Lajme nga komunatShkup

Vazhdon fushata për mbledhjen falas të mbetjeve nga korrjet për të parandaluar djegien e stërnishtave 

Qyteti i Shkupit e vazhdon fushatën për mbledhjen falas të mbetjeve nga korrjet për të parandaluar djegien e stërnishtave, e kështu duke e mbrojtur ajrin nga ndotja.

Shkup, 12 gusht 2020 (MIA) – Qyteti i Shkupit e vazhdon fushatën për mbledhjen falas të mbetjeve nga korrjet për të parandaluar djegien e stërnishtave, e kështu duke e mbrojtur ajrin nga ndotja.

Qyteti i Shkupit, siç thuhet në kumtesë është njësia e parë e vetëqeverisjes lokale e cila fillon fushatën për eliminimin e djegies së arave dhe stërnishtave, me qëllim zvogëlimin e ndotjes së ajrit dhe ruajtjen e pjellorisë së truallit.

Djegia e stërnishtave, barërave të këqija dhe mbetjeve të tjera bimore shkatërron mikroflorën dhe faunën e shtresës së punueshme të truallit, – atë që e bën truallin të gjallë, pjellor dhe ripërtëritës. Gjithashtu, djegia e stërnishtave dhe sipërfaqeve bujqësore në kushtet e motit kur kemi temperatura të larta, janë faktor i cili luan rol të madh në shfaqjen e zjarreve, të cilat përveç dëmit shumë të madh që u shkaktojnë kulturave bujqësore, përbëjnë një rrezik serioz edhe për jetën e njeriut.

Qytetarët e interesuar mund të telefonojnë në numrin 071 395 395 dhe të dakordohen për mbledhjen falas të mbeturinave organike. Kjo fushatë këtë vit do të përfshijë tërë rajonin planor të Shkupit, sepse të gjithë banorët e tij e thithin të njëjtin ajër.

Përveç grumbullimit falas të mbeturinave organike, Qyteti i Shkupit si motiv shtesë këtë vit ofron mundësinë për këdo që do ta shfrytëzojë këtë mundësi, në sezonin e mbjelljes të marrë rreth 30 kg pleh organik për çdo 100 kg mbeturina. Ky projekt do të përfshijë gjithashtu kompostimin e materialit të mbledhur në objekt në pronësi të Qytetit të Shkupit.

Vitin e kaluar, kjo fushatë u organizua për herë të parë nga Qyteti i Shkupit me mbështetjen e UNDP dhe MDC-Ti.net dhe dha rezultate të shkëlqyera – grumbullim falas të mbeturinave nga korrja, dhe nga Qyteti i Shkupit kërkuan këtë shërbim mbi 120 banorë të Shkupit, me ç’rast u grumbulluan, dhe kështu u parandalua djegia e rreth 700 metrave kub të mbeturinave organike. Këtë vit, fushatës për të parandaluar djegien iu bashkëngjit edhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave në pjesën e planifikimit të periudhave kur bëhet vjelja e kulturave të ndryshme bujqësore. Fushatës me mbështetjen e aktiviteteve promovuese iu bashkua edhe Hallk Banka. fb/

Back to top button
Close
Close