhura përkatëse minimale ose më shumë mjete financiare te të varfrit, por vendosim edhe shërbime që drejtpërdrejt këta persona do t’i shpijnë drejt punësimit, ndërsa fëmijët deri në arsimin parashkollor në gjithë sistemin arsimor, bënë të ditur nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Me këtë, konsiderojnë nga Ministria, mundësohet që secili t’i arrijë potencialet e tij në shoqëri.

Me reformën sociale qasja deri te shtesa për fëmijë dhe ajo për arsim rritet për 20 herë më shumë persona. Konkretisht, shtesën për fëmijë në vend të shifrës së deritanishme prej 3.200 fëmijë do ta shfrytëzojnë 73.500 fëmijë, ndërsa shtesën për arsim në vend se 3.800 fëmijë, 64.316 fëmijë. Është vendosur edhe siguri sociale për persona të moshuar që kanë mbetur pa pension të moshës dhe nuk kanë burime të tjera të ekzistencës.

Përkundër të gjitha masave të ndërmarra në vend edhe më tutje 21,9 për qind ose rreth 455 mijë qytetarë janë të varfër, ndonëse vërehet ulje krahasuar me vitin 2017 kur shkalla e varfërisë arrinte 22,2 për qind.

Sllavica Stefanovska

Провери го и ова

Close
Back to top button
Close
Close