0_MIA Investigon.Portal0_Sport,Portal0_Web_AktualeIntervistëMIA InvestigonSport.SlajderTë Tjera

Tërstena për MIA-n: Sukseset nuk vijnë nga qielli, por me sakrifica dhe punë të madhe ditë e natë, në shi dhe borë

Sukseset nuk arrihen me fjalë apo reklamë, as me politikë, por me sakrificë e punë ditë e natë, në shi e në borë.Këto suksese nuk fitohen në lotari. Jo! Nuk kanë ardhur nga qielli, të të thonë “Ja urdhëro medaljen ose shpërblimin që je sportisti më i mirë". Këto suksese në kushte të rënda kanë ardhur me sakrificë të madhe, duke punuar. Përveç gjatë ditës, unë edhe gjatë orëve të mbrëmjes kam vrapuar. Kur shokët e mi ktheheshin nga diskotekat nga ora 1 e 2 pas mesnate, unë dilja për vrapim, thotë në intervistë për MIA-n, Shaban Tërstena.

Shkup, 23 janar 2021 (MIA) – Sukseset nuk arrihen me fjalë apo reklamë, as me politikë, por me sakrificë e punë ditë e natë, në shi e në borë.Këto suksese nuk fitohen në lotari. Jo! Nuk kanë ardhur nga qielli, të të thonë “Ja urdhëro medaljen ose shpërblimin që je sportisti më i mirë”. Këto suksese në kushte të rënda kanë ardhur me sakrificë të madhe, duke punuar. Përveç gjatë ditës, unë edhe gjatë orëve të mbrëmjes kam vrapuar. Kur shokët e mi ktheheshin nga diskotekat nga ora 1 e 2 pas mesnate, unë dilja për vrapim, thotë në intervistë për MIA-n, Shaban Tërstena.

Tërstena është fitues i medaljes së artë në Lojërat Olimpike në vitin 1984 në Los-Anxhelos dhe i medaljes së argjendtë në vitin në LO në vitin 1988 në Seul. Ai është kampion evropian i vitit 1984 dhe 1991, ka fituar medalje të argjendtë në vitin 1983, 1985, 1986 dhe të bronztë në vitin 1982 dhe 1988, Sportist i shekullit 20 në shtetin tonë, 10 herë sportisti më i mirë nga Qyteti i Shkupit, shtatë herë është shpallur Sportisti i vitit në vendin tonë dhe një herë në ish-Jugosllavi.

Duke folur për kushtet, të cilat ai i ka pasur për të arritur deri te sukseset e mëdha, Tërstena tregon se në kohën e tij, stërvitjet i kanë bërë në sallën e hotelit të dikurshëm “Saraj”. Ai thotë se shpesh kanë qenë të detyruar t’i ndërpresin stërvitjet, duke ua hequr dyshekët, për shkak se në atë sallë restoranti janë mbajtur edhe dasma. Më tej, ai në intervistë flet edhe për kushtet e tanishme të sposrtistëve, se pse nuk është i kyçur aktivisht si trajner ose seleksionues, për politikën në sport, për filmin dhe librin për të, si dhe për tema të tjera.

Zotëri Tërstena, mund të na thoni se çfarë ishin kushtet e juaja që të mbërrini deri tek medalja e artë në Lojërat Olimpike në Los-Anxhelos në vitin 1984, si e vlerësoni gjendjen e tanishme në sport, e posaçërisht në mundje dhe gjeneratat e reja të sportistëve?

-Shaban Tërstena nuk ka jetuar në familje të pasur, në një familje që ka pasur ministra e deputetë, por në një familje të varfër e me kushte të rënda dhe në një lagje ku nuk ka pasur as urbanizim. Kur flas për kushte të rënda, kur e krahasoj me atë kohë, sot e kësaj ditë trishtohem se si kam mundur të arrijë gjithë ato suksese gjigande. Prej një lagje dhe prej një familje të varfër, të arrish suksese të mëdha në pesë kontinetet. Sukseset arrihen jo me fjalë e me reklama, jo me politikë, por me sakrificë e punë ditë e natë, në shi e në borë. Këto suksese nuk fitohen në lotari. Jo! Nuk kanë ardhur nga qielli, të të thonë “Ja urdhëro medaljen ose shpërblimin që je sportisti më i mirë”. Këto suksese në kushte të rënda kanë ardhur me sakrificë të madhe, duke punuar. Përveç gjatë ditës, unë edhe gjatë orëve të mbrëmjes kam vrapuar. Kur shokët e mi ktheheshin nga diskotekat nga ora 1 e 2 pas mesnate, unë dilja për vrapim.

Njeriu sakrifikon për t’a ndryshuar jetën. Jo vetëm unë, por çdo njeri tjetër që i ka pasur kushtet e rënda, sakrifikon për të ndryshu jetën. Falë Zotit, ëndrrat e mia nuk mbetën vetëm dëshirë, por u realizuan. Ndonjëherë them, e di që shumica nuk pajtohen dhe nuk mundem me paramendu, por unë edhe ëndërrat e mia i kam tejkaluar. Jam rritur me njeriun më të madh të planetit Muhamed Ali. Ai ka qenë motivimi im më i madh në jetën time. Në atë kohë kur isha 10-11 vjeç kam thënë se dua të bëhem si Muhamed Ali, mirëpo ai person ka jetuar në një shtet që ka ditur ta vlerësojë dhe respektojë. Ne e kemi pasur vetëm hotel “Saraj”, nuk ka qenë palestër. Shpesh në sallën e restorantit ku bënim stërvitjet, kemi qenë të detyruar ta ndërpresim trajnimin duke na hequr dyshekët për shkak se kishte dasma në atë sallë.

Dy njerëz të mëdhenj kanë qenë afër meje çdoherë, Hajrush Sinani dhe seleksionuesi Nase Nasev. Këta dy persona kanë qenë me mua 20 vite në çdo sekondë e në çdo orë, në çdo fitore e humbje dhe e kanë ditur edhe se si marrë frymë. Unë bile nevrikosesha se pse nuk këta dy persona nuk po më dërgojnë në kampionate botërore dhe evropiane deri në 19-20 vjeç, e qëllimi i tyre kishte qenë, tani kur e përgatitja librin më thanë që shtetet e fuqishme si Amerika, Rusia, Irani, Japonia, Bullgaria etj, të mos i zbulojnë teknikat e mia, dobësitë e forcat e mia, e që kur do të shkonja të garojë për të rritur, sigurisht se do t’mi zbulonin të gjithë këto teknika nga analizat përmes xhirimeve nga kamerat dhe unë do të humbisja në kampionatin për të rritur.

Në moshën 15 vjeçe, 2-3 muaj kam qëndruar në Rusi në përgatitje dhe thonja me veten dhe analizonja se çfarë kanë këta rusë kampionë olimpik, të cilët non stop po fitojnë në kampionate, bile ua merrja dorën t’ua shikojë se ku është dallimi midis meje dhe atyre. E pashë që s’ka kurrfarë dallimi midis meje dhe atyre, por thjeshtë me punë e vullnet kanë mbërritur suksese të mëdha. Janë të rëndësishme përgatitja e vullneti, e jo fati, sepse fati mund të punojë një ose dy herë, por nuk mundet të fitosh çdoherë.

Të bëhesh kampion me 19 vjet dhe sot e kësaj dite e mbaj rekordin si më i riu në Lojërat Olimpike. Një djalë nga një familje dhe lagje e varfër bën histori, e që do të thotë që 126 vite ende nuk mund ta thyejnë këtë rekord. Vullneti, forca, motivimi dhe natyrisht që çdo njeri duhet të ketë zemër. Çdoherë më thonë se çdo kampion e ka zemrën luan. Por, jo, nuk mundet secili, sepse secili do të bëheshte kampion edhe do të kishim edhe më shumë medalje të arta. Unë kam bërë luftë me vetveten. Pse? Sepse kam zbritur 12 kilogramë, nga 64 duhej në 52 kg. Ndoshta per dy muaj i kam zbritur këto kilogramë por kam pasur suksese. Ndërsa gjeneratat e sotme edhe pse shumë më shpejt i heqin kilogramët, ku i kanë rezultatet e medaljet. Edhe pse kur kam humbur kilogramët e më është humbur energjia, sërish kam dalë në mejdan dhe kam fituar amerikanët e rusët, të cilët me vete kanë pasur mjekë që janë kujdesur për shëndetin e tyre, duke ju bërë kontrolle të ndryshme mjekësore si tensioni, analiza gjaku etj, ndërsa unë kam qenë i vetëm dhe në dorë të Zotit.

Ne e kemi shpirtin nëpër lagjet e komunat tona, nëpër rrethina më të vogla. Ne që 35 vite nuk kemi norma olimpike edhe pse i kanë të gjithë kushtet shumë të mira. U bënë kaq vite dhe ende nuk doli dikush të marrë normat olimpike. Normat olimpike japin dhuratë të quajtura val karde. Do të thotë që kur një shtet ose komb nuk ka qenë i zoti të fitojë me djersë, punë dhe sakrificë, federata olimpike të jep një dhuratë të tillë – val karde. Nga viti 1962, çdoherë ka pasur garues nga shteti ynë në Lojërat Olimpike, por ajo pjesëmarrje është fituar me djersë e punë, e jo me dhuratë.

Ju thoni që në ditët e sotme të gjithë sportistët i kanë kushtet e mira, por megjithatë rezultatet mungojnë?

-Po, në ditët e sotme të gjithë i kanë kushtet e mira. Këta që thonë se nuk kanë kushte janë mashtrues e përfitimtarë. Sot ka palestra në çdo fshat e qytet, ndërsa ne nuk i kemi pasur këto kushte. Disa persona që i thonë vetes profesorë dhe doktorë, ata janë fëlliqësira i marrin në qafë sportistët e rinj. Vetëm pse kanë pozita e funksione, i mashtrojnë duke ju thënë se mirë janë. Që 20 vite udhëheqësit në Federatën e mundjes punojnë me klubet dhe edhe pse janë të lidhur me pushtet e me parti, nuk po arrini të nxjerrin një sportist. E sot, secili ka kushte shumë më të mira se atëherë, por nuk po arrijnë të korrin suksese. Kushtet kanë ndryshuar, e suksese ka për pionierët e të rriturit, por nuk mjaftojnë. Edhe unë kam qenë kampion për fëmijë, por kush do të më kishte njohur. Jo vetëm unë, por edhe nga sporte të tjera kanë pasur kampionë evropianë e botëror për fëmijë, por sot ku janë ata. Tani nuk janë askund, janë dorëzuar, sepse nuk kanë pasur vullnetin për të vazhduar me suksese tjera. Ndërsa, unë vazhdova duke sjellë shumë medalje tjera dhe përsëri nuk mu ndryshua jeta. Edhe pse nuk i kemi pasur kushtet, vullnetin e kemi pasur të madh.

Edhe unë vetë tani po befasohem se si kam mundur të arrijë aq shumë suksese me kushte të atilla. Po t’i kisha kushtet që i kanë gjeneratat e tanishme, nuk e di çfarë do të kisha bërë. Kina dhe India me 1,5 miliardë popullsi, ende nuk kanë kampion olimpik në mundje. Ne më shumë i respektojmë ata që nuk korrin rezultate të mëdha. Ne i vlerësojmë e i respektojmë më shumë ata që janë në funksione shtetërore.

Çdo kryetar komune, ministër, Agjencia për Rini dhe Sport u ndihmojnë të gjithë sportistëve dhe klubeve si me bursa, me përgatitje, me pensione, me mjete… Por, për fat të keq, që 35 vite ende nuk kemi ende norma olimpike. Ne e shkatërruam mundjen tonë duke sjellë edhe mundës nga jashtë shtetit dhe krenohemi me këtë. Çfarë krenarie është kjo? Duhet të turpërohen se çka janë duke bërë. Me kurrfarë kushte, ne kemi arritur shumë rezultate, ndërsa sot në kushte të mira nuk kemi mundës. Të gjitha i kemi shkatërruar.

Tani kanë mbetur vetëm fjalë lavdërie, por këtu fajtori më i madh janë gazetarët që edhe pse nuk kanë arritur asgjë, ju ua zmadhoni sukseset. Kur vjen puna te shpallja e Sportistit më të mirë të Maqedonisë shkruan se ka marrë pjesë në atë ose këtë kampionat, por nuk kanë medalje, vetëm pjesëmarrje. Në 10 vitet e fundit nga sportet luftarake, vetëm sporti i karatesë ka arritur sukse e medalje nëpër kampionate. Mundeni që të arrini suksese, sepse Shaban Tërstena nuk është i paarritshëm. Normalisht që është e vështirë, por secili mund të arrijë suksese nëse punon fortë, me përkushtim, sakrifikon, përveç talentit që ka personi. Të gjithë jemi talentë, pse atëherë nuk u bëmë të gjithë kampionë.

Ku është mundja sot? Më parë kemi pasur mundës, ndërsa sot nuk ka as në Radovish, Koçan e Shtip. Ekipet e këtyre vendeve marrin pjesë në gara mes vete me nga dy tre mundës, edhe atë i marrin mundësit më të vjetër vetëm e vetëm që ta plotësojnë numrin. Kjo nuk është mirë. Federata e mundjes ua ka mundësuar kushtet edhe klubeve tjera me palestra, dyshekë e elemente sportive, e që unë këto kushte nuk i kam parë as në ëndërr. Duhet të punohet nëpër klube. Për të arritur diçka duhet të sakrifikosh, duhet të kesh disiplinë në vetvete. Unë çdoherë deri në Saraj shkonja në stërvitje në vrapim. Ndërsa, prindërit sot fëmijët e tyre i dërgojnë në stërvitje me vetura. Kam dashur të jem më i mirë se Asani e Dragani, gjithçka kam arritur me punë, e jo me xhelozi e fjalë.

Në mesin e 12 mijë shikuesve në mes të Amerikës e kam fituar kundërshtarët nga vend të ndryshme. Unë nuk kam shkuar që të fotografohem, të shetitem e veç të marrë pjesë, por kam qenë i përgatitur për të fituar. E jo sikur në ditët e sotme, që sportistët më shumë shkojnë për t’u fotografuar. Në kampionatin për në Rio de Zhanejro, sportistët nuk kanë mundur as t’i zbresin peshë prej 400-500 gramë, e paramendo të priten nga ata medalje. Tre herë jam shpallur kampion mesdhetar dhe nuk kam as edhe një fotografi nga ai kampionat, sepse unë kam shkuar të fitojë dhe jo të fotografohem. Në ditët e sotme, sportistët luftojnë vetëm që të marrin një medalje dhe me atë të marrin një pension, e jo për më shumë suksese.

Pse vendosët që të merreni pikërisht me mundje?

-Në ato kushte të vështira, nuk kemi pasur mundësi të merremi me sporte që janë më moderne e luksoze, si tenisi, futbolli, hendbolli e noti. Ne nuk kemi pasur mundësi të ushqehemi. Ato janë sporte shumë më luksoze. Duhet ta zgjedh mundjen, edhe pse është sport shumë i vështirë. “Fajtori” për të gjitha sukseseve është vëllai im. Duke e parë atë që ushtronte atëherë në palestrën e “Partizanit” në Çair, i cili fshehtas stërvitej në atë kohë sepse babi im ka qenë kundër sportit. Familje e madhe e e varfër dhe frikësohej që mos të lëndohemi. Kemi pasur vullnet dhe dëshirë të madhe, bile ja në këtë rast nuk e kemi respektuar edhe prindin tonë. Nga palestra e “Partizanit” u shpërngula në klubin e mundjes “Liria”, të cilin unë e bëra me emër dhe u shpall ndër klubet më të mira dhe më të suksesshme në ish-Jugosllavi. Shtatë herë jam shpallur sportisti i Maqedonisë, 12 herë sportist i Qytetit të Shkupit. Duke i pasur këto kushte aktuale të mira, cili sportist është shpallur kaq shumë herë sportisti më i mirë?

Më 10 gusht të vitit të kaluar kaluan 36 vite që kur e keni fituar medaljen e artë në Los-Anxhelos. Mund të na thuani nëse shteti ka organizuar ndonjë pritje kur u kthyet prej atje?

-Me të gjithë sukseset dhe fitoret e mëdha, bëhem kampion olimpik dhe dalin e më presin vetëm 20 persona edhe atë familjarë të mi dhe disa gazetarë sporti. Nuk ka pasur asnjë organizim tjetër madhështor nga shteti, sikur tani që po ju bëhet sportistëve edhe pse vetëm marrin pjesë në ndonjë kampionat e kthehen pa medalje. Vetëm Alush Hamidi në atë kohë ka pasur një transparentë “Mirë se erdhe kampion!  Edhe pse askush nuk organizoi pritje për mua, unë nuk u dorëzova dhe vazhdova me arritjen e sukseseve të tjera.

Në vitin 1988 nga shteti mu dha banesë gjoja si dhuratë, por në vitin 1992 ma morën. E atëherë më është dashur që ta blija banesën, edhe pse e kisha dhuratë nga shteti si shpërblim për titullin. Kanë dalë disa fëmijë udbasha të më sulmojnë me shkrime nëpër faqet e tyre në rrjetet sociale. Po ku kanë qenë prindërit e atyre udbashave, pse nuk kanë dalë asnjëherë të më presin pas fitoreve të mia të mëdha? Po ata nuk kanë guxuar as të flasin shqip në atë kohë.

Në vitin 2016 u publikua monografia për juve “Rruga e kampionit olimpik” nga autorët Sefer Tahiri dhe gazetari i sportit Reshat Ibraimi? Mund të na thoni diçka më shumë rreth kësaj monografie?

-Ideja për këtë film ka qenë e djalit tim Ilirit. Ai ishte në moshën 19-vjeçare dhe më erdhi me propozim se duhet të bëjë film duke më dhuruar një diktafon si dhuratë. Unë me habi i thashë mos po i dukem se jam gazetar sportiv që të marrë deklarata. Ai më tha: “Po, babi, ti do të bëhesh gazetar i vetvetes dhe këtu do ta tregosh të gjithë historinë tënde. Dua libër të të bëjë”. Dhjetë ditë kam menduar se si ai si një i ri do të mund të bëjë libër. Pas 10 ditëve që e mësova diktafonin si ta përdori, fillova të flasë. Kam folur 80 orë incizim. Kur përfudova me tregimin e historisë time, ia dorëzova djalit, e ai më tha që u kry kjo punë, tani do të gjejë shkrimtar që të ta bëjë librin. Për këtë libër është punuar katër vite dhe ka 500 faqe. I gjithë libri është botuar pa ndihmën e askujt, as të shtetit, as sponsorëve e as partive, por vetëm nga unë dhe djali Iliri.

Në libër ka shumë gjëra, nga të cilat do të turpërohen pas 100 viteve se çfarë njerëz na kanë udhëhequr, e çfarë njerëz mashtrues kanë qenë. Për fat të keq, edhe disa profesorë mendojnë se para Shaban Tërstenës ka pasur kampion olimpik në trojet tona. Në enciklopedinë time i kam shkruar kush janë kampionë olimpik nga viti 1896 deri në vitin 2012. Kam bërë enciklopedi të kampionateve botërore që nga fillimi në vitin 1950 e deri në vitin 2015. Në këtë encikopedi kam përfshirë edhe fituesit e kampionateve evropiane dhe mesdhetare. Jam duke punuar që librit t’ia shtoj edhe 40 faqe që të përfshijë pjesën e filmit dhe zhvillimet e aktivitetet e tjera që nga botimi i librit.

Mund të na thoni diçka më shumë rreth dokumantarit për ju “Kobra”, i cili premierën e kishte në vitin 2018?

-Filmi dokumentar është punuar në regji të Igor Ivanov-Izi. Sashko Nasev është skenarist, në bashkëpunim me mua, ndërsa producent është Toni Sallkovski dhe produksioni “Skopje studio film”. Ky film i përfshin jetën dhe veprën time. Është një rrëfim për sportistin e vetëm nga Maqedonia e Veriut që ka fituar medalje të artë olimpike dhe të cilat suksese asnjëherë nuk janë pranuar nga autoritetet politike dhe shoqëria. Në film paraqiten: Hajrush Sinani-trajner, Nase Nasev-ish seleksionues i reprezentacionit të mundjes, Zoran Mihajllov-ekspert i mundjes, Millosh Vuçidollov-mjek, Vasill Tupurkovski-ish kryetar i KOM-it, Zoran Shorov-mundës, Ferid Muhiq-filozof dhe anëtarë të familjes sime.

Ekipin e regjisorëve të filmit as që i kam njohur unë. Ata vetë mu lajmëruan dhe më thanë që janë të interesuar të bëjnë film për jetën time. Menjëherë u kam thënë se si mundeni ju që nuk jeni marrë ndonjëherë me sport dhe nuk keni qenë afër meje, të bëni film për mua. Ata më thanë që nuk kanë qenë afër meje, por që dinë shumë gjëra për mua. Kishin parë një pjesë të intervistës sime për Televizionin Telma para 15 viteve kur flas për sukseset, për Shkupin, për lagjen time të mëparshme, kishin lexuar edhe një pjesë të intervistës sime për një gazetë turke. Në film kemi punuar një vit e ca. Në film kam shfaqur se edhe pse kam qenë shqiptar për nga kombësia, si individ unë e kam përfaqësuar vendim tim Maqedoninë, sepse nga Kina e Japonia nuk e dinë se Shaban Tërstena është shqiptar, por që vjen nga Maqedonia.

Nga viti 2017 po i ndani tradicionalisht pesë Oskarët e artë olimpik? Mund të na informoni më shumë se pse vendosët t’i ndani këta oskarë?

-Vendosa që këto Oskarë katër vite me radhë t’ua ndajë personave, institucioneve dhe shtëpive mediale të cilët e kanë ndjekur dhe ndihmuar karrierën time të pasur. Këta Oskarë janë një formë mirënjohjeje, falënderimi për ata që kanë bërë gjithçka për mua.

Gjithsesi se këtu nuk mund të shmanget edhe politika. Sa politika është e përzier në sport, e sidomos në mundje?

-Politika gjithsesi ndërlidhet me gjithçka në shtet. Qeveria dhe Agjencia për Rini dhe Sport gjithsesi se ju ndihmojnë sportistëve, por ata nuk të bëjnë kampion. Çdo kryetar komune ndihmon në të gjithë aspektet në sport, por nuk mund të të bëjë kampion. Vetë sportistët duhet të punojnë. Udhëheqësit e sporteve dhe të klubeve duhet të marrin përgjegjësi. Ne themi se sporti duhet të qëndrojë larg politikës, por jo, gjithmonë sporti ka qenë i lidhur me politikë. Çdo gjë është e lidhur me politikë. Një sportist që e ka talentin, inteligjencën, teknikën, përgatitjen, nuk duhet ta zhdukin atë, që ta lëmë dikë të kalojë pasi është djalë i iks personit që është i njohur ose familjar i ndonjë personi në funksion shtetëror.

Mund të na thoni se pse nuk jeni të kyçur aktivisht në Federatën e mundjes? Pse nuk po merreni aktivisht në transmetimin e diturive dhe njohurive tuaja tek të rinjtë, si trajner ose seleksionues i reprezentacionit?

-Të gjithë udhëheqësit në Federatë kanë bërë punë në ndryshimin e kushteve, por ende nuk kemi arritur suksese. Këta kanë humbur. Ata që udhëheqin janë mundës, të rinj që nuk kanë lidhje me arritjen e sukseseve. Kanë arritur suksese për kadetë, pionierë, por jo për të rritur. Këta e kanë mbështetjen e Qeverisë dhe partisë, e unë nuk jam një prej atyre. Këta kanë humbur që 20 vite. Jam i vetmi sposrtist në këto troje tona që nuk kam pasur ndonjë pozitë, nuk kam qenë as trajner, as seleksionues, e asnjë pozitë tjetër. Mjerë ata që kanë qenë dhe e kanë shkatërruar tërë mundjen. Nuk kam qenë i tillë, sepse forca dhe dija ime ka qenë krejt ndryshe. Ata udhëheqës vetëm e kanë shkatërruar mundjen e për të përfituar për veten, e jo për të bërë mundje. Unë kam qenë shumë më ndryshe, unë dua puna e korrektësi, e këto gjëra nuk i kam hasur. Nuk më kanë dhënë mundësi asnjëherë që të jem në pozitë udhëheqjeje. Pa ndihmën e shtetit dhe të personave që janë në pushtet nuk mundesh të bësh asgjë. Në këtë kohë siç jemi, nuk ke forcë e nuk mundesh të bësh asgjë pa njerëzit që janë në pushtet. Ka mbaruar koha e përparshme që vetëm me vullnet arrin suksese, siç i kam arritur unë. E kam pasur shpirtin dhe strategjinë, por tani është vonë se 20 vite kanë kaluar e për aq vite sa gjenerata janë zhdukur. Edhe Kosova vetëm me femra po krenohet, kanë humbur sportistët meshkuj.

Vallë mendoni se Komiteti Olimpik i Maqedonisë së Veriut duhet të transformohet, që të jetë organ më tepër aktiv?

-Komiteti Olimpik i Maqedonisë së Veriut duhet të transformohet që të jetë organ shumë më aktiv. Kanë filluar disa ndryshime. Më shumë duhet të shikohet realiteti. Kur më parashtrojnë pyetje gazetarë të ish-Jugosllavisë për dallimin e Maqedonisë në ato kohëra dhe sot për nga sukseset, patjetër duhet t’ju them që 30 vite nuk kemi arritur suksese të mëdha dhe s’kemi medalje, edhe pse është turp të thuhet. Kroacia, Serbia, Sllovenia, Kosova fitojnë medalje. Të gjithë këto shtete kanë medalje, vetëm ne jo. Maqedonia e Veriut krenohet me medalje të rusëve. Ai rus as nuk jeton, e as nuk qëndron këtu, nuk e lidh asgjë me këtë vend dhe nga Rusia shkon e zhvillon gara mundjeje në emër të shtetit tonë dhe ne krenohemi. Ky është turp i madh. Edhe në Komitetin Olimik ka ndodhur që ka pasur persona më të suksesshëm, të cilëve nuk ua kanë dhënë bursën, por ua kanë dhënë dikujt tjetër që ka qenë i pasuksesshëm, ka qenë nga ndonjë familje e njohur ose familje që ka qenë në funksion.

Mund të na tregoni se si i përballuat ditët në karantinë, në fakt sa të vështirë kanë qenë ato ditë karantine për juve si sportist?

-Në mars kur u paraqit epidemia ishte një gjë e panjohur për neve, dhe u mbyll e gjithë bota. Përballeshim me një armik të panjohur dhe sipas rregullave të shtetit, duheshte t’u përshtatemi. Normalisht se edhe neve sportistëve na ka prekur shumë, sidomos të rinjtë, pasi u anuluan garat nëpër kampionate të ndryshme dhe olimpiadë. Unë si sportist i dikurshëm, përsëri e kisha atë vullnetin për t’i përballuar situatat e karantinës. Koxha kohë kam kaluar në rregullimin e punimet në oborr dhe me aktivitete tjera. Në përgjithësi, ne si popull jemi mësuar të përballemi me probleme të vogla dhe të mëdha. Vazhdimisht bënja apel që të mbahen maska, të ruhet distanca etj.

Kur përmendet Shkupi, çfarë mendime, imazhe dhe fotografi ju paraqiten?

-Unë jam biri i shqiptares dhe krenohem shumë për vendlinjen time, Shkupin. I kam sjellë shumë dhe e kam ngritur vendlindjen time, gjithë ato medalje e fitore. Çfarë ka të veçantë Shkupi? Shkupi ka histori të madhe, që nuk e ka as Kosova e as Shqipëria. Një vend i vogël, por që ka arritur shumë suksese. Historinë e kombit tonë e kemi shkruar unë – kampion olimpik, Shaban Sejdiu, Aziz Salihu. Ne të tre sportistët i kemi sjellë Shkupit pesë medalje. Shkupi është i veçantë edhe si vendlindja e humanistes së madhe në nivel botëror, Nëna Terezë. Shkupi është vendi ku unë kam lindur, rritur dhe ende vazhdoj të jetoj deri në frymën e fundit. Pasi që u bëra kampion, edhe pse më është ofruar që të jem mundës i shumë shteteve tjera më të zhvilluara, unë vendos të jetoj dhe veproj në vendin tim të lindjes.

Fatime Fazliji

Foto: Frosina Naskoviq

Таг
Back to top button
Close
Close