Lajme nga komunatShkupVideo deklaratë

U mbollën drunj me rastin e 70-vjetorit të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës

- Në parkun në rrethinën e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës kryetari i qytetit të Shkupit Petre Shilegov dhe përfaqësues të këtyre dy institucioneve të arsimit të lartë sot mbollën shtatë drunj të llojit çinar. 

Shkup, 6 dhjetor 2019 (MIA) – Në parkun në rrethinën e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës kryetari i qytetit të Shkupit Petre Shilegov dhe përfaqësues të këtyre dy institucioneve të arsimit të lartë sot mbollën shtatë drunj të llojit çinar.

Aksioni simbolik për mbjelljen u organizua me rastin e 70-vjetorit të formimit të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës, në kuadër të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup.

“Qyteti i Shkupit në mënyrë simbolike e uron 70-vjetorin e këtyre dy fakulteteve, gjegjësisht për secilën dekadë të ekzistimit mbollëm nga një dru. Këtë park Qyteti i Shkupit e rregulloi vjeshtën e kaluar, tërësisht e rinovuam gjelbërimin dhe vendosëm pajisje adekuate urbane. Projekti ishte realizuar përmes nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim mes Qytetit të Shkupit dhe dy fakulteteve të cilat e ndajnë këtë hapësirë. Këto dyer më nuk mbyllen, ndërsa ky park përveç se është kopsht i fakulteteve, paraqet edhe hapësirë publike të cilën mund ta përdorin qytetarët. Ne kemi bashkëpunim të mirë me ato dy fakultete dhe marrim këshilla të mira në raport me zhvillimin e ardhshëm të qytetit, e atë bashkëpunim në të ardhmen  edhe do ta thellojmë”, deklaroi Shilegovi.

Ai përkujtoi se këtë vjeshtë ishin mbjellë mbi 7.000 drunj në lokacione të ndryshme në të gjitha komunat e qytetit, ishin bërë disa parqe të reja dhe ishin zbukuruar disa hapësira ekzistuese të parqeve. Ishin bërë edhe vargje të drunjve përgjatë rrugëve të qytetit dhe bulevardeve, ishin plotësuar vargjet e drunjve ekzistues, ishte rinovuar gjelbërimi në bulevarde, ndërsa janë rregulluar hapësira të reja të gjelbra dhe sheshe të vogla të gjelbra.

Siç kumtuan autoritetet e qytetit, krijimi i hapësirave të reja të gjelbra mbetet në krye të listës së prioriteteve të Qytetit të Shkupit, ndërsa në të njëjtën kohë punohet në rinovimin e gjelbërimit të humbur. Qëllimi është që qyteti të ketë më shumë hapësira të pastra të gjelbra.

Në atë drejtim, Shilegovi iu bëri thirrje edhe institucioneve të tjera shkencore-arsimore që të mbjellin drunj në kopshtet e tyre dhe në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit t’i rregullojnë me gjelbërim.

Në këtë ngjarje foli edhe dekani i Fakultetit Arkitektonik, Ognen Marina, i cili e përshëndeti bashkëpunimin e mirë me Qytetin e Shkupit. fc/

Back to top button
Close
Close