0_Maqedoni.Portal0_Web_Ballina - Sllajder0_Web_Përzgjedhja e redaktoritMakedonija.SlajderPolitikë

Vazhdon debati publik për Ligjin për Prokurorinë Publike

- Debati publik për Ligjin për Prokurorinë Publike vazhdon sot në Kuvend në organizim të Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive. Përfaqësues të fellës së ekspertëve dje, në ditën e parë të debatit shprehën mendimet dhe vërejtjet e tyre për tekstin e propozuar dhe pritet që një pjesë e tyre të gjenden në tekstin e ligjit i cili së pari duhet të dorëzohet në procedurë kuvendore. 

Shkup, 29 janar 2020 (MIA) – Debati publik për Ligjin për Prokurorinë Publike vazhdon sot në Kuvend në organizim të Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive. Përfaqësues të fellës së ekspertëve dje, në ditën e parë të debatit shprehën mendimet dhe vërejtjet e tyre për tekstin e propozuar dhe pritet që një pjesë e tyre të gjenden në tekstin e ligjit i cili së pari duhet të dorëzohet në procedurë kuvendore.

Sipas shumicës së tyre Ligji për Prokurorinë Publike është i nevojshëm dhe ai duhet të miratohet nga Kuvendi.

Teksti i propozuar, që paraprakisht ishte dorëzuar deri te pjesëmarrësit në debat, e shpjegoi ministrja e Drejtësisë, Renata Treneska Deskoska e cila pret që nga debatet të dalë përgjigje për zgjidhjen e disa çështjeve të cilat janë, siç tha, “pengesë” për miratimin e ligjit.

Çështjet kontestuese, sipas Deskoskës, janë se si duhet të jetë roli i partive politike në zgjedhjen e prokurorëve publikë për krim të organizuar dhe korrupsion, nëse duhet të ketë afate për mbylljen e procedurave të caktuara, afatet për vlefshmërinë e dëshmive siç kërkohet lidhur me ata që dalin nga bisedat e përgjuara, kriteret për shkarkimin e prokurorëve, përgjegjësia personale dhe materiale, dhe nëse duhet të ekzistojnë garanci financiare. Gjithashtu ekzistojnë edhe dilema për ndarjen e kompetencave midis Prokurorisë Publike dhe Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

Gjatë hartimit të ligjit është llogaritur, potencoi ministrja Deskoska, për vendosjen e Prokurorisë Publike e cila do të kontribuojë për zbatim të drejtë, të paanshëm dhe efikas të drejtësisë dhe sigurimin e pavarësisë dhe autonomisë efektive të prokurorëve dhe vendosjen e masave të caktuara mbrojtëse me qëllim që të sigurohet Prokurori Publike efikase, të pavarur e cila do të kontribuojë për ndërtimin e sundimit të së drejtës.

Edhe në këtë tekst ligjor është paraparë përfshirje të Prokurorisë Speciale Publike në suaza të Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

Prokurori publik shtetëror Ljubomir Joveski konsideron se duhet të ketë ligj për prokurorinë publike i cili do të sigurojë kushte, themele për prokurori të fuqishme, profesionale dhe joselektive dhe me përgjegjësi.

“Zgjidhjet në ligjin nuk duhet të përmbushin nevojat dhe interesat ditore politike të dikujt, as të jenë rezultat i pazareve, por ta harmonizojnë legjislacionin vendor me legjislacionin e BE-së dhe në mënyrë më të mirë ta vendosin organizimin e brendshëm të PP-së, para së gjithash për shkak të rritjes së efikasitetit në trajtimin e zgjedhjes dhe avancimit të prokurorëve publikë dhe përgjegjësisë”, tha Joveski.

Sipas tij, zgjidhjet e propozuara në tekstin punues të ligjit për prokurori publike e përforcojnë pavarësinë e prokurorëve publikë në trajtimin e lëndëve konkrete, ndërsa parimi i hierarkisë në të cilin në fund të fundit janë bazuar prokuroritë në vende të tjera ka të bëjë në mbikëqyrje mbi ligjshmërinë dhe kryerjen me kohë të funksionit të prokurorisë publike.Joveski konsideron se ligji shumë saktë i jep bazat e reja për përgjegjësi disiplinore dhe materiale të prokurorëve publikë.

Joveski tha se prokurorët nga ish PSP-ja në ligj nuk kanë trajtim të veçantë, as megjithatë janë prokurorë në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar por mbesin në prokuroritë ku ishin të punësuar para zgjedhjes së prokurorëve specialë.

Joveski konsideron se prokurori publik nuk duhet të zgjidhet në propozim të partive politike, por se duhet të jetë në kompetencë të Këshillit për Prokurorë Publikë.

Profesoresha Gordana Siljanovska theksoi se lidhur me këtë zgjidhje ligjore duhet të merren parasysh mendimet e Komisionit të Venecias dhe se ai nuk duhet të miratohet me procedurë të shkurtuar, por se fillimisht duhet të dërgohet deri te Komisioni, ndërsa pastaj të miratohet.

Sillanovska tha se ligji nevojitet të sigurojë departizim dhe depolitizim, e jo siç ishte bërë Prokuroria Speciale Publike.

Profesoresha shprehu një varg vërejtjesh për tekstin, në mesin e të cilëve edhe mënyra e zgjedhjes së prokurorëve, për siç tha privilegjet e tyre për shumë punë, por edhe për pagat të cilat parashihen për ata, ndërsa edhe më shumë për bonuset e parapara gjegjësisht shtesën për besueshmëri.

Sipas akademikut Vllado Kambovskit ligji duhet të miratohet nëse jo nesër, për dhjetë, pesëmbëdhjetë ditë, ndërsa nëse nevojitet le të shtyhen edhe zgjedhjet për një muaj sepse ky është ligji me të cilin përcaktohet sundimi i së drejtës dhe duhet të miratohet.

Duke folur për nenin 110 të Ligjit për Prokurorinë Publike sa i përket ruajtjes së materialeve pasi të kalojnë tre vite nga përfundimi i plotfuqishëm i procedurave të shkatërrohen, tha se duhet të mendohet se çka do të ndodhë me materialet për të cilat nuk udhëhiqen procedura.

Kambovski në fund të debatit tha se pret që ligji të mbështetet duke i parë, siç shtoi, reagimet e deputetëve të gjithë pajtohen me fjalimin e tij. Në fillim vuri në dukje se ligji miratohet pa u reformuar prokuroria publike shtetërore.

Prokurorja e ish Prokurorisë Speciale Publike, Fatime Fetai në debatin publik për Ligjin e Prokurorisë Publike kërkoi që prokurorët e krimit të organizuar dhe korrupsionit të mund të veprojnë edhe para Gjykatës së Apelit, e jo që këtë ta bëjë ndonjë prokuror i lartë, dhe të ketë kritere më rigoroze për zgjedhjen e shefit dhe prokurorëve të kësaj prokurorie publike.

“Prokuroria Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion duhet të veprojë përveç se para Gjykatës Themelore edhe para Gjykatës së Apelit Shkup dhe me këtë t’i ndryshohet emri në Prokurori Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, tha Fetai.

Me veprimin e prokurorit të lartë, theksoi, zvarritet procedura, mundësia për ndikim në ato procedura është rritur dukshëm, ndërsa afatet e shkurtra nuk lejojnë ai prokuror të ketë qëndrim juridikisht të qëndrueshëm dhe atë ta thotë para Gjykatës së Apelit.

Sa i përket zgjedhjes së shefit dhe prokurorëve, Fetai vlerëson se ajo duhet të përfshihet dhe mbikëqyret nga Zyra e BE-së në Shkup, si dhe të ketë të drejtë të japë mendim për ata kandidatë. Ajo kërkoi gjithashtu opinioni të përfshihet maksimalisht, siç tha para saj edhe Sllaxhana Taseva nga Transparensi Interneshënëll.

Profesori Gordan Kallajxhiev vlerëson se një nga zgjidhjet e mundshme është prokurori tërësisht e re për krim të organizuar e cila do të ketë autonomi më të madhe, sipas parimit të PSP-së, por që të mos mund ta udhëheqë prokurori aktual.

“Këto procedura që janë kontestuese, nuk mundet asnjë subjekt politik t’i ringjallë”,tha Kallajxhiev.

Profesoresha Tanja Karakamisheva tha se zgjidhja ligjore është e kundërt me Kushtetutën dhe për këtë vlerëson se ky version i ligjit duhet të përpunohet.

Karakamisheva vlerëson se teksti i ligjit për Prokurorinë Publike duhet të dërgohet deri te Komisioni i Venecias për marrjen e mendimit urgjent që të vlerësohet përmbajtja e tij dhe harmonizimi me legjislacionin e BE-së dhe me standardet ndërkombëtare.

Sipas profesoreshës, ligji po keqpërdoret për, siç tha, futjen e kuadrove të PSP-së dhe futjen e kompetencave të PSP-së.

“Nëse do të ishte akt reformues ky do të ishte tekst tërësisht i ri”, tha Karakamisheva.

Gjykatësja e pensionuar Violeta Duma në lidhje me mbylljen e lëndëve të filluara nga PSP-ja tha se këtë mund ta bëjë vetëm prokurori publik, duke vlerësuar vlefshmërinë dhe saktësinë e tyre. E njëjta ka të bëjë edhe për dëshmitë, për çka thotë se secila dëshmi e cila i është dhënë një organi kompetent është dëshmi të cilën e heton prokurori publik.

Gjatë fjalimit të prokurorit publik shtetëror Ljubomir Joveskit, deputetë të VMRO-DPMNE-së nga galeria ku gazetarët e ndjekin debatin publik vendosën transparent në të cilën shkruante: “Z. Joveski deri kur do ta fshihni letrën me të cilën Katica e arrestuar ju dha urdhër të paligjshëm? (neni 60, ligji për PP)”.

Në debatin publik marrin pjesë përfaqësues të fellës ligjore, prokurorë, avokatë, profesorë nga fakultetet juridike dhe nga sektori i OJQ-ve, si dhe deputetë nga të gjitha partitë politike.  Përparësi për shfaqjen e vërejtjeve të tyre kanë përfaqësuesit e fellës së ekspertëve. fc/

Back to top button
Close
Close