BotëBotë.Portal

Terrorizmi në vit i kushton ekonomisë globale 34 miliardë dollarë

Terrorizmi në botë mori më pak jetë në vitin 2018, por pasojat e tij ekonomike dhe sociale janë akoma të mëdha, sipas Indeksit më të ri Global për Terrorizëm (IGT) të Institutit për Ekonomi dhe Paqe (IEP).

Sidnej, 17 janar 2020 (MIA) – Terrorizmi në botë mori më pak jetë në vitin 2018, por pasojat e tij ekonomike dhe sociale janë akoma të mëdha, sipas Indeksit më të ri Global për Terrorizëm (IGT) të Institutit për Ekonomi dhe Paqe (IEP).

“Edhe pse intensiteti i terrorizmit është zvogëluar, përhapja e tij akoma jo”, paralajmëroi Qendra hulumtuese australiane në raport.

Numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjeve nga terrorizmi ka rënë për të katërtin vit radhazi në vitin 2018, duke rënë për 15,2 për qind nga një vit më parë në 15.952 raste vdekjesh, një rënie prej 53 për qind nga viti 2014, kur u regjistrua numri më i lartë.

Nxitësi kryesor i numrit të vdekjeve është rënia e intensitetit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe sukseset ushtarake kundër grupeve terroriste SHI dhe Boko Haram, thuhet në studim.

Megjithatë, në raport shtohet se terrorizmi mbetet problem i përhapur dhe kërcënim kryesor global, duke i kushtuar ekonomisë globale më shumë se 34 miliardë dollarë në vitin 2018.

“Ky është viti i dytë më i keq i regjistruar nga numri i vendeve që kanë pësuar të paktën një vdekje, gjë që e thekson nevojën për të vazhduar veprimet ndërkombëtare për të luftuar terrorizmin”, thuhet në dokument.

Afganistani e ka numrin e dytë më të lartë të vdekjeve dhe sulmeve të lidhura me terrorizmin për të dytin vit radhazi, me më shumë se 7.000 raste të vdekjes dhe 1.400 sulme terroriste në vitin 2018.

Për më tepër thuhet se në vitin 2018, talebanët kanë tejkaluar SHI-në si grupi më i rrezikshëm terrorist në botë, përgjegjës për 38 për qind të numrit të përgjithshëm të vdekjeve nga sulmet terroriste në botë.

Sipas këtij raporti, gati 40.000 njerëz janë vrarë në incidentet terroriste nga viti 2001 në Afganistan.

Iraku, Parlamenti i të cilit votoi kohët e fundit për dëbimin e trupave amerikane nga vendi, ka qenë udhëheqës në Indeksin Global të Terrorizmit për 16 vitet e fundit, ndërsa rra në vendin e dytë në vitin 2018.

Numri i personave të vrarë në akte terroriste në Irak ka rënë në 1.054 viktima në vitin 2018 nga 4.271 e një viti më parë, duke u ulur për 75 për qind. Megjithatë, më shumë se 66.000 njerëz janë vrarë në terrorizëm që nga viti 2001 në Irak. bs/shk/

Back to top button
Close
Close