• понеделник, 23 септември 2024

Takim Mucunski – Gerapetritis nesër në Nju Jork

Takim Mucunski – Gerapetritis nesër në Nju Jork

Athinë, 22 shtator 2024 (MIA) – Ministrat për Punë të Jashtme të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, Jorgos Gerapetritis dhe Timço Mucunski nesër do të realizojnë takim bilateral në Nju Jork në margjinat e Asamblesë së përgjithshme të KB-së, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Takimin e kanë bërë të ditur nga MPJ-ja greke në kuadër të aktiviteteve dhe takimeve që ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë do t'i ketë gjatë ditës së sotme dhe nesërme, ndërsa është konfirmuar edhe nga burime të MPJ-së së Maqedonisë për raportuesin e MIA-s në Nju Jork.

"Në margjinat e Asamblesë së përgjithshme, z.Gerapetritis do të ketë takime të ndara bilaterale me ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bolivisë, Bahrejnit dhe Arabisë Saudite", theksohet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë.

Mucunski dhe Gerapetritis nesër do të marrin pjesë në takimin ministror të grupit joformal “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” në prani të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ky do të jetë takimi i parë i shefave të diplomacisë së dy vendeve.

Në mesin e korrikut Mucunski dhe Gerapetritis realizuan bisedë telefonike, ku fokusi ka qenë përballja me zjarret që në atë kohë ishin aktive në vendin tonë.

Foto: arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан