0_Web_AktualeBotëBotë.PortalKorrespondentë BotëSvet.Slajder

Tramp ka bërë keqpërdorim të shumëfishtë dhe të ashpër të pushtetit presidencial, pohojnë demokratët në impiçment

Demokratët nga Dhoma përfaqësuese mbrëmë në Senat dolën me seri akuzash të adresuara drejt presidentit amerikan, Donald Tramp për keqpërdorim "të shumëfishtë dhe të ashpër" të pushtetit presidencial.

Uashington, 24 janar 2020 (MIA) – Demokratët nga Dhoma përfaqësuese mbrëmë në Senat dolën me seri akuzash të adresuara drejt presidentit amerikan, Donald Tramp për keqpërdorim “të shumëfishtë dhe të ashpër” të pushtetit presidencial.

“Kuid pro kuo” (shërbim për shërbim) dhe “korrupsion”, “tradhëti” dhe “keqpërdorim të pushtetit në formë më të pastër”, “gënjeshtra dhe mashtrime” në “dobinë e tij personale politike” për “rizgjedhje” me “ndryshim të rezultatit të zgjedhjeve në vitin 2020”, ishin disa nga kualifikimet që prokurorët demokratë i thanë dje për Trampin, në paraqitjet e tyre disaorëshe në gjykatën për impiçment, transmetuar drejtpërdrejt në televizionet nacionale.

Sipas tyre, këto aksione, në mënyrë kushtetuese mund të karakterizohen si “posaçërisht krime dhe shkelje të rënda”, për të cilat ai duhet të shkarkohet nga funksioni.

Kongresisti Xherold Nadler, një nga menaxherët (prokurorët) e impiçmentit, në paraqitjen e tij para senatorëve deklaroi se tentimet e Trampit ta detyrojë Kievin të fillojë hetim për Bajdenin “i mishërojnë brengat më të tmerrshme të etërve themelues (të SHBA-së).

“Kjo është e padrejtë, kjo është e paligjshme”, theksoi Nadler.

Shtoi se të gjithë 44 presidentët paraprak “do të ishin shokuar thellë në shpirtin e tyre”, me aksionet e presidentit të 45-të të SHBA-së. Nadler deklaroi se paligjshmëritë e bëra nga Trampi “do ta skuqnin edhe presidentin Nikson”, i cili dha dorëheqje pas skandalit Uotergejt, duke u frikësuar se Kongresi mund t’i votojë impiçment.

“Kjo nuk është politika ‘interesi i Amerikës në vend të parë’, por ‘Donald Tramp në vend të parë'”, tha Nadler.

Ai iu referua profesorëve të së drejtës kushtetuese të cilët dëshmuan gjatë dëgjimit në Dhomën përfaqësuese vitin e kaluar në nëntor. Ekspertët atëherë e cekën faktin e pamohueshëm për keqpërdorim të pushtetit dhe përmendën mundësinë për ngritjen e aktakuzës ndaj Trampit, sikur edhe të mos kishte bërë vepra konkrete penale.

“Impiçment ndahet jo për vepra të vogla të paligjshme. Sjellja e presidentit Tramp është kërcënim i vazhdueshëm dhe i pranishëm”, tha Nadler.

Në paraqitjen e tij emocionale me çka përfundoi dita e djeshme, kongresisti nga Kalifornia, Adam Shif, menaxher kryesor i impiçmentit, u bëri thirrje senatorëve të shohin se çka është e drejtë e çka gabim, dhe të votojnë “për” apo “kundër” shkarkimit të Trampit sipas bindjes së tyre personale.

“Rregullat kanë rëndësi, e vërteta ka rëndësi. Pa këtë jemi të humbur”, tha Shif.

Demokratët vazhdojnë t’i paraqesin argumentet e veta edhe sot. Performanca e avokatëve të Trampit do të fillojë nesër, e shtunë, dhe sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë javën e ardhshme. ab/

Back to top button
Close
Close